Kadri Tarelli shkruan:“ALIPASHAIDA” – HISTORI E DERDHUR NË VARGJE

Kadri Tarelli shkruan:
” Kolegu i madh i tij, Hajne, vlerëson çuditërisht: “Gëte është Ali Pasha Tepelena i letërsisë gjermane”.
“ALIPASHAIDA” – HISTORI E DERDHUR NË VARGJE
Irakli Koçollari në studimin, “Alipashaida”.

Libri “Alipashaida”, i sjellë së fundi nga studiuesi Irakli Koçollari, është studim i madh në dukje, i rëndë në peshë, por më i shtrenjtë është mendimi, pasi mban mbi shpinë një pjesë të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, të ndodhura, rreth 200 vjet më parë, gjatë “Mbretërimit” të Pashait dhe Vezirit zulmëmadh, Ali Pasha Tepelena.
Magjia dhe kënaqësia e leximit, më shtyu që në krye të vendosja titullin “Alipashaida” – Histori e derdhur në vargje”. Ashtu siç e pagëzoi poeti dhe diplomati Haxhi Shehreti, 220 vjet më parë. Kështu me të njëjtin emër e titullon edhe studiuesi ynë Prof. Dr. Koçollari.
Fantastike! Një histori kaq e shtrirë në kohë, e lavdishme, e gjakosur, e mallkuar, e dënuar, dërmuar e shkatërruar. Njëkohësisht, e vjershëruar mjeshtërisht, e mbështetur tërësisht në ngjarje të jetuara jetësisht dhe shpirtërisht. Ngjarje madhështie, trimërie, burrërie dhe lemerie, që nuk të lenë të hamendësosh, apo të kalosh në frymëzim, siç ndodh me poetët dhe shkrimtarët. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe vetë autori Koçollari, detyrohet të jete i kursyer në rrëfimin e tij. Ai mjaftohet vetëm me kujdesin për t’i lidhur ngjarjet, pa e prishur kuvendin e letrave që flasin vetë, me gjuhën e vargjeve.
Është vetë Haxhi Shehreti, autori i poemës “Alipashaida”, poet dhe bashkëkohanik i asllanit Ali Pasha, shumë pranë me Pashain dhe ngjarjet rreth tij, i përfshirë në lëvizjen letrare e folklorike të kohës, që i ka vendosur këtë emër, e cila përmbledh të gjithë krijimtarinë, lidhur më Vezirin dhe sundimin e tij disa dekada, në
Arbërinë jugore. E them këtë, pasi është një tërësi shkrimtarie, që përfshin të gjitha gjinitë: letërsi, folklor, pikturë, muzikë, dramaturgji, etj. Në këtë mjedis kaq të pasur artistikisht, gjallojnë një sërë poemash edhe nga autorë të tjerë që e rrokin këtë temë, madje siç vë re edhe studiuesi Koçollari, njëra më e bukur se tjetra, por të shpërndara në arkivat, teatrot, galeritë e arteve të Londrës, Parisit, Vjenës, Nju Jorkut, Athinës, apo Stambollit, etj, etj.
Unë nuk pranoj të bëj analizë letrare, për një libër shkencor historik, pavarësisht se edhe ajo ka vlerën dhe rëndësinë e vet. Libri shkencor peshohet nga të rejat që sjell dhe sa të mbështetura janë në dokumente. E vetmja gjë që mund të bëj, është të ndriçoj disa gurë të çmuar, sa për të nxitur kërshërinë, ndërkohë këndonjësi zbulon thesaret.
Libri, në rreth 819 faqe, ka shumë kapituj dhe nën/kapituj. Unë në vështrimin tim e ndaj në dy pjesë:
Pjesa e I-rë. “Arbëria. Trashëgimia kulturore dhe identitare nëpër shekuj”.
