Nga Albert HABAZAJ:MIRËNJOHJA SI VIRTYT NJERËZOR DHE INSTITUCION MORAL

MIRËNJOHJA SI VIRTYT NJERËZOR DHE INSTITUCION MORAL
Nga Albert HABAZAJ
1. VLERËSIMI I SHOQËRISË
Nuk po rrëfej çfarë folën zonjat Eloina Tozaj, Eva Çipi, Zamira Agalliu dhe zotni Gani Rroshi, në ditën e vlerësimit tim shoqëror, sepse ishin fjalë të shkëlqyera, shumë, por unë i marr me rezerva, se s’i ngre dot. Unë thashë këto fjalë:
…Më bëtë me djersë Eva dhe Lona…Më bëtë të skuqem… Ku jam mësuar unë me këto. Pastaj, tani unë jam pensionist…
Trupi im është i brishtë të mbajë gjithë ato fjalë të mëdha, gjithë ato nderime të mëdha. U jam mirënjohës zonja Suzana Rama Numani (ndërkohë dhe vajza e mikut tim), zotni Gani Rroshi, zonja Eva Çipi, profesoreshë e nderuar, gur i çmuar i Universitetit, bashkë me zonjën
Eloina Tozaj Çipi! Mirënjohje pa kufi! U përulem… U përulem me shpirt. Unë nuk i kam qejf këto dekoratat, jam sinqerisht… Eqeremi, Ruzhdiu i dinë mirë këto gjëra. Dhe Zamira. Por ardhka një çast, që të "ngacmokan" njerëzit e mirë. Megjithatë, unë prapë do të
kujtoj thënien e artë, mallkimin e shkodranit, që duhet të jetë në qendër të vëmendjes për të gjithë ne, misionarët, ambasadorët e paqes, ata njerëz që përçojnë tek të tjerët mirësi, paqe, dinjitet.
Shkodrani thotë: Me t`hy vedi n`qef;
Nga kjo ne duhet të ruhemi në jetë të jetëve, sa të kemi frymë dhe tua transmetojmë brezave. Do të më falni për këtë figurën (pamjen e fytyrës) jo shumë simetrike, por në kurrizin e 65 viteve kam udhëtuar në këmbë, dhe kur koha më ka qëlluar me furtunë, dhe kur ajo më ka ndriçuar me diell, sepse, po s'qemë në këmbë, me dinjitet dhe faqebardhë kot që rrojmë. Stafetën e traditës e kam mbajtur me nder, e përçoj dhe dua t'jua lë brezave. Si unë, edhe ju më mirë se unë, apo dhe si unë xhanëm jo keq.
Është familja e para. Detyrat shtetërore mendoj se i kam bërë mirë. Dhe ato shoqërore, po ashtu mirë. Detyrat familjare, që janë të parat dhe të fundit, sepse në familje lind dhe perëndon jeta, për të rilindur në ciklin e saj.
Janë drita, dielli, hëna. Janë në jetë të jetëve. Edhe dy gjëra që në këtë jetë, deri tani, që do të riciklohet, siç e tha dhe Zamira, kam bërë, çfarë
kam bërë…
– Një krenari që më mbush me dinjitet vetiak është HIMNI I UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI” VLORË, në 30-vjetorin e themelimit të tij. Dhe për këtë realizim, Eloinën, që ishte anëtare e komisionit në të dhjetëshet, në të dy 10-shet, e falënderoj për këmbënguljen, se kështu
ishin…
– Po ashtu, një nga vlerat e rrënjës sime është grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, që është jo vetëm për vendlindjen time, jo vetëm për gratë, vajzat, nënat, mbesat, bijat, nuset tërbaçiote, por për mbarë femrën vlonjate, labe, shqiptare, sepse ende shoqëria jonë është shkëmbore e thepisur. Dhe një herë dua të kujtoj thënien e Emanuel Kantit: “Mosmirënjohja është kuitensenca e poshtërsisë”.
Mirënjohja është virtyt njerëzor.
U falem!…
2. MESAZHE ME DRITË

Ju që vlerësoni mua [Federata e Paqes Universale] si Ambasador i Paqes me çertifikatën: “MIRËNJOHJE” (me rastin e daljes në pension) "Për kontributin e dhënë si studiues, bibliograf, poet, shkrimtar dhe recensues; si drejtor i Bibliotekës Shkencore "Nermin Vlora
Falaschi" pranë Universitetit “Ismail Qemali” dhe si kryetar i Shoqërisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë” – zonja Eva Çipi, Kryetare e Këshillit Rajonal të Paqes Vlorë dhe z. Gani Rroshi, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Paqes Universale – qofshi të bekuar nga Ylli i Mirësisë që shndrit Yjësinë e Paqes Universale, se ne misionarë drite jemi, se familja është shkolla e dashurisë dhe paqes, se standardi më i lartë i të jetuarit është jeta për hir të tjetrit. Mesazhin tim për ju, në këtë ditë të veçantë të 4 Korrikut 2025 për mua, aq më tepër në këto kushte që jam, po e thur me këtë vjershëz të vogël, thurur me dashuri të madhe dhe mirënjohje të thellë:
Kur grindemi bëhemi pak
Kur duhemi bëhemi shumë,
Dyshoj e nuk jam i bindur në fakt
Si reflektojmë sot ti dhe unë…
Le ti harrojmë ankesat gri, motra e vëllezër
Të dashurojmë të nesërmen çdo ditë,
Ngaqë kemi nevojë të ndihemi njerëz
Shkula zemrën, lart e ngrita, bëra dritë!…
*) Ky ishte “fjalimi” im, që fola me gojë atë mbrëmje të këtij 4 korriku që iku, aq e veçantë, vlerësuese dhe e çmuar për mua. Nuk mbajta atë që kisha përgatitur me letër. Nuk më pëlqeu ashtu. Kisha shumë emocione. Shumë. Dhe një herë faleminderit Eva, Lona, Gani e Zana! Faleminderit Zamira Zamira Agalliu, Eqerem Canaj, Ruzhdi Bajrami, Anila Toto, Hava Mucaj, Genc Demiraj, Sokol Toto,
Artan Islami, Veneranda Billa, Vera Zaho, Lela Qejvani, Kreshnik Çipi, të gjithëve ju, misionarë mirësie, u falënderoj nga zemra.
Patjetër kunatën time Aurela Abazaj dhe, të parën dhe të fundit Mejon, Meme Ribaj Habazaj – familja ime. Plotmëria.
Mirënjohje të gjithmonshme!… Ju falem!..
Ujë i Ftohtë, Vlorë, e premte, 4 Korrik 2025