Me poetin Aldo Gj. Plepi

Diptik

Kërkova për një fjalë,
që dy anshmëri shpreh por me zor e gjeta.
Letërsia më pëlqen,
por Gjuha Shqipe është e larmishme.
Si një medalje qenka jeta,
çdo gjë me nga dy realitete.
Edhe njerëzit të paqëndrueshëm.
Ekziston e mira dhe e keqja,
e bardha dhe e zeza,
diku një njeri i percaktuar për Zotin tha.
Në njeriun banokan Engjëlli dhe Djalli,
rrezikojmë, o Zot, të biem në hipokrizi:
Ti na ruaj!
Gjeta fjalën diptik, dhe si në një pergamenë
realitetin e jetës sonë dua ta përshkruaj,
në pergamenën e jetës sonë,
u bëftë që vetëm vepra të mira të shkruajmë…

Endje

Si njeriu i Zotit që shpreh
u enda poshtë lart e poshtë porsi delja e humbur.
Edhe unë, o Zot, mund të them:
Jam në kërkim, në lëvizje…
Kërkoj, gjej, nuk më mjafton, humbas.
Prapë vihem në ecje, këmbët më hasin pengesa.
Rrëzohem, rri i shtrirë , një dorë më ngre përsëri.
Prapë vihem në kërkim.
Edhe një personazh historiko-mitik Odiseja,
thuhet se ishte në kërkim.
Disa herë ne ecje në kërkim edhe unë përsëris,
u enda poshtë e lart,
por një gjë më lumturon,
se Bariu i mirë gjithmonë i mballon delet e veta.
Më mballo gjithmonë, o Zoti im,
dhe Bariu i im i mirë, Jezus!

 

Ndjesi

Është e shkruar diku se një fytyrë e trishtuar,
tregon praninë e një zemre të mirë.
Thonë edhe se një fytyrë e hareshme gëzon zemra,
di se njerëzit e sinqertë, janë më të nëpërkëmburit,
fatin e një të zgjedhuri i Tejetlarti e merr në duar,
atë e shfajëson dhe e drejton.
Dhimbja kthehet në forcë thonë,
dhimbjen askush nuk e do,
sepse ajo mundon.
Çdonjëri paplotësinë e ka në zemër,
dhe kjo kthehet në dhimbje:
Dikush e mbulon, dikush e maskon,
një tjetër e mënjanon:
Unë jam nga ata që përballen
me dhimbjen, frikën dhe realitetin.
Është një Njeri dhe Zot, që u kryqëzua në një Kryq,
që nga këto boshësi jete të na lironte.
Me Kryqin e tij na dha jetë.

O Zot më ndriço!

O Zot, nganjëherë më duket sikur je larg,
nganjëherë në ngushtim, jam si në shkreti.
Nganjëherë kërkoj:
Ku jam?
Ku janë historitë? Miqtë? Koha?
Një ditë një shprehje në mendje m’u fiksua
dhe po pyesja…
Një shprehje në gjermanisht më ndriçoi:
“Got ist Zeit” ˗ “Zoti ështe kohë”.
Po, Ti je koha më e bukur, o Zot,
më e plotë
dhe me një mik dola, e gjatë asaj kohe meditova
dhe u ndjeva pafundësisht i lumtur për Veprën tënde,
në mua dhe në mbarë botën.
Ndriço mua dhe ata që të kërkojnë, o Atë…!
(Ndriço edhe në zemrat e verbëra!)