Autori, në 130 faqe, e detyron lexuesin të veshë kostumin e kohës, ndryshe nuk mund të kuptojë çka ndodh, aq më pak të shëtisë i qetë në shtigjet e asaj historie të trazuar, që tërhoqi vëmendjen e perandorëve, dijetarëve, poetëve, artistëve më në zë, përfshi edhe politikanë e ushtarakë të etur për lavdi e pushtet. Këtu gjejmë një pasqyrë të plotë të shoqërisë: atë politike, diplomatike, ekonomike, letrare, folklorike, ushtarake, urbanistike, përfshi edhe artet pamore. Pa lënë pas dore edhe lidhjet me botën perëndimore, apo interesin që paraqesin ato ndaj këtij sundimtari, që bëri epokë. Kohë që, siç vëren autori, ka një vlere dhe fuqi hyjnore: “Me gjithë pushtimin për gjatë katër shekujsh robëri osmane……. Ata nuk e pranuan asnjëherë okupatorin lindor gjer në nënshtrim përfundimtar, etj, etj. Pra, në thelb, e gjithë kjo rezistencë fizike, morale dhe shpirtërore kishte qenë shfaqje dhe përpjekje për liri, mbijetesë dhe identitet nacional”. Ajo që më pëlqen dhe dua ta veçoj, janë shkrimet me përshtypjet e udhëtarëve, gazetarëve, poetëve, shkrimtarëve, historianëve, konsujve, ushtarakëve, diplomatëve, që shkelën këto treva ku banojnë shqiptarët, njëkohësisht që u njohën me bëmat e tyre në luftë dhe në përpjekje për t’u mëvetësuar. Po përmend Letrarët: Lord Bajron, Aleksandër Duma, Viktor Hygo, La Martin, Eugen Delakrua, Luis Dypre, etj. Për vetëm dy prej tyre do përmend edhe pak fjalë, pasi në të kundërt do më duhet të mbush faqe të tëra:
1. Ledi Meri Wortlay Montagu. 1717. “Letër, shkruar gjatë udhëtimit në Europë, Azi dhe Afrikë”. Paris 1800. Vol. 1-2, faqe 75. Ajo mbetet udhëtarja e parë, që nanpërcjell imazhet dhe karakteristikat e shqiptarëve, nën Perandorinë Osmane: “Por nga të gjithë besimtarët që ka takuar……. Në territoret e Perandorisë Osmane,  Arnautët (shqiptarët), duket se janë më të veçantët. Ata janë të lindur në arnautllik (Arbëri), Mqedoninë antike, madje ende ruajnë kurajën, guximin, dhe qëndrueshmërinë e dikurshme… Repartet e luftëtarëve mbeten më të mirat e
Perandorisë Turke, dhe e vetmja forcë kontrolluese mbi Jeniçerët. “Unë nuk njoh ndonjë racë tjetër në këtë botë…… që të ketë një opinion kaq modest për aftësitë e veta”. Shkak i krenarisë, prejardhja historike dhe gjeografike, pa harruar edhe personazhet historik, që shërbenin si heronj kombëtar, çka u kujton atyre prejardhjen antike.
2. Armiku i betuar i Ali Pashait. konsulli francez Pukëvil, në veprën “Historia e rilindjes së Greqisë”, shkruan: Veprimtaria e Aliut ishte civilizuese. Ai solli ndryshime në ekonomi, drejtësi, sistemin bujqësor, hapi rrugë të reja për tregtinë. Ai
nuk ishte në asnjë rast demagog”.
Autori prof. Koçollari, diku mjaftohet me faktin, se Ali Pasha urdhëroi që e gjithë administrata të përdorë gjuhën greke.
Si njohës i historisë mund të bëj një pyetje: – “A çmohet ky urdhër si një dhuratë e artë, dhënë veprimtareve helenë, që mbushnin oborrin e
pashallëkut….? Ata që s’kishin komb, por kishin Kishë dhe gjuhë të shkruar….. dhe përpiqen të bëhen komb?”. Nuk e besoj…….!
Më poshtë po bëj edhe një pyetje tjetër, por që si njohësi i historisë nuk më lejohet, pasi historia nuk bëhet me “Sikur…..”, ndërsa si lexues mund të them e të fantazoj: – Po sikur Ali Pashai të urdhëronte që në themel të shkollave dhe administratës të vendoste përdorimin e gjuhës shqipe…..!?”. Jam i bindur se poema “Alipashaida” e Haxhi Shehretit do të këndonte shqip, dhe Arbëria jugore do të shkruante, këndonte, lexonte dhe vallëzonte shqip.
