Mbrëmje poetike me Spahija Lumturie

Spahija Lumturie

Zani jem blu!

Po vjen prandvera…
Zogjtë shtegtarë vijnë
marrin zanin tem t’ngelun në gjoks!
Ejani trumbcakë ,
pulëmbardha ,
gardelina…
merreni zanin tem
në fluturimin tuej të lirë!
Merreni zanin tem
E Kndoni në gjuhën tuej
në degë pemësh,
ballkone pallatesh,
parmaze dritaresh!…

Kndoni fort
me zanin tem të bukur,
Zanin tem blu!

Zani jem fluturon me ju!
Kndoni e ciceroni larg meje
Zani jem blu asht rob-rebel
Në gjoksin tem t’lënduem !

Dashuria në çmenduri!

Edhe kyt vit San Valentino
Nuk doli nga spitali
As i lirë as me leje!
I sëmurë mendor,
Vardiset në korridore
me nji buqetë lulesh në dorë!
Reciton poezi të vjetra:
-Unë jam dashuria!

Seancë me psikologen!

Vizaton dyer
zemrash të çuditshme :
Drurit!
Hekurit!
Aluminit!
Kashtet!
Textile!
Gjysëm të hapura!
Gjysëm të mbyllura!

Në dyer shkruan emra njerëzish
që s’kuptohen në asnji gjuhë!
Vizaton:
Lule!
Lule!
Lule!

– Kush je ti? -pyet psikologia
-Nga vjen?
-Nga nji botë ku dashuria
nuk ka kufij!
– Po emrin si e ke?
– San Valentino!
– Dhe kë po pret me keto lule në dorë?
-Atë që më thirri!
Që më shkroi letra dikur
para se të harrohej dashuria !

Perkul kryet mbi lule e peshpërinë :
-Unë jam!
Unë s’jam!
Unë jam!
Unë s’jam!
Dashuria!

I PUTHA QYTETET E BOTËS ME SY

I putha qytetet e botës me sy,
ato më shikojshin thellë në sy:
lumejn, male, fusha, kodra…
Lundroja , andrroja e dashunoja —
Shkodrën teme!

Larg saj, me nji trastë mbi shpinë,
nëpër rrugët e botës —
plot poezi, kangë, hare, kreni…
Qytetet i putha me sy —
Shkodrën me zemër!

Jam mrekullisht gjallë.
Prej largut ndij zhurmën e kalldrêmeve,
ndalem, i baj begenë Rozafës,
e pyes për fëminë e saj të njomë:
— A po rritet, i mirë, i fortë?
Krajli ynë i Shkodrës!

I putha me sy qytetet,
por s’i lashë me m’puthë.
U thashë:
“Ndoshta në nji jetë tjetër…
Se sod s’mundem,
ndoshta as nesër —
se vazhdoj me e dashtë marrëzisht
Shkodrën,
e ajo s’don me u nda prej zemrës
kur shoh me sy qytetet tjera të botës!”