Caste poetike me Emine S. HOTI

Emine S. HOTI
Norvegji

Rroftë sa malet rinia shqiptare!
Jeni bij e bija të Ilirisë së lashtë,
të Agronit dardan dhe guximtar,
të mbretëreshë Teutës legjendare,
të Gentit të ditur e Glaukut bujar.

Jeni vazhdim i Gjergj Kastriotit,
i Margaritës, si lule pranverore,
Norës, Tringës, Shotës, Xhevës,
të Shën Terezës madhështore.

Në duart tuaja të forta dhe rinore,
prini me flamurin e Skënderbeut
me vështrimin drejtë së ardhmes,
në rrugën e ndritur të mëmëdheut.

Ju jeni sot “dallgë” të fuqishme,
të kësaj kohe të turbull me stuhi,
jeni yjet dhe stolitë tona të vyera,
pararojë për të drejta, demokraci.

Jeni brezi i dijes edhe i shkencës,
dritë përhapës të Shqipërisë sonë,
ju i jepni energji atdheut t ‘dashur,
ndihemi krenarë, shpirti na gëzon.

Ju s’kërkoni urrejtje dhe armiqësi,
e dini se përçarja keq na dobëson,
kërkoni drejtësi, dinjitet edhe liri,
doni ardhmërinë e kombit tonë.

Gjithnjë rinia vjen si një uragan,
me dritë në sy, me besim e guxim,
rini e bukur, pranvera e kësaj toke,
je drita që do të sjellësh ndryshim.

Në atdheun tonë dikur të shtypur,
sot fluturon e lirë shqipja krenare,
ndaj nga Norvegjia unë brohoras:
Rroftë sa malet rinia shqiptare!