Sebahate Xhema
Brenda guacës
Heshtja më rriti në thellësi
ku ëndrrat flinin pa zë, pa fuqi
atëherë kur nata s’kishte fund
flija e mbështjellë
me heshtjen që m’përkund.
Aty u rrita në thellësi
ku ëndrrat flinin pa zë, pa fuqi
Vite të tëra qëndrova në heshtje
pa parë një rreze drite
pa njohur mëngjeset.
Por, një ditë, mes errësirës së gjatë
dëgjova një zë që më thirri ngadal
mos ke frikë, nata s’është përjetë
edhe guaca hapet kur lind një jetë.
Por, ajo jetë s’lindi kurrë
as drita që e prisja dikur
E mbylla n’shpejtësi, pa bërë zë
s’doja askënd të më shoh më.
Që atëherë, guaca
s’është më vetëm vendi
ku u mbylla qysh në rini
është bërë streha ime
vendi ku jam mësuar të rri.
Nuk dua më të hapem
as të pres një dritë
brenda kësaj guace
kam mësuar të rri
dhe nëse bota troket jasht
le të trokas, unë nuk do të dal.


