Megi Flor
PORTOKALLET E GJAKUT
Mars, 1997
Një këmishë
u gropos në baltë,
nën rrënjët e portokalleve
që sapo kishin çelur
A do të çelnin vallë lulet e Marsit?
Ishte viti nëntëdhetë e shtatë.
Kur djemtë e ëndrrave
laheshin si këmishat me gjak
dhe varroseshin larg syrit të nënës,
larg kryqeve, larg gjysmëhenës.
Djem të mitur të luleve
me rripa burrërie ngjeshur në mes,
rebelë të njomë me barut të thatë në gishta.
Në vend të luleve
mblidhnin gëzhoja,
numëronin vdekje.
Në sheshet e çmendura.
Lulet e marsit
u vyshkën në gryka armësh,
armët kolliteshin të pandryshkura.
Fishekë të verdhë mbushur me kob,
vërshonin nga barku makabër
i depove të tmerrit.
Banorë të bunkerit
me vdekjen të ngjizur në fill
shënjestronin jetën,
gënjenin shkreptimën,
mësonin të vrisnin.
Cdo shkrepje
afrohej më shumë.
“Count down” fishkëllenin gjithnjë e më pranë.
Balli i vëllait priste t`i shkruhej përjetesia.
Fishekë që heshtnin dikur
tash flisnin me çmenduri njeriu
vetëm kur duhej të pushonte një zemër.
Jeta, nekrologji e ngjitur në murin e kohës.
Krisma.
Një krisme marrëzie
fshiu një mbiemër,
këputi një degë nga pema e shpirtit.
Kallashë të braktisur,
gjarpërinj hekuri
të shtrirë rrugëve
prisnin duar të reja.
Piketat e zeza të së ardhmes.
Fati i një nëne
me shaminë e zezë si fati
ku as harresa e pamëshirshme
nuk mundi t`ia varroste
fytyrën e birit.
Si hije fatale ia mbërriti Alzhaimer.
U tretën në mjegull të pafundme
ditët e shkuara, këngëzat e vjetra,
qëndismat, lojerat, librat,
sepeti, kujtimet, ftonjt.
Vetëm vdekja i mbeti në sy, mjerë AJO.
Dhimbjet
nuk i mposht as sëmundja.
Ato bëhen sy
dhe vazhdojnë të shohin mes lotit.
Një motër u rrit
me burrërinë e vrarë të vëllait,
të lidhur në trup
si një litar
që shtrëngon plagën
e nuk e le të mbyllet.
*
Toka e kopështit tonë
ende ushqen portokallet
me gjakun e këmishës
së vëllait tim.
Çdo mars,
lulet çelin.
Askush nuk dëgjon
si pikon toka
nën petalet e bardha.
Kur një vëlla vret vëllanë
nuk ka asnjë fitimtar.
Mbetet veç një nënë.
Ajo që shikoni përdite në oborrin tuaj
me shaminë e zezë,
me një këmishë nën dhe,
një mbiemër i përgjysmuar
si fjalë e lashtë e ngrenë nga erërat dhe stuhitë.
Portokallet
lulëzojnë çdo pranverë
mbi një gjak.
Mos u çuditni
që portokallet e nënës time
jane gjithmonë zemërkuqe.
Portokallet në Atdheun e plumbave
ushqehen me gjak.
Natyra vazhdon të lulëzojë
me frutat e vet të hidhur.
Thjesht nga që bukuria e saj
mbart nëpër deje mëkatin, dhimbjen
dhe peshën e një krimi të pazgjidhur.



