Kadri Tarelli, shkruan:
Ka beteja që duken të përjetshme, por nëse vazhdon të besosh në veten tënde, bota nuk do të ketë zgjidhje tjetër, veçse të të dëgjojë.
Al Paçino
GJENERAL RAHMAN PARLLAKU
Një shekull jetë, shtrydhur në një libër 17 prill, 1919 – 15 shtator, 2019
Pse nuk u dëgjua zëri tij? – Shqipëria do të ishte ndryshe…!
Mbase jam vonë në kohë, po lexoj librin “Rrahman Parllaku, Gjenerali që sfidoi kohërat”, libër i botuar kohë më parë, që unë e quaj më shumë, një “Monografi politike”, të autorëve Halil Rama dhe Sakip Cami.
Mendoj se kam të drejtë ta quaj kështu, pasi e gjithë jeta dhe veprimtaria e Gjeneralit, pas moshës 20-vjeçare, është përfshirë në politikë. Si fillim me njësitet guerile në qytetin e Vlorës, në Luftën antifashiste gjatë Luftës së II-të Botërore. Më pas rreshtuar në formacionet ushtarake partizane, me detyra të ndryshme, komandant e komisar të njësive ushtarake, që luftuan edhe jashtë kufijve tanë, deri në Sanxhak të Bosnjës, përfshi edhe në Dardani.
Për merita të veçanta i është dhënë titulli ”Hero i popullit” dhe “Nderi i kombit”.
Është dekoruar me 9 urdhra e tre medalje të luftës dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak.
Më duhet të them që në fillim, se ky libër “Monografi”, ka një qasje të veçantë, pasi bën fjalë për një ushtarak, i cili qëndroi dhe arriti detyra të larta shtetërore, gjithmonë në fushën ushtarake. Kështu shumë hollësi nuk mund të bëheshin pjesë e njohjes nga lexuesit e shumtë. Ushtria ka në themel të saj “urdhrin” dhe “Sekretin”, jo vetëm të forcave, kuadrit drejtues, armatimit, stërvitjen, etj, etj, por edhe problemet
që hasen gjatë kohës së shërbimit. Të gjitha mbeten të heshtura, të mbyllura. Kështu që libri paraqet interes të veçantë, për t’u lexuar me nge dhe pa u ngutur.
Nuk jam i vetmi që e them, se libra të tillë janë një “Muze” i ndërtuar në letra, që përfshijnë histori dhe i shërbejnë historisë. Studiuesit me të drejtë, historinë e quajnë të ftohtë për personazhet dhe ca më shumë për lexuesin. Ndaj po shtyhem të pyes: – “Po a mund të jetë e ftohtë një vepër ku ka jetë që gjallon e lëviz në kohën pa kohë, siç ndodhi me Gjeneralin….!?
I përshëndes autorët, pasi nuk është e lehtë të përmbledhësh rreth 80 vite të jetës politike të këtij ushtaraku, përfshirë gjerësisht në ngjarje të trazuara që ndiqnin njëra-tjetrën, si një orë e kurdisur keq. Ishte ndershmëria, burrëria dhe mençuria e këtij njeriu, që mundi të përballojë situata të vështira, madje edhe burgosje, për faje që nuk i kishte bërë.
Gjenerali, duke qenë në rangun e lartë të detyrave në Parti dhe shtet, pati mundësi të njohë nga afër të gjithë drejtuesit e kohëve, që gjatë luftës e në vazhdim, pikërisht ata që krijuan histori dhe mbetën në histori, për të cilët jep vlerësimet e tij, si njerëz, si drejtues dhe si shtetarë. Mund të përmend: Sejfulla Malëshova, Nako Spiru, Enver Hoxha, i cili në ato vite të para e priste edhe në shtëpi, Riza Dani,
Ramiz Alia, Mehmet Shehu, Koci Xoxe, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Panajot Plaku, Fadil Hoxha në Dardani, etj, etj….. Çuditërisht shumica të eliminuar nga diktatura, me akuza të sajuara.
