Mbrëmje poetike me Valbona R.Hadri

Valbona R.Hadri

Vetëm sonte

Pije një kafe edhe me fantazmën time, i tha dielli hënës në perëndimin e tij. Në qiellin e verës vezullonin ca yje, dhe bota kishte rënë në qetësi.

Në kopshtet e freskëta shushurinte ujvara, me flokë të argjendtë si një vajzë. Mua, befas, më erdhën ca mendime të bardha, dhe kujtimet më rrethuan sakaq.

Sa herë ishim përqafuar nën shushërimat e saj, sa fjalë kemi thënë dhe sa betime! Ato janë shuar, janë fikur në një skaj, janë shndërruar, ndërkaq, në kujtime.

Shushurima e gjetheve në pemët e larta mundohet të na rikthejë sërish, por gjithçka që vdes e mbulon pluhuri dhe balta, dhe kohërat marrin emrin mërzi.

Ne u ndeshëm të dy në dremitjen e natës, kur dielli ishte zhdukur në terr. Por unë prapë hedh vështrimin në qiellin e largët, sepse malli për ty shpesh më merr.