Ndërsa pjesa e dytë, ka tjetër ngjyrë:
Lexuesi e ndjen se pjesa kryesore e librit i kushtohet veprimtarisë letrare, ku në qendër është poema “Alipashaida”. Është një gjetje e goditur ky emërtim, që s’ le mëdyshje mbi shkallën e lartë të dijes dhe kulturës së poetit dhe diplomatit delvinjot, Haxhi Shehreti.
Nëse dikush guxon të mendojë: – A është e mundur që të lulëzojë një poemë e tillë, pa një klimë të begatë për kulturën dhe krijimtarinë letrare…!? Përgjigja është e thjeshtë: Mjaftojnë vetëm këto pak radhë, thënë rreth 160 vjet më parë: “Aq e madhe ishte krijimtaria poetike, sa Alfons dë Lamartine në një letër drejtuar Jeronim De Radës, 1844, shkruan: “Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe duhet të kthehet aty”…… Këngët popullore kushtuar Skënderbeut, të kujtojnë këngët homerike, shumë më mirë se këngët e plogështa të Greqisë moderne”.
Në këto kushte Prof. ynë i nderuar, shprehet: “Alipashaida”, mbetet dëshmia më e ngacmuese në Arbërinë jugore, nën qeverisjen e Ali Pashait, ndoshta e para e këtij lloji në dokumentacionin historik dhe letrar të Shqipërisë”.
Në disa njoftime ka të dhëna interesante, që lidhen me pengesat e studimit dhe botimit të literaturës që u prodhua gjatë asaj kohe: Historiani britanik Finley, na rrëfen: “Poema dhe këngë, sikundër letrat dhe llogaritë u shkruan në gjuhën greke… Fatkeqësisht asnjë nga koleksionet e këngëve dhe poemave të myslymanëve shqiptar nuk u botuan”. Dhe unë si shumë të tjerë lexues pyes: Pse, Pse….????
Po sa poema apo krijime kanë humbur, sa kanë mundur të shpëtojnë,….?
Autori Koçollari, shkruan: Ne nuk e dimë ç’mund të kenë fondet arkivore Greke, Turke apo më gjerë, Evropiane. Është një merak i studiuesit tonë, lidhur me kërkimet arkivore, pa bërë pyetjen: “Kush” dhe “Kur”!?
Unë nuk e di si tingëllojnë në greqisht vargjet e kësaj poeme, por Prof. Koçollari na rrëfen, se: “Poema u pëlqye shumë, aq sa, me urdhër të Pashait, të botohej në një nga shtypshkronjat më të mira të Vjenës”. Besoj se kaq fjalë mjaftojnë për forcën letrare dhe unë e besoj, sepse edhe në përkthimin shqip ndjehet një vargëzim i nivelit të lartë. Vargjet 16 rrokje jo vetëm lejojnë shprehjen e plotë të mendimit, por muzikaliteti i tyre të le pa frymë. Formë vjershërimi, që dekada më pas, u përdor mrekullisht nga Naim Frashëri, në poemën “Bagëti e Bujqësi”.
Përkthyesi meriton një mirënjohje të madhe, pasi vërehet se edhe ai vetë ka shpirt poeti.  Koloneli anglez William Martin lik, na thotë: “Ky krijim prej të cilit arrita të siguroj një kopje, në dorëshkrim përbëhet nga 4500 vargje…….”. Bëhet fjalë për vitin 1803, sepse poema u pasurua edhe për 20 vjet të tjerë, kur “Lisi i Janinës” u pre.
Ndërsa vite më pas armiqtë e kombit shqiptar, u munduan t’i shkulin edhe rrënjët shqiptarizmit. Koloneli, i kushton një analizë të hollësishme, harxhon rreth 40 faqe letër.
