Viron KONA: Libra dhe trëndafila-Tregim

Viron KONA
Libra dhe trëndafila
-Tregim-
Në nderim të 23 prillit, Ditës Botërore të Librit
Vogëlushi hyri në hollin e katit të parë të bashkisë dhe s’po dinte nga të shkonte. Përpara tij u shfaq një grua me fytyrë të qeshur, e cila e pyeti:
-Po ti vogëlush, ku do që të shkosh, si mund të të ndihmoj? – Zëri i saj ishte i ëmbël dhe miqësor.
-Dua të shkoj te zyra e kryetarit të bashkisë, pasi kam një problem urgjent për të zgjidhur, por nuk kam qenë ndonjëherë këtu.
-Ç ‘qenka ky problem kaq urgjent, mund të ma thuash?
-Po zonjë. Kompania e ndërtimit “Qiellorja”, na ka marrë fushën e futbollit sepse do që të ngrejë atje një qiellgërvishtës. Në çantë kam letrat e shumë shoqeve dhe shokëve të mi. Ata më kanë ngarkuar mua që të takoj kryetarin dhe t`i lutem, që qiellgërvishtësi të ngrihet diku tjetër dhe fushën të mos na e marrin.
A mund të më ndihmoni ju zonjë të shkoj te kryetari?
-Po, me kënaqësi vogëlush. Tani, e di që ai ka një mbledhje të shkurtër, kështu që, po deshe rri e prit disa minuta këtu. Si thua?
-Faleminderit, zonjë!
-Si e ke emrin ti vogëlush?
-Kolipoç.
-Ah, më duket se kam lexuar një libër që… Mos je ti ai Kolipoçi i librit me qershi?
-Po, zonjë, unë jam, – iu përgjigj Kolipoçi.
-Eh, po ti qenke një djalë si pëllumb, kaq i mirë dhe kaq i sjellshëm! Ah, djali im e mban te jastëku atë libër që flet për aventurat e tua gazmore. Edhe ne të rriturit ndiejmë kënaqësi dhe qeshim kur lexojmë episodet plot humor, sidomos kur kujtojmë se ti Kolipoç qëndroje çdo ditë me orë të tëra i ulur në karrige përballë pemës së qershisë dhe prisje që të piqeshin kokrrat e saj.
Tërheqëse janë edhe episodet në kopshtin e xhaxha Merkos, veçanërisht kur ti mbete në majë të pemës së qershisë… E bukur edhe pjesa kur xhaxha Merkoja të qortonte: “Përse ke hipur pa leje në qershinë time?” Kurse ti, nga maja e qershisë, ia ktheje: “Pa dashje xhaxha Merko, pa dashje kam hipur në qershinë tënde!” Por, ti ndryshove sjellje…
Kolipoçi e dëgjoi me respekt atë grua aq miqësore dhe e falënderoi që ajo ishte në dijeni të aventurave të tij të dikurshme, pastaj e pyeti:
-Po ju zonjë, si ju quajnë?
-Ah, më fal, Kolipoç, që nuk u prezantova që në fillim. Mua më quajnë Dallëndyshe, kam emrin e shpendit që lajmëron ardhjen e pranverës, këtu kryej detyrën si specialiste e artit.
-Paskeni emër shumë të bukur dhe jeni e qeshur si pranvera! – i tha Kolipoçi.
-Faleminderit, Kolipoç, faleminderit! S’ma ka bërë askush tjetër një kompliment kaq të bukur sa ky, nuk do ta harroj. Por, më lejo të të them se edhe ti Kolipoç je shumë i këndshëm dhe i mençur, – i tha ajo dhe e përqafoi vogëlushin
-Gëzohem që ju njoha, – i tha Kolipoçi dhe sytë i shkuan te një pikturë e varur në mur. Atje tregohej një vajzë duke lexuar një libër.
-Sa e bukur kjo pikturë! – tha Kolipoçi. – Besoj është e fotografuar? – e pyeti ai specialisten dhe u kujtua se, fotografinë e asaj pikture e kishte parë edhe te shtëpia e shokut të tij, Bubulino.
Specialistes së artit i ndritën sytë.
-Po, vogëlush, piktura është një fotografim i pikturës së Jessie Smith, e cila ishte një ilustruese amerikane. Gëzohem që e ke parë këtë pikturë! Mua më duket sikur ajo u thotë fëmijëve: “Mos harroni leximin e librave!”
Disa çaste, specialistja dhe Kolipoçi nuk i hoqën vështrimet nga piktura, pastaj Kolipoçi tha:
-Sa mirë do të ishte që edhe fëmijët e tjerë t’ju njohin ju, zonjë! Do të na gëzoni shumë, nëse vini e na takoni, me atë rast do të njiheni edhe me Bubulinon, shokun tonë më të mirë.
-Po, do të vij t’ju takoj me kënaqësi, edhe juve, edhe Bubulinon. Duket që ai qenka edhe drejtuesi juaj!
-Ai është vërtet drejtuesi ynë, por ai na thotë se ne jemi të gjithë shokë të barabartë dhe të gjithë bashkë mund të bëjmë gjëra të mëdha. Tani ai është në krye të fëmijëve që ndihmojnë për gjelbërimin e qytetit…

-Ah, sa mirë! – shfaqi kënaqësinë specialistja e artit dhe e pyeti: -ti Kolipoç the që Bubulinoja është shumë i interesuar për librat, kështu?

