Mbrëmje poetike me Gladiola Jorbus

Gladiola Jorbus

Diell që kafshon

Ti je një diell që kafshon.
Një vorbull drite, që si thikë të shtrihet,
mbi mornicat e trupit.
Në qiellin tënd nuk ka mëngjese.
Ka veç mesdita të ngrira,
ku fjollat nuk shkrijnë mbi lëkurë,
por mbeten pas…
si gjurmë të bardha, të heshtura.
Ti ke lindur nga shkëmbi, jo nga zjarri.
Je një dritë e dhëmbëzuar.
Ndaj kafshon çdo afrim,
si të ishe rojtari më fanatik i palcës së qiellit.
Unë vij drejt teje, shpresëplotë
siç shkojnë shtegtarët drejt oazit të rremë.
Por ti më fal, veç një buzëqeshje të mprehtë,
si hëna kur ha vetveten.
Dhe sërish, qëndroj aty, sepse ka diell.
Një diell që shpirtin s’ e ngroh,
As zemrës s’i bëhet strehë.
Një diell që ëndrrat kafshon.
E gjer’ thellë në asht,
një nga një i shpon.