Cikël me poezi nga Emine S. Hoti
E DUA ME SHPIRT KOMBIN TIM
E dua me shpirt kombin tim,
dua për të paqe dhe begati,
është amaneti i dëshmorëve,
që dhanë jetën për liri!
E dua me shpirt kombin tim,
ndër kombet e lashtë në botë,
margaritar i zemrave tona,
vendi i shqipeve që duam fort!
E dua me shpirt kombin tim,
është më i rralli në planet,
gjuha dhe bijtë e tij legjendarë,
më bëjnë krenare për jetë!
E dua me shpirt kombin tim,
historinë e tij të lavdishme,
nderoj dëshmorët e tij,
traditat e bukura fisnike.
E dua me shpirt kombin tim,
do ta dua atë sa të jetë jeta,
është zemra dhe shpirti im,
është atdheu, liria, e vërteta!
SHQIPTARISHT
Na bashkon në këtë tokë gjuha dhe flamuri,
na bashkon atdheu, historia, të parët tanë,
na bashkojnë legjendat dhe hyjneshat tona,
na bashkon vendlindja jonë e zjarrtë.
Unë jam shqiptare nga Kosova a Shqipëria,
ti nga Maqedonia e veriut, Mali i Zi, Presheva,
ja edhe shqiptari e shqiptarja nga Çamëria,
atdheu ynë i lashtë është Iliria.
Jemi si gonxhe në një buqetë lulesh të rralla,
na kanë ndarë padrejtësisht dhe barbarisht,
uroj që të bëhemi si dikur një tufë e bukur,
vëllezër e motra të bashkohemi shqiptarisht!
VATRA MIKPRITËSE
Vatrat tona shqiptare mikpritëse,
të sinqerta dhe të hapur për miq,
respektojnë të mirët e të diturit,
lënë jashtë derës vetëm armiqtë.
Kemi përvoja të mira e të liga në jetë,
kemi qenë të hapur e kemi ofruar miqësi,
ndonjëherë jemi djegur e shkrumbuar,
se armiku është fshehur si gjarpri në gji.
Në kullat tona gjithnjë një pjatë më shumë,
është për mikun e papritur që mund të vijë,
kjo është tradita e të parëve tanë në shekuj,
kur vjen miku “gëzohen dhe trarët e shtëpisë”.
Populli ynë ka dhënë shembuj në botë,
shembuj të humanizmit dhe të dashurisë,
kemi shembullin e madh të Nënës Terezë,
kemi shembullin e besës dhe të miqësisë.



