Bujar AGALLIU:Viron Kona dhe libri i tij “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”

Bujar AGALLIU

 Redaktor i librit

                                 Viron Kona dhe libri i tij “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”

Sapo ka dalë libri më i ri për fëmijë i shkrimtarit të njohur Viron Kona, i titulluar “Kolipoçi shkon urgjent në bashki!” Me këtë personazh tërheqës dhe me aventurat e tij fëmijërore, lexuesi i vogël është njohur fillimisht te libri “Kolipoçi,  ngrënësi i qershive”, kurse në këtë libër, pra, “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”, vijojnë  aventura të tjera tërheqëse të  këtij vogëlushi:

       -Ku po shkon me kaq nxitim, o Kolipoç?

       -Në bashki.

       -Ç ‘punë ke ti në bashki?

       -Kam një problem urgjent, vetëm kryetari i  bashkisë mund të ma zgjidhë!

        Kalimtarët dëgjonin dhe nënqeshnin. Kolipoçi njihej në qytet si një ngrënës i madh qershish, apo ashtu i kishte dalë nami, por ata s’mund ta merrnin me mend se ç ‘problem urgjent mund të kishte ai me kryetarin e bashkisë në atë ditë të nxehtë vere!

       Ndërsa Kolipoçi vijonte të ecte serbes drejt bashkisë, njerëzve u tërhiqte vëmendjen edhe një çantë shumë e madhe, që vogëlushi e mbante me vështirësi. -Çfarë do të ketë brenda asaj çante?! – pyesnin ata njëri-tjetrin të habitur…

Shkrimtari Kona e njeh mirë botën e fëmijëve dhe di t`i tërheq ata si me magji drejt mesazheve kryesore të tregimeve. Ai, me përvojën që ka, njeh mirë edhe zyrat dhe administratën e shtetit,  ndaj, artistikisht krijon situata të këndshme e me humor, ku “përplaset” këmbëngulja e Kolipoçit për të takuar kryetarin,   me pengesat që i sjellë atij, fillimisht roja te dera e jashtme e bashkisë, i vetëquajturi  Barbaxhan. Përballë atij njeriu, Kolipoçi tregon qetësi dhe zgjuarsi, tregon edhe respekt për rojën, por edhe i përgjigjet me mençuri dhe me dinjitet kur ai e bullizon…

Kolipoçi arrin të hyjë në bashki dhe në katin e parë takohet rastësisht me Dallëndyshen, specialisten e artit, e cila është dashamirëse dhe e qeshur. Ata të dy, duke folur për librat dhe vlerat e tyre, vënë në dukje se libri është lënë pas dore. “-Kioska që dikur  ishte librari, është shndërruar në qebaptore dhe kafene…” – i thotë Kolipoçi specialistes së artit. “-Shumë të rinj dhe të rritur, – i thotë ajo,- dinë të gjithë llojet e lokaleve, emrat e tyre të çuditshëm, por vetëm ndonjë qytetar i rrallë e di se ku ndodhet libraria…” Nga biseda e Kolipoçit me specialisten e artit, lexuesi mëson se “librat” janë mbyllur me kyçe të mëdhenj në disa kioska të vjetra, atje, ata janë të zhubrosur nga lagështia, ndërsa mjaft libra të përdorur, por edhe të rinj, i shikon më shpesh në trotuare, duke pritur të blihen nga kalimtarë që kalojnë indiferentë ndaj tyre… Ndërkaq, mbetet në mendje të lexuesit episodi te hyrja e një shkolle ku, një shitës farash luledielli, çdo mëngjes e sillte kazanin e madh të mbushur plot e përplot me fara dhe, kur mbaronte mësimi, kazani është krejt  i boshatisur. Nxënësit përtypin gjithë ditën fara luledielli…në vend që të “përtypin” libra. Po aq interesant dhe tërheqës është veprimi i mençur i Kolipoçit dhe fëmijëve të tjerë, për të rigjallëruar zakonin e vjetër, që praktikohej dikur për Ditën e Librit:

        “-Ne, – i tha Kolipoçi specialistes së artit, – së bashku me Bubulinon dhe të tjerë kemi vendosur që ta rigjallërojmë zakonin që, në Ditën Botërore të Librit, të shkojmë pranë librarisë së madhe të qytetit dhe, cilitdo që blen një libër, t’i dhurojmë një trëndafil. Mezi po e presim që të vijë ajo ditë…”

Kësisoj, si pa kuptuar fëmijët mësojnë se Dita Botërore e Librit është caktuar më 23 prill të çdo viti,  pasi  400 vjet më parë, më 23 prill 1616, u ndanë nga jeta shkrimtarët e mëdhenj Shekspir, Servantes dhe De la Vega. Fëmijët mësojnë gjithashtu se ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka origjinën në zonën e Katalonjës, në Spanjë, madje atje ishte zakoni që, atij që blinte një libër, i dhurohej një trëndafil. Këtë zakon ata do ta bëjnë edhe në Ditën e Librit për Fëmijë, që festohet çdo vit më 2 prill (në këtë datë është ditëlindja e shkrimtarit të shquar danez për fëmijë, Andersen).

