Viron Kona- Tregim – Të gjithë derrat një turi kanë!

Viron KONA
Të gjithë derrat një turi kanë!
-tregim-
Në atë klinikë të huaj ai u prit ngrohtë dhe, ajo që ishte më kryesorja, nga personeli mjekësor u trajtua me seriozitet dhe me përkushtim të
plotë. Gjithçka kishte përfunduar me ndërhyrjen kirurgjikale, e cila doli e suksesshme dhe pa probleme të mëtejshme. Gjatë kohës së qëndrimit thuajse tre mujorë, ai kishte arritur të mësonte të fliste e të merrej vesh në gjuhën e atij vendi. Fillimisht, “mësuesja” më e mirë kishte qenë nevoja për të komunikuar, për të kërkuar diçka apo për të pyetur, kurse më pas kishte qenë edhe një fjalor i mirë, që përmbante dialogë, fjalë e shprehje të përdorimit të përditshëm…
Herë – herë ai mendonte se nuk do të ishte keq sikur pas një kohe të vinte përsëri në këtë shtet për të jetuar e punuar. Nga profesioni ishte
agronom dhe, me sa kishte dëgjuar ata kishin nevojë për specialistë të asaj fushe. Por pa kaluar pak çaste e kundërshtonte atë mendim apo
dëshirë, “më mirë më pak dhe në vendin tim”, – thoshte me vete, duke kujtuar njëherazi edhe proverbin e njohur të popullit: “Guri i rëndë
peshon në vendin e vet”.
Këto mendime vërtiteshin në mendjen e tij teksa shëtiste në bulevardin kryesor të atij qyteti të madh. Ishte dita e fundit e qëndrimit
dhe, me pak para, që i kishte hequr mënjanë pak e nga pak, ai donte të blinte ndonjë dhuratë për familjarët e tij, bashkëshortes ndonjë varëse të thjeshtë, vajzës tre vjeçe ndonjë kukull të lezetshme, kurse dy djemve shtatë dhe nëntë vjeç, që kishin qejf futbollin, secilit nga një bluzë apo kostum sportiv. Bëri buzën në gaz kur përfytyroj gëzimin e tyre kur të takoheshin e pastaj kur t`u jepte dhuratat. “Ndërkohë, edhe shëtis, edhe shikoj për ndonjë dyqan që shet me çmime të arsyeshme”, – tha me vete.
Në krahun e djathtë të bulevardit, që llamburiste nga reklamat dhe dritat e shumta, iu shfaq një rrugë dytësore, edhe ajo ndriste nga
reklamat shumëngjyrëshe. U fut në atë rrugë dhe nisi të ecte mes vezullimit të dritave. Kalonte në krah të dyqaneve të pafundme industriale e ushqimore, restoranteve e bareve, farmacive…dyqaneve kozmetikë, atyre të veshjeve, të mobilieve, të lodrave për fëmijë…” Kjo duket që
është zonë e shtrenjtë”, – thoshte me vete dhe vijonte më tej. Ja, përball iu shfaq një rrugicë më e ngushtë, që ishte më shumë si një shëtitore me lule e drurë të shumëllojshëm në të dy anët. Aty frynte një fllad i freskët, që mbushte ajrin me aromën e gjineshtrave që, me sa dukej rriteshin të dendura në faqen e një kodre përballë. Nga profesioni e dinte se gjineshtra, veçanërisht gjineshtra e Spanjës, ose gjineshtra me aromë, në muajin maj përhapte një aromë kundërmuese…Si për çudi dritat e rrugicës sa vinin e zbeheshin. Dukej që disa llamba ishin thyer apo djegur.
“Eh, fëmijët e përkëdhelur, me siguri ata i kanë thyer!” – tha me vete. Gjatë atyre tre muajve nuk kishte dëgjuar për vjedhje e krime në atë
qytet, ndryshe nga vendi i tij, ku spikerët i çelnin emisionet me lajme vrasjesh, vjedhjesh, krimesh, zjarre-vënie të qëllimshme, ndjekje
kriminelësh nga policia, shumica e të cilave përfundonin me: “krimineli u zhduk në drejtim të paditur!” Aq shumë përsëriteshin në stacionet televizive ato lajme dhe pamje të zymta e ndjellakeqe, saqë krijohej padrejtësisht mendimi, sikur në vendin e tij, vetëm krime bëheshin…
Vijoi rrugën, por ajo sa vinte e errësohej më shumë, madje vuri re se në atë rrugë thuajse nuk kishte lëvizje, kurse fundi i saj dukej krejt i
errët…”Po unë, ku po shkoj?” – qortoi veten dhe bëri të kthehej.
