Autore: Besnike Aliaj
Valbona, lumi dhe fshati, një mrekulli e natyrës shqiptare
E fshehur thellë në skajin më verior të Shqipërisë dhe e rrethuar nga majat madhështore të Alpeve Shqiptare, Valbona nuk është thjesht një fshat malor. Ajo është një nga destinacionet turistike më të rëndësishme të vendit dhe zemra e Parkut Kombëtar të Valbonës. E njohur si “Zemra e Bjeshkëve të Nemuna”, Valbona ofron një kombinim të rrallë të peizazheve të paprekura, mikpritjes tradicionale, aventurës dhe trashëgimisë kulturore.
Legjendat që jetojnë mes maleve
Valbona është e mbështjellë me mite dhe legjenda që e bëjnë edhe më magjepsëse. Sipas legjendës së Eposit të Mujit dhe Halilit, Ajkuna qau mbi një gur për Omerin, djalin e vrarë të Mujit, dhe nga lotët e saj buruan ujërat e kristalta të Valbonës. Një tjetër rrëfim popullor tregon se Ajkuna kërkonte varrin e të birit dhe mallkonte bjeshkët që ia kishin fshehur.
Një legjendë tjetër lidhet me emrin e Valbonës. Thuhet se një prift italian, duke kaluar nga Thethi nëpër Qafën e Valbonës, mbeti i mahnitur nga bukuria e luginës dhe e quajti atë “Vale Buona”, që do të thotë “Luginë e Bukur”. Me kalimin e kohës, ky emër u shndërrua në Valbonë.
Lugina konsiderohet gjithashtu djepi i Eposit të Kreshnikëve. Malet e larta, shpellat dhe shtigjet alpine besohet se kanë qenë arenat ku Muji dhe Halili zhvillonin betejat e tyre legjendare. Edhe sot, banorët tregojnë histori për Mrizet e Zanave, për zanat që zbrisnin nga malet dhe kuvendonin me njerëzit e zonës.
Një histori e lashtë
Valbona i ka rrënjët tek banorët e Vuthajve, një vendbanim shqiptar që sot ndodhet në Malin e Zi. Mendohet se fshati ka një histori mbi 400-vjeçare. Në fillimet e tij, zona shërbente si vend stinor për blegtorinë, ku banorët e Vuthajve ngrinin stanet e tyre verore. Fshati njihej dikur me emrin Selimaj.
Kjo histori e gjatë bashkëjeton me traditat, doket dhe zakonet e trashëguara brez pas brezi, duke e bërë Valbonën një muze të gjallë të kulturës alpine shqiptare.
Dragobia, vendi ku historia dhe natyra bashkohen
Në zemër të luginës ndodhet fshati Dragobi, një prej perlave më të bukura të zonës. Ai ruan mbi 20 kulla karakteristike prej guri, disa prej të cilave kanë mbi 200 vjet histori. Shtëpitë tradicionale me çati të pjerrëta dhe muret e gurta ruajnë ende arkitekturën autentike të krahinës.
Një ndër atraksionet më të njohura është Shpella e Dragobisë, e vendosur rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, mes pyjeve të ahut. Kjo shpellë ka rëndësi të veçantë historike, pasi aty është strehuar Heroi i Popullit, Bajram Curri. Përveç vlerave historike, shpella ofron një përvojë të veçantë për adhuruesit e natyrës dhe aventurës.
Lugina e mrekullive natyrore
Valbona është një emër që gjendet kudo në këtë zonë: lumi Valbonë, fshati Valbonë, Lugina e Valbonës, Parku Kombëtar i Valbonës, Ujëvara e Valbonës, Qafa e Valbonës, madje edhe shumë vajza shqiptare mbajnë emrin Valbona.
Lugina e Valbonës shtrihet në zemër të Alpeve Shqiptare, në territorin e Bashkisë së Tropojës, dhe ka statusin e Parkut Kombëtar me një sipërfaqe prej rreth 8 mijë hektarësh.
E përshkuar nga lumi Valbonë, lugina është një kryevepër natyrore ku gërshetohen ujëvara spektakolare, pyje të dendura, kanione, shpella, burime dhe maja alpine që duket sikur prekin qiellin. Lumi Valbonë, një nga lumenjtë më të pastër të Europës, buron pranë fshatit Rragam dhe pas një rrjedhe prej rreth 50 kilometrash derdhet në liqenin e Fierzës.
Në rrugëtimin e tij, lumi bashkohet me Lumin e Gashit, një tjetër pasuri natyrore me vlera të jashtëzakonshme, pjesë e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO.
Një parajsë e biodiversitetit
Valbona është shtëpi e një biodiversiteti të rrallë. Këtu jetojnë ariu i murrmë, ujku, shqiponja e artë dhe rrëqebulli i Ballkanit, një nga speciet më të rrezikuara në Europë.
Po aq e pasur është edhe flora. Mbi 900 lloje bimësh mjekësore rriten në këtë luginë, duke e bërë zonën një thesar natyror dhe një qendër të rëndësishme të traditës së kurave popullore.
Tradita që vazhdon të jetojë
Valbona nuk është vetëm natyrë. Ajo është histori, kujtesë dhe identitet kulturor.
Veshjet tradicionale si xhubleta për gratë dhe tirqit për burrat vazhdojnë të përdoren në raste festash, dasmash dhe ceremonish të rëndësishme, duke ruajtur gjallë mjeshtërinë e brezave.
Një vend të veçantë zë edhe vallja tradicionale e Tropojës, e njohur në zonë si “kcim”. Në dhjetor të vitit 2024, Vallja e Tropojës u përfshi në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit nga UNESCO, duke e kthyer atë në një pasuri me vlerë botërore.
Shijet autentike të Valbonës
Asnjë udhëtim në Valbonë nuk mund të konsiderohet i plotë pa provuar gatimet tradicionale të zonës.
Flia, e pjekur ngadalë nën saç, mbetet simboli i kuzhinës alpine. Po aq të njohura janë pastërmaja, gjiza me speca djegës, buka e pjekur në mënyrë tradicionale dhe mjalti i gështenjës, produkte që pasqyrojnë pasurinë dhe autenticitetin e kësaj treve.
Turizmi, motori i ri i zhvillimit
Gjatë viteve të fundit, turizmi ka transformuar ndjeshëm ekonominë lokale. Një zonë që dikur mbështetej kryesisht në bujqësi dhe blegtori, sot mirëpret mijëra vizitorë vendas dhe të huaj përmes bujtinave familjare, shtëpizave alpine, guidave turistike dhe restoranteve tradicionale.
Ky zhvillim ka krijuar vende pune, ka nxitur investimet dhe ka inkurajuar shumë të rinj të qëndrojnë ose të rikthehen në vendlindje.
Banorët e Valbonës e kanë kuptuar se natyra është pasuria më e madhe që kanë. Duke e ruajtur dhe promovuar atë, ata po ndërtojnë një model zhvillimi të qëndrueshëm që sjell të ardhura, mirëqenie dhe perspektivë për brezat e ardhshëm.
Valbona mbetet një nga mrekullitë më të mëdha të Shqipërisë – një vend ku natyra, legjenda, historia dhe mikpritja shqiptare bashkohen në mënyrë të përkryer.