-Po, zonjë. “Çdo gjë ka vendin e vet, – na thotë ai, – edhe celulari ka vendin e vet, edhe loja, edhe libri, por libri është i pari… Madje, ai, jo vetëm që ka një raft të madh me libra në shtëpi, por është anëtar i rregullt i bibliotekës së shkollës dhe asaj të qytetit. Kur ne e pyesim se ku e gjen kohën ti Bubulino, që edhe në shkollë mëson mirë, edhe libra artistikë e shkencorë lexon, edhe ekspeditën e fëmijëve kundër ngrohjes globale e drejton, edhe me fëmijët e tjerë luan futboll dhe lojëra të tjera, ai na përgjigjet:
-Shumë njerëz ankohen se nuk kanë kohë, por e shpenzojnë atë sikur ta kishin të tepërt. Disa vrasin mendjen sesi të mburren, disa bëjnë veprime që nuk i nderojnë, grinden apo bëhen të bezdisur për të tjerët, disa i hapin telashe pa fund shkollës dhe prindërve, disa të tjerë në dimër rrinë ngrohtë pranë kondicionerit pa bërë asgjë, kurse gjatë verës gjuajnë zogjtë me llastiqe në pyll, disa shohin me orë të tëra celularin dhe nuk ndahen dot prej tij… Sigurisht që secili ka të drejtat e tij dhe e organizon vet kohën, por koha del, nëse nuk e lë
minutën të shkojë kot.
Dhe, duke buzëqeshur, Bubulinoja na shpjegon se, që nga kohët e lashta e gjer më sot, bota është plot e përplot me njerëz të shquar: me dijetarë, filozofë, shkencëtarë, astronomë, matematikanë, fizikanë, kimistë, biologë, mjekë, mësues, arkitektë, arkeologë, inxhinierë, ekonomistë, agronomë, por edhe shkrimtarë, kompozitorë, piktorë, skulptorë, aktorë, regjisorë… Pastaj, ai na pyet:
-Keni dëshirë t’i takojmë disa prej tyre?
-Ku t’i takojmë, o Bubulino? Ç’po na thua?! – e pyesim ne të habitur.
-Atje pra, në bibliotekë, – na thotë ai, – koha ikën dhe nuk ndalet, prandaj të mos e shpërdorojmë, ata na presin.
Kështu që jemi shumë ne fëmijët, që jemi bërë anëtarë të bibliotekës.
Koha jonë më e bukur është kur flasim e diskutojmë me njëri – tjetrin për librat që kemi lexuar…

-Eh, – vijoi pak çaste më vonë specialistja e bashkisë, – për librin duhet të kujdesemi më shumë edhe ne punonjësit e bashkisë, që libri të ketë gjithnjë vendin e vetë e të merituar. Njerëzit flasin pareshtur për shumë gjëra, ama librin që është nga më të rëndësishmit, nuk e përmendin fare! Kurse fëmijëve u kanë mbetur sytë dhe mendja vetëm te celularët. S’kam kundërshtim që t’i shikojnë celularët, por çdo gjë e ka një masë, s’duhet të teprohet. Si thua ti, Kolipoç, kam apo s’kam të drejtë në këto që po them?
-Po, zonjë, keni shumë të drejtë. Celulari ka shumë vlera, ai edhe na ndihmon, edhe na argëton, ne vërtet që s’e heqim dot nga dora, por libri është përhapësi më i madh i dijeve njerëzore. Sot librat artistikë i shohim në disa kioska të vjetra dhe të mbyllura me kyçe të mëdhenj, të zhubrosur nga lagështia, kurse disa kioska të tjera që ishin dikur librari, janë shndërruar në qebaptore dhe kafene… Mjaft libra të përdorur, por edhe të rinj, i shohim më shpesh në trotuare, duke pritur të blihen nga kalimtarë që kalojnë indiferentë ndajmtyre…Edhe shkolla duhet të bëjë më shumë veprimtari për librin, takime me shkrimtarë, biseda, konkurse dhe panaire libri brenda shkollave. Te hyrja e shkollës sonë, një shitës shet fara luledielli. E sjell kazanin e madh të mbushur plot e përplot me fara në mëngjes dhe, kur mbaron mësimi, ne e shohim kazanin
krejt të boshatisur. Nxënësit përtypin gjithë ditën fara luledielli…në vend që të “përtypin” libra. Ne kemi kënaqësi të përdorim celularin dhe internetin, por edhe librin nuk duhet ta braktisim.
-Një ditë, – vijoi Kolipoçi, – ne folëm edhe për 23 prillin, Ditën Botërore të Librit. Është caktuar kjo datë, sepse, 400 vjet më parë, më 23 prill 1616, u ndanë nga jeta shkrimtarët e mëdhenj Shekspiri, Servantesi dhe De la Vega. Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka origjinën në zonën e Katalonjës, në Spanjë, madje atje u bë zakon që, atij që blinte një libër, i dhurohej një trëndafil. Kemi folur edhe për Ditën e Librit për Fëmijë, që është caktuar më 2 prill, e cila është dita e lindjes së shkrimtarit të shquar danez Andersen. Por, a e di çfarë, zonjë?
-Më thuaj Kolipoç, po të dëgjoj me vëmendje.
-Ne, së bashku me Bubulinon dhe të tjerë kemi vendosur që ta rigjallërojmë zakonin që, në Ditën Botërore të Librit, por dhe Ditën e Librit për
Fëmijë, të shkojmë pranë librarive të qytetit dhe, cilitdo që blen një libër, t’i dhurojmë një trëndafil. Mezi po presim që të vijnë ato ditë.
-Libra dhe trëndafila! Vërtet një mrekulli! – tha specialistja e artit e entuziazmuar dhe, pasi e përqafoi ngrohtësisht vogëlushin, i tregoi se nga duhej të shkonte për të zyrat e kryetarit të bashkisë…

……….
Shënim: Tregimi është shkëputur ( me pak ndryshime) nga libri me tregime “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”.