E, pikërisht atëherë, pa dy hije të zeza që dolën me shpejtësi nga prapa një trungu të trashë dhe, ai, si pa kuptuar e ndjeu veten mes atyre
dy hijeve. Ishin të dy të gjatë e trupmëdhenj dhe me fytyra të mbuluara me maska të zeza si nata. Nuk pati kohë të shmangej, sepse ndjeu një
tytë pistolete në qafë dhe një majë thikë të mprehtë, që po i depërtonte mes rrobave. Kishte rënë në një grackë hajdutësh.
-Oh, ju lutem, më lini në hallin tim! – mundi të thotë, por ndjeu se
tyta e pistoletës iu ngjesh më fortë pas qafe, kurse maja e mprehtë e
thikës depërtoi më në brendësi të rrobave.
-Mos fol, por na i jep të gjitha paratë që ke me vete! Shpejt! – i foli ai që i mbante pistoletën pas kokës. Zëri i hajdutit ishte i ngjirur, teksa
fryma i mbante një erë të rëndë qepe. Lëvizi pak kokën dhe vështrimi i ngeci te maskat e tyre të zeza. Ja tek u dukën sytë e grabitqarëve, që
lëvrinin brenda zgavrave si larva kënetore. Ata donin para. Ata mendonin se ai kishte para. Doemos që do të kishte. S`vjen tjetri nga ana e anës për t`u kuruar në një klinikë shëndetësore të huaj, pa një lekë në xhep! E pra, te shuma e parave të tij, ishte edhe pjesa e tyre! Hajde, shpejt, paratë!
-Ju lutem, sapo jam operuar. Sot dola të blej ndonjë dhuratë të vogël për familjarët e mi dhe nesër në mëngjes nisem për në atdheun tim. Ju lutem, nuk jam pasanik. Këtu, për t`u kuruar më ka dërguar shteti…
-Oh, oh, oh! Qenke i rëndësishëm ti! – ia bëri ai që i mbante fryma era qepë dhe vijoi egërsisht: -E di ti që ne të mbajmë peng, nëse nuk na
bindesh?
-Por, edhe po s’të mbajtëm peng, do të të bëjmë një operacion të dytë! – i tha duke u zgërdhirë ai që i mbante thikën ngjeshur pas cipës së
barkut. – Dhe, ti e kupton, ne i bëjmë operacionet pa narkozë, kështu që luaj dhe nxirr paratë që ke me vete, të gjitha, pa fjalë, përndryshe do të zhveshim këtu dhe do të lëmë krejt lakuriq, si peshku në zall. Hajde, luaj…!
Ata nuk largoheshin pa i marrë paratë, madje mund të ndodhte edhe më e keqja, se, ja, ato çaste maja e thikës sikur po i shponte cipën
e barkut, kurse tyta e pistoletës po ia bënte qafën plagë…
Futi dorën në xhep, nxori portofolin dhe u përpoq të nxirrte paratë, por ai që i mbante pas qafe pistoletën ia rrëmbeu portofolin.
-Ju lutem, kam pasaportën dhe dokumentet aty, ju lutem…!
Hajduti kërkoi në portofol, nxori paratë dhe ia dha atij që kishte thikën. Dukej që ai ishte shefi.
-Ky qenka kripë fare, vetëm pesëqind e pesëdhjetë dollarë paska me vete! Eh, ç ‘natë tersi kjo e sotmja! – Nga zëri dukej krejt i zhgënjyer.
-Qenka shqiptar! – i tha tjetri, duke i hedhur një vështrim të shpejtë dokumenteve, – Kam njohur disa nga këta, janë varfanjakë, “thes” i grisur, dhe s`di nga t`i kapësh…! Por, edhe me pesëqind e pesëdhjetë dollarë s`jemi fare pa gjë. Këta shqiptarët kanë një fjalë të
urtë, “S`ke pulën, do hash sorrën!”, kështu që, sonte le të kënaqemi me sorrën! – tha ai që mbante paratë në dorë.
