Nga Gladiola Jorbus: Borås-i, kryeqendra e poezisë për dy ditë

Nga Gladiola Jorbus

Borås-i, kryeqendra e poezisë për dy ditë:

Festivali XV Ndërkombëtar i Poezisë “Sofra Poetike Borås 2026” Qyteti suedez Borås u shndërrua për dy ditë me radhë në një vatër të artit dhe kulturës ndërkombëtare, teksa më 18–19 prill u mbajt edicioni i XV i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Sofra Poetike Borås 2026”. Nën organizimin e Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, festivali mblodhi dhjetëra poetë, shkrimtarë dhe artistë nga Suedia, Kosova, Shqipëria, Norvegjia, Finlanda, Bullgaria, Mali i Zi dhe vende të tjera të Evropës, duke dëshmuar edhe një herë rolin e diasporës shqiptare në promovimin e kulturës dhe letërsisë. Ceremonia e hapjes u shoqërua me interpretimin muzikor të artistes finlandeze Meri Gerhard, e cila solli tingujt e instrumentit tradicional kantele, duke krijuar një atmosferë solemne dhe të veçantë. Programi vijoi me recitalin “Luli i vocërr”, i përgatitur nga mësuesja dhe anëtarja e shoqatës Qerime Gurguri, ndërsa përshëndetjet u mbajtën në gjuhën shqipe, suedisht dhe anglisht, në respekt të karakterit ndërkombëtar të festivalit. Drejtuesit e QKSH “Migjeni”, Rizah Sheqiri dhe Gladiola Busulla, shpallën hapjen zyrtare të edicionit, ndërsa përfaqësuesja e Folkhögskolan Borås, Camilla Carlsson, prezantoi bashkëpunimin institucional dhe mbështetjen e ofruar për këtë veprimtari. Promotori dhe lokomotiva e këtij festivali, i cili tashmë shtrihet në më shumë se një dekadë e gjysmë punë të pandërprerë, ka qenë dhe mbetet poeti e përkthyesi Sokol Demaku. Me përkushtimin e tij të vazhdueshëm, energjinë organizative dhe vizionin e qartë, kjo nismë jo vetëm që është mbajtur gjallë, por është sendërtuar në një traditë të qëndrueshme dhe të respektuar. Gjatë festivalit u ndanë disa çmime dhe mirënjohje. Çmimi “Pena e Artë e Migjenit 2026” iu akordua poetes së talentuar shqiptare Gabriela Mujaj dhe poetit suedez Henrik Mimmersson, në vlerësim të krijimtarisë së tyre të spikatur dhe kontributit në letërsinë bashkëkohore. Gabriela Mujaj, e cilësuar si një zë i fuqishëm i gegërishtes, një talent që i madhi Visar Zhiti e ka pagëzuar ‘Martin Camaj me fustan’, shkëlqeu me një elegancë të veçantë në krijimtarinë dhe paraqitjen e saj. “Plaketa e Artë për Kulturë” iu dha znj. Besnike Alija nga Prizreni, për angazhimin e saj të vazhdueshëm në promovimin e kulturës, artit, vlerave humane dhe suksesit si sipërmarrësee afirmuar. Mirënjohje të veçanta iu ndanë edhe një grupi poetësh nga vende të ndryshme, të cilët kanë kontribuar në zgjerimin e shtrirjes ndërkombëtare të festivalit. Po ashtu, u vlerësuan personalitete që kanë mbështetur punën e QKSH “Migjeni”, përfshirë Kryetarin e Bashkisë Borås, z. Ulf Olsson, drejtoreshën e Folkhögskolan Borås, znj. Camilla Karlsson, dhe znj. Michelle Helander, organizatore e aktiviteteve kulturore në qytet. Pjesa e dytë e festivalit iu kushtua leximit të poezive, ku secili poet pati në dispozicion pesë minuta për të prezantuar krijimtarinë e tij. Në skenë u paraqitën autorë nga kultura dhe gjuhë të ndryshme, duke krijuar një mozaik të pasur poetik dhe duke dëshmuar fuqinë e artit për të bashkuar njerëz e tradita të ndryshme. Një moment i rëndësishëm i aktivitetit ishte promovimi i Antologjisë Poetike të SHKSH “Migjeni”, një botim unik që përfshin një gjeografi poetësh në 142 gjuhë, me pjesëmarrjen e shumë prej autorëve të përfshirë në këtë vepër. Në përmbyllje erdhi urimi tradicional për vazhdimësinë e kësaj veprimtarie kulturore: “Mirupafshim në Festivalin e XVI Ndërkombëtar të Poezisë – Borås 2027!” Festivali u mbyll nga organizatorët të cilët falënderuan pjesëmarrësit dhe i ftuan në promovimin e librave të 15 autorëve të ndryshëm, aktivitet që do të mbahej të nesërmen në Medborgarskolan dhe që u shndërrua në një festë të vërtetë të librit, me diskutime, lexime dhe një atmosferë të ngrohtë mes krijuesve dhe dashamirësve të letërsisë. Aty autorët patën rastin të prezantonin veprat e tyre dhe të ndërvepronin drejtpërdrejt me publikun. Ky bashkërrugëtim kulturor dëshmoi edhe një herë se sa e gjallë dhe e fuqishme mbetet krijimtaria shqipe në diasporë. Me energjinë dhe entuziazmin e pjesëmarrësve, festivali vulosi një kapitull të suksesshëm dhe çeli horizonte të reja për veprimtaritë e ardhshme letrare.