Në këtë udhë mendimi, më ka mbetur e skalitur në mendje një thënie e gjeneralit, si mësim për të gjithë ata që marrin detyrë, se ngritja e zërit nuk tregon as forcë as zgjuarsi: – Kur u ngrit në përgjegjësi, Ministri i mbrojtjes i tha: “Në këtë detyrë të duhet ta ngresh zërin dhe të tregohesh më i rreptë, pasi ke shumë reparte në varësi”. Gjenerali u përgjigj: – “Nuk mund të ndërroj karakterin sa here ndërroj
detyrën, por kam besim se edhe pa bërtitur do ta plotësoj detyrën”. Faqe 124
Një meritë e autorëve vlen t’i thuhet në sy: – Ata mjeshtërisht i janë shmangur komenteve apo diskutimit të ngjarjeve, duke lënë të flasin vetëm dokumentet dhe vetë Gjenerali, duke e lenë këndonjësin, (si puna ime), të gjykojë e të vlerësojë çdo veprim, duke i veshur kostumin secilit, sipas masës, modës dhe ngjyrës. Në këtë këndvështrim, libri “Monografi” është i ngushtë për kostumin e Gjeneral Parllakut, që i përjetoi dhe përcolli të gjitha ngjarjet madhore, duke qenë vetë aktor dhe spektator, që nga Kongresi i Përmetit, maj 1944, Çlirimi, zgjedhjet
parlamentare 1945 dhe eliminimi i grupit të deputetëve, kërkesat e udhëheqjes Jugosllave për bashkimin e Shqipërisë në Federatën Jugosllave, si fillim me bashkimin ekonomik e më pas, vendosjen e ushtrisë nën një komandë ushtarake, duke u shndërruar kështu në Republikë të shtatë. Më tej, ngjarje e madhe: Kongresi i Parë në vitin 1948, eliminimi i një numri të madh kuadrosh që kishin bërë luftën N. Çl, me shkakun e sajuar si mbështetës të Federatës Jugosllave. Shkëputja nga Jugosllavia dhe lidhja me Bashkimin Sovjetik.
Më tej ngjarjet e viteve 1960-1961, shkëputja nga Kampi Socialist, largimi i flotës luftarake të Traktatit të Varshavës, lidhja me R.P. të Kinës. Etj, etj. Ngjarjet rrjedhin e ndjekin njëra-tjetrën. E papritur “Heqja e gradave në ushtri”,1967-1968, vendosja e komisarëve politik. E trishtueshme dhe plot dhimbje, “Fshesa e hekurt”, në ushtri gjatë viteve 1973-1974, dhe eliminimi i një numri kuadrosh drejtues, mes tyre edhe Gjenerali ynë, që shpëtoi nga pushkatimi, por u dënua me 25 vjet burg.
Unë e quaj fat për Gjeneralin, që shpëtoi, kur të tjerët u pushkatuan: Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako. Jeta nuk ka çmim. E quaj fat edhe për ne, për të na sjellë të gjallë çastin e arrestimit në mjedis publik, një lloj terrori i pëlqyer dhe ushqyer nga diktatura dhe diktatori, po ashtu edhe mbajtja për disa muaj në tortura në hetuesi dhe nëpër burgje.
Nuk jam cinik që kënaqem me vuajtjet e njeriut, të shkaktuar nga njeriu, kur njihem me dhunën çnjerëzore që përdorte hetuesia dhe prokuroria mbi të akuzuarit, përfshi edhe Gjeneral Parllakun, me aq shumë dekorata e vlerësime, të cilin pak dit më parë, e nderonin duke e vënë në sofrën e parë. Po vaj halli për të tjerët, që s’ishin si ai…..!? – Ç’ mund të themi për torturat që hoqën ata që cilësoheshin “Armiq të klasës”, “Armiq të Pushtetit” apo “reaksionarë”, për të cilët me qesëndisje, sot thuhet e quhet, “Letërsi burgu”. Po dhimbjet e Gjeneralit si mund t’i quajmë……? Vallë a ka përkufizim dhimbja e njeriut, veçanërisht kur është i pafajshëm…..!? Them përsëri, – “Ishte fat për ne”, sepse kujtesa dhe dëshmia e tij na ndihmon të kuptojmë, se si vendoste prokuroria dhe gjykata tërësisht politike, në diktaturë.
Besoj mjafton ky shënim, ku prokurori, thotë: – “Akoma beson se do të mbrohesh, kur akuzën e ka përcaktuar ai lart…….?! Ne po bëjmë formalitetin këtu”. Faqe 329. – Mos o zot, më keq….! Mjerë ai që futej në listat dhe ingranazhet e organeve të dhunës.
