Nga Gladiola Jorbus
Kundërshtaret dhe përkrahëset e stereotipeve: dy fytyrat e së njëjtës shoqëri
Që nga lashtësia e deri në ditët tona, historia e grave është një linjë e gjatë përplasjesh, mes atyre që kanë guxuar të dalin kundër rrymës dhe atyre që janë mësuar të notojnë me të. Në kohët e hershme, kur shoqëritë i donin gratë të padukshme, të mbyllura dhe të heshtura, ka pasur gjithmonë gra që kanë thyer tabutë e rregullat e pashkruara: gra që kanë shkruar, kanë folur, kanë sfiduar autoritetin dhe kanë kërkuar të drejtën për të qenë më shumë, sesa një hije në jetën publike. Por krahas tyre, ka pasur edhe gra që e kanë mbrojtur me fanatizëm rendin e vjetër, duke e konsideruar bindjen si virtyt dhe heshtjen si detyrë. Në mesjetë, kur frika dhe dogma sundonin, disa gra guxuan të mendonin, të krijonin, të udhëhiqnin, të kërkonin hapësirë për veten dhe për të tjerat. Ndërkohë, shumë të tjera i shihnin këto veprime si rrezik, si devijim, si kërcënim ndaj një bote që u dukej e sigurt, vetëm sepse ishte e vetmja që njihnin. Në epokën moderne, kur idetë e lirisë dhe barazisë nisën të formësohen, pati gra që kërkuan arsimim, të drejtën e votës, të drejtën për të punuar dhe për të vendosur mbi trupin e jetën e tyre. Ato u përballën me tallje, me përbuzje, me dhunë, me akuza se po prishnin rendin shoqëror. Dhe ndërsa ato luftonin, gra të tjera dilnin kundër tyre, duke mbrojtur pikërisht sistemin që i nënvlerësonte. Edhe sot, në një botë që pretendon se është moderne, kontrasti mbetet i njëjtë. Ka gra që ngrejnë zërin kundër padrejtësive, që luftojnë për barazi në punë, në politikë, në familje, në hapësirat publike. Gra që nuk pranojnë të heshtin, që nuk pranojnë të jenë dekor, që nuk pranojnë të jenë të padukshme. Por ka edhe gra që vazhdojnë të mbrojnë stereotipe të vjetra, që e quajnë lirinë “teprim”, që e shohin pavarësinë si kërcënim, që kritikojnë gratë e tjera për guximin e tyre, që e barazojnë konformizmin me moralin. Historia është e qartë: përparimi nuk ka ardhur kurrë nga ata që kanë ruajtur rregullat, por nga ata që i kanë thyer ato. Nga gratë që kanë refuzuar të pranojnë rolet e gatshme, që kanë kërkuar më shumë sesa u është dhënë, që kanë zgjedhur të mos jenë pjesë e një skenari të shkruar nga të tjerët. Ndërsa ato që kanë zgjedhur të heshtin, të përshtaten, të mbrojnë tradita pa pyetur kurrë nëse janë të drejta, kanë qenë gjithmonë në rolin e marionetave në një bote që përpiqet të ecë përpara. Sot idem si në lashtësi, mesjetë a modernitet, pyetja mbetet e njëjtë: Do të zgjedhim të luftojmë apo të heshtim?! Sepse historia nuk i mban mend të heshturit. Heshtja tretet me kohën, ndërsa zëri që ngrihet jehon ndër kohëra.