Në vazhdim, në katin e dytë të bashkisë, pas një keqkuptimit me punonjësen e  pastrimit të bashkisë, shfaqet një nëpunës i rreptë administrate, i cili kërkon ta pengojë Kolipoçin që të hyjë te zyra e kryetarit. Kolpoçi përfshihet në debat me nëpunësin burokrat. Episodet dhe dialogët që fshehin një humor të brendshëm shoqërojnë bisedën mes atyre të dyve. Më në fund, ishte zotësia e vogëlushit që e bënë të ndërroj mendim zyrtarin burokrat:

        Kolipoçi e pyeti:

       –Po ti zotëri, nuk ke qenë asnjëherë i vogël?

       -Sigurisht, unë s`kam lindur burrë  i madh!

       -E po, kur ti ishe i vogël, kështu do të doje të silleshin të rriturit me ty!? Unë besoj që kur ke qenë fëmijë, dikush s’i ka dëgjuar kërkesat e tua për të luajtur e për t`u argëtuar, apo jo? Dikush me siguri atëherë të ka thënë: “Qepe gojën dhe mos bëj fjalë! Ne kemi halle të mëdha, po na nxjerr koka tym, kurse ty të është bërë mendja fushë futbolli dhe top!” Më thuaj të drejtën, të ka ndodhur ndonjëherë ndonjë gjë e tillë?”

Atëherë nëpunësi burokrat i kthehet kujtimeve të tij të fëmijërisë…Çdo njeri ka kujtime nga fëmijëria… Më në fund  ai i thotë vogëlushit: -“Ma fitove zemrën, Kolipoç!” Pas kësaj ai e ndihmon vogëlushin që të shkojë te zyra e kryetarit.                                       

Kryetari i bashkisë e mirëpret vogëlushin dhe mes tyre zhvillohet një bisedë e këndshme, por edhe situata të bukura, dialogë që përcjellin mençurinë e Kolipoçit dhe mirëkuptimin e kryetarit. Ai befasohet me zgjuarsinë e fëmijëve, por dhe ndihmën që ata japin për mbajtjen pastër të qytetit, si dhe në mbjelljen e pemëve për zbukurim dhe për pastrimin e ajrit nga ndotja dhe nga gazrat… Aty  Kolipoci zbulon qëllimin e ardhjes së tij në bashki: Kompania e ndërtimit “Qiellorja” kërkon t`u zërë fëmijëve të lagjes “Pranvera” fushën e tyre të lojërave, duke ngritur atje një qiellgërvishtës. Kësisoj fëmijët  e lagjes “Pranvera” kanë shkruar dhjetëra letra, që Kolipoçi i ka futur në çantën e tij të madhe. Fëmijët duan që kryetari i bashkisë t`i lexojë letrat e tyre…

Pasi njihet me kërkesat e fëmijëve, kryetari bashkëbisedon me zyrën e projektimeve të bashkisë dhe bashkërisht vendosin që “qiellgërvishtësi” të ngrihet në një  vend tjetër, kurse atje ku ishte fusha e fëmijëve, të ngrihet një park i madh sportiv… Gjatë bisedës, kryetari bashkëbisedon me Kolipoçin edhe rreth disa vizatimeve të thjeshta artistike të fëmijëve, ku ata qortojnë edhe zakonin për përdorimin e tepruar të celularit…Autori nënvizon se celulari ka  vlerat  e  tij për fëmijët dhe të gjithë njerëzit, por ai vë në dukje se edhe libri ka vendin  e  vetë dhe nuk duhet të ndihet i braktisur.

Si redaktor i librit, e vlerësoj artin e kujdesshëm të tregimit nga zoti Kona, portretizimin e karaktereve, mesazhet mbresëlënëse që libri përcjellë si dhe faktin që lexuesi duhet doemos të njohë dhe të respektojë të drejtat e fëmijëve. Interesant është edhe përmendja nga autori i shkrimtarit të njohur Xhek London, i cili thotë: “Nëse ju nuk do të gjeni kohë të lexoni e të studioni, atëherë edhe bota nuk do të gjejë kohë t`ju vërë veshin dhe t`ju dëgjojë”.

Libri “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”, në 100 faqet e tij, krahas bukurisë artistike dhe pasqyrimit të disa probleme bashkëkohore që kanë të bëjnë me edukimin e mirë të fëmijëve, i argëton lexuesit e vegjël, nxit tek ata dëshirën për leximin e librit, si dhe përcjellë te prindërit, te shoqëria dhe tek autoritetet shtetërore mesazhe mbresëlënëse.

Urime dhe falënderime autorit Viron Kona për këtë libër plot mbresa, mesazhe dhe emocione!