Gladiola Busulla
Nebo sibi nascitur
(Askush nuk jeton vetëm për veten, por nuk duhet të humbasësh veten për të tjerët)
Ka një lloj dhembjeje që nuk vjen vetëm nga ajo që të bëjnë të tjerët, por edhe nga ajo që i lejon vetes të pranosh, ndërkohë që thellësia jote e di se diçka nuk është në rregull.
Jam e zhgënjyer. Nga njerëzit, nga rrethanat, nga zgjedhjet e gabuara, por mbi të gjitha nga vetja ime. Jo sepse nuk dija të dalloj të mirën nga e keqja, por sepse shumë herë nuk isha unë ajo që vendoste për jetën time. I lashë të tjerët të vendosnin, të udhëhiqnin, të më tregonin se çfarë duhej të mendoja, çfarë duhej të besoja dhe cilën rrugë duhej të ndiqja.
Ndoshta nuk isha e dobët. Ndoshta isha thjesht e frikësuar. Frikacake përballë së vërtetës sime, përballë kundërshtimit, përballë mundësisë që të mbetesha vetëm duke mbrojtur atë që ndieja. I shihja të tjerët si më të ditur, më të zotë, më të sigurt, sikur ata e kuptonin jetën më mirë se unë. Dhe kështu, pa e kuptuar, fillova t’i besoja më shumë zërave të tyre sesa zërit tim të brendshëm.
Por intuita ime… ajo nuk heshti kurrë.
Ajo më pëshpëriste të vërtetën në çastet kur të gjithë të tjerët flisnin me bindje. Më paralajmëronte kur diçka nuk shkonte, më trazonte shpirtin kur po merrja drejtimin e gabuar, më bënte të ndihesha e pasigurt edhe atëherë kur të gjithë më thoshin se gjithçka ishte në rregull. Unë e dëgjoja. E ndieja. Por nuk kisha guximin t’i jepja të drejtën të vendoste.
Sepse zëri im nuk ishte mjaftueshëm i lartë.
Nuk arrinte decibelin e duhur për t’u dëgjuar mes bindjeve të të tjerëve, mes autoritetit të tyre, mes sigurisë së rreme që më impononin. Dhe sa herë përpiqesha të flisja, diçka brenda meje më ndalte. Ndoshta frika se mos gabohesha. Ndoshta frika se mos zhgënjeja dikë. Ndoshta ajo bindja e hidhur se të tjerët dinin më mirë se unë.
Dhe ja ku jam sot…
Me plagë që nuk duken, me kujtime që më rëndojnë dhe me një shpirt që përpiqet të kuptojë se në cilin çast e braktisi veten. Sepse ka vendime që nuk i ke marrë vetë, por pasojat e tyre i mbart ti. Ka rrugë ku nuk ke dashur të ecësh, por ke ecur sepse dikush tjetër të bindi se ajo ishte rruga e duhur. Dhe ka të vërteta që i ke ditur që në fillim, por nuk ke pasur guximin t’i thuash me zë të lartë.
Ndoshta kjo është ajo që dhemb më shumë: të kuptosh se nuk të mungonte gjithmonë përgjigjja, por guximi për ta mbrojtur atë.
Sot nuk dua t’i fajësoj të gjithë, as të justifikoj veten. Dua vetëm të pranoj se edhe unë kam fajin tim në këtë dhembje. Duke u përpjekur të mos zhgënjeja të tjerët, kam zhgënjyer veten. Duke kërkuar miratimin e tyre, kam humbur paqen time. Duke besuar se ata ishin më të mirë, më të zotë, më të drejtë, kam harruar se edhe unë kisha një mendje për të gjykuar, një zemër për të ndier dhe një intuitë që meritonte të dëgjohej.
Dhe ndoshta, nga të gjitha plagët që kam marrë, kjo është më e thella: të jesh e lënduar nga të tjerët, por ta dish se një pjesë e dhembjes mund të ishte shmangur, po të mos kishe heshtur ndaj vetes.
Nuk mund ta ndryshoj atë që ka ndodhur. Nuk mund të kthehem pas dhe t’i jap zë asaj gruaje që atëherë nuk pati guximin të fliste. Por mund të ndalem së dënuari atë që isha. Sepse edhe ajo kishte frikë, edhe ajo kërkonte të bënte gjënë e duhur, edhe ajo besonte se duke u bindur do të shmangte dhimbjen.
Nuk e dinte se heshtja, ndonjëherë kushton shumë më shtrenjtë se një gabim.
Sot jam e zhgënjyer nga shumë gjëra. Por dua të besoj se zëri im nuk ka nevojë të jetë më i lartë se i të tjerëve; ka nevojë vetëm të mos shuhet kur bëhet fjalë për të vërtetën time.
Sepse në fund, njerëzit mund të largohen, mendimet mund të ndryshojnë dhe bindjet mund të shemben. Por unë do të mbetem me veten time.
Nuk dua më ta tradhtoj veten për t’ u pranuar nga të tjerët.
Kam humbur mjaftueshëm duke mos qenë vetvetja. Dhe nuk dua të vazhdoj ta humbas veten time.



