E diela pooetike me Elvira Zeneli

Elvira Zeneli

Gonxhja që S’u Çel Kurrë

Në këtë mbrëmje të vonë maji m’u shfaqe përsëri,
Si dikur — me buzëqeshjen e kthjellët si dritë hëne.
Hapa buzët të të flisja… por zëri m’u tret në heshtje,
Se dikur, pa e kuptuar, në zemrën tënde kisha mbjellë gurë e dhimbje.

Si flutur pranvere me hapa të lehtë më kalove pranë,
Pa ma falur atë vështrim që dikur më ndizte shpirtin.
Nëpër damarë të ishte derdhur ftohtësia e indiferencës,
Ndonëse në sytë e tu lulëzonte ende e njëjta pranverë.

Dhimbjen e ndjeva të më pushtonte ngadalë thellësitë e qenies,
Sepse kurrë s’të desha me madhështinë që ti meritoje.
Ah, sikur koha të kthehej edhe një herë pas,
Do të të falja dashuri, ashtu si ti ma fale dikur mua.

Nuk doja ta besoja se të kisha humbur përgjithmonë,
Por kur dashuria vritet, pendesa mbetet veç hije e vonë.
Egoizmi ma mundi shpirtin e lodhur e krenar,
E në kopshtin e zemrës sime do mbetesh përherë gonxhe e pahapur.