. Edhe ndaj botimit në përmbledhjen e autorit grek Kostandin Satha, 1870, asnjë vëmendje, analizë apo kritikë, studim apo studiues nuk u mor kurrë me të. Pyetje pa përgjigje: Pse kjo heshtje ndaj këtij krijimi……??
Në faqe 79. Studiuesi ynë shprehet: ”Imagjinoni si do të konsiderohej në letërsinë greke, Shehreti, nëse ai do të ishte i krishter dhe do të lëvdonte betejat e Suliotëve kundër Ali Pashait”. Një poemë në 10 000 vargje, është shkruar në vitet 1800-1822, do të mbetej origjinale, unike dhe pa një të dytë në llojin e saj. Unë si lexues i jap krahë imagjinatës, duke u shprehur: “Poema e ardhur nga antikiteti, “Iliada dhe Odisea” do të mbetej në hije, përballë poemës “Alipashaida”.
Shembujt të tjerë nuk mungojë, në pasurimin e letrave dhe poezisë:
Sali Pasha, djali i tretë i Ali Pashait, autor i një tjetër poeme me vlera të larta letrare.
Historiani grek Spiro P. Arvantion, sjell vargje të panjohura nga poema Alipashaida, në librin me dy vëllime, “Historia e Ali Pashë Tepelenës”. Botuar më 1895, në Athinë.
Emile Legrand. Publikon “Vaje për Ali Tepelenën. Pasha i Janinës”. Ai shkruan: “Në këndvështrimin tonë, është më se e denjë për t’u konsideruar, simboli i veprave më të shënuara të letërsisë neohelenike”.
Sa për folklorin, duhen volume që të përmblidhet e gjithë krijimtaria folklorike e asaj periudhe. Autori me keqardhje vëren: “Kjo pasuri (folklori grek i këtyre dekadave), nuk është përkthyer në shqip. Ajo është një thesar me vlera të mëdha për historinë tonë”.
Në përfundimi po citoj pak fjalë të shkruara nga autori: “Është viti 1998, që “Alipashaida” të përkthehej nga ne dhe të vinte në shqip, nën titullin, “Alipashaida e Haxhi Shehretit”. Më pas shton: – Ai ishte krijues unik në radhën e letrave të shqipes, me vlera letrare, historike, gjeografike, folklorike, qytetare, etnografike, ekonomike, ushtarake, diplomatike, etj”. faqe 81. “Alipashaida” meriton lëvdata maksimale si vepër letrare, pa mohuar kronikën historike, madje për të thënë se shumë ngjarje të kohës, i hasim vetëm në këtë poemë”.
Për kënaqësi, në fund po sjell vetëm gjashtë vargje:

………………….
Unë, Haxhi Shehreti shkrova tërë këto vargje në radhë,
Nëpër xhepa ende mbaj qindra, mijëra që s’janë parë.
……………….
“Këto shkruaj për Ali Pashanë, prijësin tonë bëma shumë,
Që nuk reshti në përpjekje, gjersa Suli ndali frymë.
…………………
Jam Haxhi Shehreti unë, mbeç i varfër nga pasioni,
Është Delvina vendi imë, thashë dhe emrin ta mësoni.
…………………………………
Dikush mund të mendojë se figura e Ali Pashait, po lëvdohet ca si tepër. Në këtë poemë janë ngjizur dy mendime që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Mjafton të vini re këtë perifrazim: “Ali Pashai ishte një njeri i mbuluar me aureola lavdie, por edhe me mallkime. I ndriçuar, vezulluar, por edhe i nëmur, i mallkuar dhe përbuzur, madje gjer përtej kufijve të dhimbjes…..”.
Nuk mund ta mbyll shkrimin pa thënë edhe dy fjalë mirëkuptimi:
Ndërkohë mund të shtoj: Dr. Irakli Koçollari është njohësi dhe studiuesi më i mirë e historisë së Ali Pashait tonë.
Urime dhe mirënjohje i nderuar Prof. Dr. Irakli Koçollari, që na solle librin “Alipashaida”, duke i ngritur letrave shqipe një përmendore të lartë dhe të artë.
Kadri Tarelli
Mes pranvere, 2026