Nga Gladiola Jorbus
Dashuri në distancë
Kur Arseni u zhvendos në Pragë, e imagjinonte qytetin si në fotografitë që kishte parë: ura të vjetra që shtriheshin mbi lumin Vltava si krahë të hapura, rrugë me kalldrëm, ndërtesa me çati të kuqe. Pamje magjepsësese që të linin pa frymë. Por realiteti ishte më i thellë se kaq.
Praga ishte një qytet që të përqafonte me ngrohtësi, por të mbante edhe në distancë. Një qytet që të jepte ndjesinë se gjithçka ka ndodhur një herë më parë: dashuri, humbje, rikthime dhe se ti, je thjesht kapitulli i radhës.
Arseni e përjetonte këtë ndjesi çdo ditë. Në fillim, ai i tregonte Erës gjithçka.
– Era, sot kalova mbi Urën e Karlit. Ishte mjegull. Dukej sikur statujat po merrnin frymë.
Ajo qeshte: – Po ti je bërë poet tani.
Ai i tregonte për tramvajin që kalonte çdo mëngjes poshtë dritares së tij, për aromën e trdelnikut që mbushte rrugicat, për tingujt e violinës që vinin nga një muzikant në Staro Meste (old town).
Era e dëgjonte dhe e imagjinonte veten aty, pranë tij, duke ecur dorë për dore nëpër rrugët që ai përshkruante. Video-callet ishin të gjata, plot dëshirë, mall, pasion dhe plane.
– Kur të vish, do të të çoj në Petrin Hill, – i thoshte ai. Do të shijosh pamjen më të bukur të qytetit. Ndërsa unë do të të shijoj ty.
– Po vij, – i përgjigjej ajo. Vetëm prit pak.
Por koha nuk priti. Ndërsa Arseni filloi të mësohej me qytetin, me ritmin e tij të qetë dhe të thellë, me njerëzit, me netët që dukeshin sikur nuk mbaronin kurrë, diçka brenda tij ndryshoi.
Era e ndiente.
– Arsen, je mirë? – e pyeste ajo.
– Po, thjesht jam i lodhur. Praga është… shumë.
– Shumë çfarë?
– Shumë e bukur. Shumë e madhe. Shumë ndryshe.
Ai nuk e thoshte dot me zë, por ndonjëherë bukuria e një vendi të ri të bën të harrosh atë që ke lënë pas.
Mesazhet e tij u bënë më të shkurtra. Video-callet më të rralla. Heshtjet më të gjata. Era filloi të ndiente se po humbiste diçka që nuk e kishte prekur kurrë me duar.
Snjë mbrëmje e telefonoi. Ai nuk u përgjigj. E telefonoi sërish, këtë radhë me face time. Arseni u përgjigj pas 50 sekondash. Ishte ulur në një stol pranë lumit. Dritat e qytetit pasqyroheshin në ujë si yje të rënë.
– Ku je? – e pyeti ajo.
– Buzë Vltavës. Po mendoja.
– Për çfarë? – vazhdoi të pyeste ajo.
Ai mori frymë thellë. – Për ne.
Era ndjeu thëllimin në shpirt.
– Çfarë ka për të menduar shpirt?
Ai pa drejt lumit, dhe jo kamerën.
– Ndonjëherë, – psherëtiu ai, ndihem sikur jam duke jetuar dy jetë. Njërën këtu, në këtë qytet që po më ndryshon. Tjetrën me ty, në një vend ku nuk jam më.
– Arsen, ke dikë tjetër? – pyeti ajo me zë të ulët.
Ai u kthye nga kamera. Sytë i kishte të lodhur.
– Jo. Nuk ka njeri tjetër. Ekziston vetëm… një version i imi që nuk po e njoh më.
Era uli kokën.
– Po unë? A jam pjesë e këtij versioni të ri?
Ai heshti. Dhe heshtja e tij tha më shumë se ligjërimet.
Një mbrëmje, ndërsa Praga ndriçohej nga dritat e ngrohta të urave, kurse Tirana nga gjallëria e të rinjve, ata u lidhën sërish me video.
Era, – tha ai. Nuk dua të të mbaj pezull. Nuk dua të të lëndoj. Por nuk jam më, ai që isha kur ika. Dhe nuk dua të të premtoj gjëra që nuk i mbaj dot.
Ajo e dëgjoi pa e ndërprerë.
Unë të dua, – murmuriti ajo. Por nuk dua të të detyroj, as të të mbaj me zor.
Ai mbylli sytë.
– Më fal!
– Nuk ka asgjë për të falur. Dashuria, ndonjëherë nuk mjafton. Fjalët e Erës përcillnin ftohtësi, por aspak keqdashje, as mëri.
Video-calli u mbyll. Dhe bashkë me të, një univers reshti së qeni.
Ditët që pasuan ishin të qeta, por të rënda. Era e ndiente mungesën e tij në çdo hap. Arseni ecte nëpër rrugët e Pragës dhe mendonte për të. Për mënyrën si qeshte. Për mënyrën si e thërriste “Ars”. Por qyteti i ri e kishte përfshirë, shndërruar.
Një mëngjes, Era mori një mesazh.
Arsen: Mbetesh njeriu që më ka dhuruar kujtimet më të bukura, emocionet më të pashlyeshme. Faleminderit që më ke dashur!
Ajo iu përgjigj:
Era: Ndoshta një ditë, kur të mos jemi më kaq larg, do të flasim sërish. Si dy njerëz që dikur u deshën sinqerisht.
Era buzëqeshi. Ajo mori frymë thellë, sikur po çlironte gjithë peshën që kishte mbajtur mbi supe. Dhe vazhdoi të ecte. Për herë të parë pas shumë kohësh, ndjeu një lehtësim të vërtetë në shpirt.