Përreth s`shihej e s`dëgjohej këmbë njeriu. Shefi bisedoi diçka me hajdutin tjetër dhe ia kthehu dokumentet viktimës.
-Këto merri, nuk na duhen, por, meqenëse sapo ke dalë nga klinika, po të japim edhe një bakshish, ne i ndihmojmë të varfrit.
-Qenkeni si Robi Hudi! – u tha ai me ironi.
-Merre, or, merre këtë monedhë 50 dollarësh, kurse ironinë dhe përrallat me Robin Hudin tregojua kalamajve. Ne po t`i japim se po na
vjen keq, – i tha hajduti dhe ndërkohë i kërkoi celularin.
-Shpejt, nxirre dhe na i jep!
-Me këtë celular unë do të flas me familjen, ata bëhen merak, ju lutem, ju lutem shumë, s`kam mënyrë tjetër komunikimi.
-Nxire celularin dhe lëri fjalët! – i bërtiti ai që i vinte fryma era qepë, duke vazhduar t`i mbante pistoletën pas koke, – Po s`na i dorëzove celularin, do të t`i marrim përsëri dokumentet dhe pasaportën, kështu që duket se do të të kushtoj shtrenjtë ai celular.
Deshi s`deshi ua dha edhe celularin. Ata e panë markën dhe qeshën me zhurmë.
-Ç`e do këtë celular, – i tha hajduti që i rrinte përballë. Pastaj, duke u zgërdhirë, e shkeli celularin me këpucë disa herë dhe e shkelmoi drejt
një pellgu me ujë që ndodhej pak metra larg tyre.
-Tani, ik ! Nëse hap gojën dhe tregon, ne të gjejmë kudo që të futesh, kudo që të shkosh, s`ka vrimë miu që nuk e dimë! Hajt, vijo rrugën qetësisht sikur s’të ka ndodhur gjë! – Të dy hajdutët i ranë krahëve viktimës, gjoja sikur po përcillnin “një mik” që kishin takuar rastësisht.
Në pakë sekonda ata sikur i përpiu thellësia e natës.
-Po kjo, ç ‘ishte!? – tha ai me vete. Djersët po i thaheshin në trup, kurse po ndiente një dhimbje të mprehtë në cipën e hollë të barkut. Mori
rrugën e kthimit drejt klinikës, teksa ndihej i zhgënjyer dhe i poshtëruar. Më mirë që nuk reagova fizikisht, – tha me vete, – përndryshe mund të më ndodhte më e keqja, për aq para, ata lloje njerëzish mund të më vrisnin dhe pastaj ia mbathin në drejtim… të paditur! Dhe, atëherë, emri im, si i çdo viktime të mjerë, do të përfundonte në një lajm të shkurtër të ndonjë gazete, apo do të përmendej fare pak sekonda në ndonjë radio a televizion dhe…aq. -Eh! – psherëtiu. Ndjente zemërim të thellë për atë fund krejt të papritur, pas asaj gjithçka-je të mirë që i kishte dhënë ai vend i huaj, mjekët dhe ata njerëz miqësorë e bujarë që kishte njohur.
Por zemërimin e kishte edhe me veten, “Ç’mu desh që u futa aq thellë në atë rrugicë pa krye? Doja të blija më lirë dhe më doli shumë më shtrenjtë.