Libri na mbush mendjen, se gjithçka qenka plotësisht e vërtetë, ndërkohë duhet besuar, sepse e pranon dhe na rrëfen edhe Gjenerali. A nuk të dridhet zemra, kur lexoj rrëfimin që të ngjeth mishin: “Një portokall në qeli, në natën e Vitit të Ri”. Etj, etj. Faqe 190. Një skicë e thjeshtë, që fare mirë mund të bëhet novelë, roman apo edhe film, ku ndërthuret dhuna dhe shpirti njerëzor. Fisnikëria nuk dhurohet, ajo lind
në shpirt dhe vdes me shpirtin. Unë e vlerësoj librin edhe për disa arsye, në dukje fare të thjeshta: . Si fillim: Gjenerali është ndër të paktë njerëz që kërkon falje publike, duke qenë dikur i përfshirë në strukturat e larta drejtuese të shtetit. Lexoni këto pak radhë:
–“Ndjesë publike, si bashkëpërgjegjës për krimet e diktaturës komuniste. Jo se kamqenë i përfshirë drejtpërdrejt apo i implikuar në krime e procese politike, por sepse më ra për pjesë të shërbeja në atë sistem makabër”. Faqe 314.
. Në vazhdim, “Letra nga burgu i Burrelit”, janar 1988. Letër e shkruar me vonesë, në vitin 1988, që i drejtohet udhëheqjes lart në kupolë, ku në krye bën thirrje për drejtësi: “Na burgosët padrejtësisht, mos na vdisni para kohe, ndaloni torturat çnjerëzore! – Ishte një thirrje që kërkonte drejtësi. – Po a e dëgjoi kush…? – Mund të pyesë çdo këndonjës.
“Një letër që akuzon”, po e quaj unë. – “Kur isha në detyra të larta partie dhe shteti, kurrë nuk më shkonte mendja se bëheshin veprime të tilla antiligjore në pushtetin tonë”. – Shkruan Gjenerali. Faqe 192.
Besoj se janë mjaft këto pak fjalë. Por nuk e di sa ka besuar Gjenerali, për t’i prekur sado pak drejtuesit e shtetit që komandonin strukturat e dhunës, për të vendosur e prodhuar drejtësi. E vërteta është se edhe pas “letrës”, nuk u bë asgjë. Vetëm pas tre vitesh, kur diktatura u shemb në 1991, si gjithë të burgosurit politik, u lirua edhe Gjeneral Parllaku. (Mars 1991)
Në këtë letër, më bëjnë përshtypje këto pak fjalë, shkruar imët: – “Kjo letër është shkruar nga Burgu i Burrelit, ku nga 318 të burgosur, 298 prej tyre ishin bashkëluftëtarë të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë”. Faqe 192. Ç’ koment mund t’i bëhet këtij shënimi, që në heshtje flet shumë!? . Më kryesorja: “Thirrja për Pajtim Kombëtar”, pjesa më e ndritur e librit dhe e jetës së Gjeneralit. Do të mjaftonte vetëm ky veprim logjik dhe politik, që Gjeneral Rahman Parllaku të vendosej në piedestal të vlerave kombëtare. Po mbushen dhjetë vjet pas thirrjes, (Nëntor 2016, sot 2026), drejtuar kryetarit të Kuvendit dhe të gjithë kryetarëve të partive politike, pjesëmarrëse në Kuvendin e Shqipërisë.
Një “Platformë pajtimi”, me vlera atdhetarie, që mund të ndryshonte ndjeshëm ndjesinë dhe trashëgiminë e përçarjes politike që vazhdon edhe sot e kësaj dite, si vazhdim i “Luftës së klasave”, trashëguar nga diktatura. Më mbushet mendja, se ende paska burra që i dhimbset atdheu dhe kombi. Shqiptaria s’paska vdekur. Qofsha i gabuar, por Gjeneral Parllaku është i pari dhe i vetmi që ndërmerr
një hap të tillë politik. Nuk di si ndjehen sot pjesëmarrësit në atë takim historik? – A i vret sadopak vetëdija kombëtare…!? – Pse nuk vepruan për ta ndryshuar këtë realitet të dhimbshëm…? – Kush i pengoi? – Pse heshtën si murgu në qeli….? – Harrojnë se
Partitë shkojnë e vijnë, ndërsa kombi rron në shekuj. Më keq akoma, kur “përçarja”, i shërben interesit të Partive, apo interesit vetjak, (Një bythë për karrigen e pushtetit). Paçin faqen e zezë….! Historia ndëshkon, nuk harron….! I madh bëhesh dhe i madh mbetesh, vetëm kur i shërben kombit dhe mëmëdheut.
Mbase e teproj, por libri po më shpon dhe po ma kujton diçka më shumë: – Unë, si pjesa dërmuese e shqiptarëve, shpresuam se kjo plagë vrastare e përçarjes,e mbjellë dhe e rritur për 50 vjet, do të mbyllej me “Pajtim Kombëtar”, që në ditët e para të demokracisë. Nuk u bë as atëherë, as në ditët e sotme. Pyetja “Pse?”, ngrin në buzë. Nuk dinin apo nuk donin…..!? E para nuk më bind, e dyta është më e besueshme, por dhemb si plagë e pambyllur, sa herë preket.
