Jana Witthed
Zhduket
Dielli i shtatorit
ngroh
luginën e gjatë
në tokën e samëve,
pranë vau të ftohtë,
ripërtypin të kënaqur
disa drerë
në pyllin e mështeknave.
Një gushëkuq këndon
nga kënetat
një shteg i ngushtë
përshkon
heshtjen
e kohës së ngrirë,
mes ngjyrave
flakëruese
të bimësisë së ulët.
Majat e maleve,
të bardha e gri,
zhduken
nëpër re.
Pas shqopës
shkëlqejnë
sytë e verdhë
të një dhelpre polare.
Në Giebmegáisi
agimi zbardh
në orën tre,
dhe nga maja jugore
rrjedh në heshtje
e ardhmja e frikësuar.
Mendon
për fushat e dëborës
që po shkrihen
dhe për akullnajën
që, në të vërtetë,
në mënyrë të pakthyeshme
zhduket
mes gishtërinjve
të njeriut.
Macja
Nuk mund të fle.
Yjet në qiell
rrezatojnë bukur
një dritë të vjetër
mbi tokë.
Lëvizja në errësirë,
enigmat e hapësirës
e joshin shpirtin
të dalë.
Lë shtëpinë.
Përballë më godet i ftohti
dhe tymi therës
i fqinjit.
Macja fërkohet
pas këmbëve të mia,
nuk dëshiron
të më lërë të iki.
Sytë e saj
verdhë në të gjelbër
më vështrojnë
në sy,
si mijëra herë
më parë.
Macja e dikujt tjetër,
që është gjithmonë jashtë,
dëshiron të hyjë
në shtëpinë time,
të ngrohet,
të pushojë,
ndoshta të hajë pak,
të ndiejë
se jo të gjithë njerëzit
janë mizorë.
Göteborg
Dëbora mbi krahun krenar
të Poseidonit
ngre vështrimin e natës
drejt një ylli të vetmuar.
Heshtja e artë
e pemëve
ledhaton Avenyn-in
dhe për një çast
harroj
se qyteti im i lindjes
e ka ndryshuar emrin,
se malli im pa gjumë
ulërin
mes rrënojave.
Fëmija
Në pluhurin e shenjtë
të altarit
ulet një zog.
Përmes një dritareje
të thyer
depërton
tingulli i të shtënave.
Zoti luan në organo.
Fëmija mban frymën
dhe pëshpërit
në rreken e gjakut
se do të shkojë
në parajsë.
Është një qytet
Është një qytet
dhe është natë.
Këtu gjendet heshtja
shekullore e parqeve
dhe, larg, shkëlqimi
i tabelave neoni,
i dritave të rrugëve
dhe i disa dritareve të pakta
të atyre që mezi
kanë forcë ta mbajnë shpirtin e tyre.
Këtu gjendet dëshpërimi mbytës
në pallatet e zymta të banimit.
Këtu gjendet kalldrëmi i çrregullt
dhe zhurma e hapave
që kalojnë.
Një fjalë e pëshpëritur
në zbrazëti,
tik-taku i një ore me zile,
sy që enden
pas hijeve në dhomë,
sytë gjysmë të mbyllur
të një fëmije të harruar,
që rri zgjuar
për të kapur një çast
nga shkëlqimi kalimtar
i shtretërve të papafingos.
Me
Për Mauritz Tistelö
Një fytyrë noton mbi det,
noton nga bregu
dhe na buzëqesh.
Një trup i tejdukshëm,
me zemrën që shkëlqen
si bora e sapo rënë
nën diell,
ecën përgjatë bregut
dhe lë
dëshmi të vogla dashurie
në buzë të ujit.
Në ishull
Mbi lëkurë
një ngrohtësi ëndërrimtare
dhe kripësia
në aromën
e algave
ngjyrë ndryshku.
Valët e përkundin
trupin
e mbushur me lumturi.
Në rërë
ato lënë
gjurmën e tyre.
Burri,
i ngjitur pas shkëmbit
nën diellin e pasdites,
ruan
ngushticën
mes ishujve
dhe është
krejt i bardhë.
Ai është këtu
kur vij unë,
ulet mbi shkëmb
kur kreshtat
e zogjve të detit
notojnë drejt bregut,
dhe nga dielli
ka mbetur vetëm
një horizont
ngjyrë purpuri.
Ai është këtu
edhe në të ftohtin e ashpër,
kur valët,
të ndjekura nga era,
përplasen mbi shkëmbinj
dhe pllaka shkëmbore
zhduket
nën ujë.
Ai është këtu,
sepse është ngurosur
nga vështrimet
e njerëzve
të pamend.
Përktheu: Sokol Demaku