Jo vetëm që s`bleva dot dhuratat që doja për më të dashurit e mi, por edhe rrezikova jetën. Eh, s`ka pyll pa derra, jo! Edhe ky vend i zhvilluar,
me njerëz aq humanë e me bukuri të pasosura, paskësh “derrat” e tij! E pra, derra s`kishte vetëm në vendin nga vinte ai. Mbase ndryshimi ishte që mediat televizive të atij vendi mik nuk i përcillnin te shikuesit gjithë krimet që bëheshin. Mbase e bënin këtë për të mos krijuar pasiguri te turistët e shumtë, që venin e vinin si vizitorë në atë vend të begatë, mbase? Ato çaste, kushedi pse iu kujtua rrëfimi i një refugjati shqiptar, që kishte shkuar për të punuar në një nga vendet fqinje. Në televizionet e atij vendi fqinj, u fol shumë dhe shpesh për një bandë vjedhësish… “shqiptarë”. Te banorët e asaj zone u krijua një atmosferë e rëndë ankthi dhe frike, ndërkohë që policia u vu në ndjekje të asaj bande kriminale e famëkeqe. Aq e rëndë ishte atmosfera e frikës dhe e pasigurisë, saqë çdo refugjat shqiptar shikohej me dyshim, si të ishte pjesëtar i asaj bande të rrezikshme… Pas një jave, gjithçka u sqarua, banda u zbulua, veçse, ndër pjesëtarët e asaj bande s`kishte asnjë shqiptar. Atëherë në lajme u tha se, ata ishin “një grup adoleshentësh” të atij vendi, që, më shumë se nga mania dhe qëllimi për të vjedhur, ishin të ndikuar nga aventurat dhe filmat horror…
U përpoq ta largonte nga vetja atë ankth, ndërkohë që po i merreshin mendtë dhe po i erreshin sytë. U ulë te një stol druri dhe një copë herë ra në një gjendje përgjumjeje.. I bëhej se ndodhej mes një gjeratoreje të turbullt lumi, e cila sikur e vërtiste sa andej-këndej, teksa
hije të zeza venin e vinin përqark tij, zgërdhiheshin, tundnin thika dhe hanxharë në ajër dhe diçka i kërkonin me britma të çjerra dhe ulërima…
Halucinacionet e kishin përfshirë të tërin dhe ai s`po dilte dot nga ajo gjeratore… Befas u përmend dhe, ashtu, mendje turbullt i mbeten sytë
te vezullimi i pareshtur i dritave dhe reklamave… Sikur po qetësohej, po vinte në vete dhe po ndiente një si lehtësim: “E po, ata mund të më
merrnin gjithçka, madje edhe jetën, por, ja, ata, vetëm më grabitën, dokumentet m`i lanë të paprekura, edhe 50 dollarë m`i lanë… Pata fat,
pata fat!, – përsëriste ai me vete, – ata nuk më lënduan, jo, nuk më lënduan, e keqja kaloi…” -Sado neveri, përbuzje dhe urrejtje që kishte
për ata dy hajdutë, kushedi pse, brenda vetes po ndiente një si ndjenjë mëshire, ata s`po i dukeshin dhe aq të këqij, jo, se po të ishin aq të
këqij…
I gjori njeri, përpiqej të gjente një ngushëllim sado të vogël për atë që sapo i kishte ndodhur, të lehtësonte sado pak veten nga poshtërimi, si
të donte të shpëlante ndyrësinë që ata sapo i kishin hedhur përsipër! Në çast e përfshiu përsëri vala e urrejtjes dhe zemërimit: Çfarë, ai po
tregonte anën e dobët të shpirtit të tij, po përpiqej të zbuste veprimin keqbërës të atyre dy vemjeve të pështira? Nga leximet, kushedi pse iu
kujtuan fjalët e Krishtit për ata që po e kryqëzonin: “O Atë, fali se s’dinë ç `bëjnë!” – Pse, – tha ai me vete, – ata hajdutë, nuk e dinin se çfarë po
bënin, kur mu vërsulën aq dhunshëm…? Sa njerëzve të tjerë paqësorë, ata mund t`u ishin vërsulur po aq dhunshëm, madje mund edhe t`u
kishin marrë jetën? Ata i ishin futur një jete parazitare me vetëdije të plotë, duke imituar gjarpërinjtë helmues, që rrinë në heshtje e në përgjim dhe presin viktimat e radhës. A duhej të tregohej ai me shpirt aq të dobët ndaj tyre, vetëm sepse i hodhën si lëmoshë pak para, që edhe ato ishin nga paratë e tij? Jo, jo, ai s`duhej as t`i mëshironte dhe as t`i falte, ata doemos e meritonin ndëshkimin? “Të gjithë derrat, edhe andej, edhe këtej, një turi paskan!” – tha me vete ai, duke u dhënë kështu fund lëkundjeve dhe nxitoi drejt rajonit më të afërt të policisë…