Gjeneral Parllaku e tha fjalën e tij. Ai ndërroi jetë, duke mos e parë të realizuar këtë ëndërr shekullore, të dëshiruar nga të gjithë Shqiptarët. Këndonjësi nuk do të lodhet të gjejë në vazhdim, se duhet përmendur veprimtaria për një kohë të gjatë, si anëtar themelues, më pas edhe drejtues i OBVL, prej gati 35-vjetësh. Duke e bërë të njohur këtë organizatë, jo vetëm brenda vendit, me një numër të madh anëtarësh, por të njohur edhe ndërkombëtarisht, në Ballkan dhe në botë, si anëtare e denjë e 123 vendeve në “Federatën Botërore të
Veteranëve”, ku aderojnë rreth 150 milion anëtarë.
. Siç po vërej në libër, mendoj se nuk duhet ta kaloj në heshtje, një tjetër fushë, ku Gjenerali shpërfaq kulturën dhe guximin për të thënë të vërtetën. Bëhet fjalë për publicistikën ku ka shumë artikuj të pasqyruar në shtypin e kohës. Një tregues i shkëlqyer i përkushtimit ndaj problemeve madhore që kaloi dhe po kalon vendi ynë. Një personalitet që gjithë jetën është marrë me veprimtari politike, nuk mund të qëndronte indiferent, pavarësisht moshës që e mbushi dhe e kaloi një shekulli jetë intensive.
. Nuk mund të rri pa përmendur kohën e studimeve të Gjeneral Parllakut, në Akademinë “Vorshillov”, në Moskë, nga më të njohurat në ish Bashkimin Sovjetik.
Është një përvojë jete që të lë pa fjalë dhe që mund të frymëzojë cilindo, veçanërisht të rinjtë. Këtu preket dhe përjetohet gjatë, guximi dhe burrëria e një shqiptari, si Rrahman Parllaku, i dalë pa shumë shkollë, nga rrethanat e jetës dhe nga lufta partizane, i cili arin të mbarojë shkëlqyeshëm akademinë, duke ua kaluar edhe atyre që kishin mbaruar akademi dhe shkolla ushtarake në vendet e tyre.
Besoj, se si mësues që e nisa dhe e grisa jetën në arsim, mund të shprehem me një kërkesë, që ua drejtoj kolegëve mësues e drejtues shkollash, sepse shumë herë vuajmë të gjejmë heronj, të cilët mund të frymëzojnë nxënësit dhe të rinjtë tanë.
Shpesh shtyhemi të marrim shembuj edhe nga letërsia botërore. Mjerisht, duke harruar heronjtë që i kemi në mesin ton dhe nga rrënjët tona. (shpesh për mungesë informacioni).
Nuk gaboj që po e rëndoj fjalën: Ky është faj, jo gabim. Janë strukturat që duhet të mendojnë. Dikush duhet ta shtyjë më tej problemin dhe “heronjtë tanë”, të gjejnë vendin e duhur në programet mësimore, në arsimi 9-vjeçar dhe atë të mesëm.
Përvoja pozitive në jetë, e vlen të përgjithësohet dhe përvetësohet për të ecur përpara me forcën e mendjes, guximit, durimit dhe vullnetit.
. Duke tejkaluar zgjatjen e shkrimit, besoj se e vlen të përmendet edhe një tjetër anë, ajo letrare dhe krijuese. Gjeneral Parllaku i la si trashëgim letërsisë dhe historisë edhe dy librat e tij: “Mirënjohje për familjet vlonjate, që më mbajtën si birin e tyre” dhe “Kosova e lirë. Ëndrra e jetës sime”.
Besoj nuk është pak…! Po a janë thënë të gjitha….!? Jam i bindur se ka ende shumë për të thënë, për jetën edhe veprën e këtij “Heroi” që bëri epokë. Mbeten profetike këto pak fjalë, si amanet për vete dhe për ata që mund të njohin sado pak jetën dhe veprimtarinë e Gjeneral Rrahman Parllaku:
– “Në këtë jetëgjatësi, jam përpjekur t’i shërbej me ndershmëri popullit dhe atdheut tonë të shtrenjtë”.
Koha do ta çmojë jetën dhe veprën e tij…..!
Urime autorëve Halil Rama dhe Sakip Cami! Një vepër e tillë ju nderon!
Kadri Tarelli
Durrës. Mars 2026.



