Bashkim Saliasi
UDHËPËRSHKRIMI I JETËS
Sa shpejt rrjedhin vitet!
Shpeshherë qëndroj dhe hedh vështrimin nga e kaluara. Mendimet më trazohen duke më çuar hera-herës në periudhën e fëmijërisë, moshën e rinisë dhe vitet e punës, për kohën që kalova në fshatin e lindjes, në Dobrushë, vitet në shkollën e mesme, stazhin në prodhim,
peripecitë për vazhdimin e shkollës së lartë dhe mbarimin e ILP-së në Shkodër.
Më pas emërimi në shkollën 8-vjeçare, në Kakrukë, mbrojtja e diplomës, zbori ushtarak, emërimi në shkollën 8-vjeçare Therepel, transferimi në shkollën e bashkuar “Ilmi Koxhaj” Bargullas, vitet e punës në këtë shkollë dhe transferimi në shkollën 8-vjeçare Pronovik. Më
kujtohen vitet e emigrimit në Greqi, emërimi në shkollën e mesme “Avni Kondi”, Poliçan, transferimi në Tiranë, vitet e punës në ndërtim dhe përsëri kthimi në profesionin e nderuar të mësuesit, në Valias. Nga Valiasi u transferova në shkollën “Vëllazërimi” Babrru-Fushë, ku dhe
mbylla karrierën e mësuesisë e dola në pension.
Ja, për këto ngjarje të ngulitura në memorien time do të shkruaj në rubrika të veçanta.
Mendimet më çojnë në largimin nga fshati i lindjes, Dobrusha, dhe fillimi i studimeve në
shkollën e mesme pedagogjike në Fier, në vitet ’70-74, stazhin në prodhim në Staraveckë, më
16 gusht-1 tetor, në shtëpinë e kulturës “Riza Cerova”, më 2 tetor-30 nëntor në Çorovodë.
Kujtoj aksionin e rinisë në hekurudhën Fier-Ballsh, më 1 shkurt 1975-10 mars 1975 dhe përsëri
në hekurudhën Elbasan-Përrenjës, në sektorin e Urakës, më 1 maj 1975-30 maj 1975. Nuk
harroj pushimet e verës, kur punoja në ndërmarrjen rruga-ura, në ndërmarrjen e ndërtimit apo
dhe në bonifikim etj.
Ecejaket Dobrushë-Çorovodë për sigurimin e të drejtës së studimit, miratimi i të drejtës së studimit në Shkodër, me përkrahjen e Sekretarit të Parë të rrethit Myzafer Sulejmani, dy herë vajtje-ardhje në Shkodër brenda tri ditësh, 29-31 gusht 1975 dhe pranimi në ILP, dega
biologji-kimi. E nisa shkollimin me aksionin në Lukovë në muajin shtator 1975, pastaj student në vitin e parë 1975-1976, ekspedita 15-ditore në Vlorë, në muajin maj të vitit 1976 dhe punësimi dymujor në pushimet e verës në ndërmarrjen rruga-ura Bogovë. Vitin e dytë si student e nisa me zborin ushtarak në Vaun e Dejës, ekskursionet në Razmë dhe në Theth, ekspeditën e zoologjisë në vitin 1977 në Lezhë, në muajin maj dhe aksionet për çdo ditë të diel në vjeljen e pambukut dhe misrit në kooperativat e rrethit Fier dhe Shkodër. Përfundova me sukses vitin e dytë dhe përsëri punësim dymujor në ndërmarrjen e ndërtimit, në hapjen e tunelit në Guhak te Ura e Kasabashit, ku vagoni më sakatoi dy gishtat e dorës së majtë dhe falë boshatisjes së gurëve që nuk ranë menjëherë, shpëtuan gishtat e mi pa u prerë. Edhe vitin e tretë e sjell ndër mend me sukseset dhe problemet e veta.
Për të fituar të drejtën e studimit në Institutin Pedagogjik Shkodër në vitet 1975-1978 m’u desh që të zbres në Çorovodë, në Komitetin e Partisë babanë e sëmurë, për takim me sekretarin e parë të rrethit, Myzafer Sulejmanin. Në fund, pasi mbarova vitin e tretë, kalova në
stazh në shkollën 8-vjeçare Kakrukë dhe, pas tij në mbrojtjen e diplomës. Në muajin korrik 1979 bëra zborin 5-mujor në Labinot-Fushë, në Elbasan.
Më 1 dhjetor 1979 u emërova në shkollën 8-vjeçare Therepel, ndërsa më 10 shtator 1980, së bashku me time shoqe, Angjelinën, filluam punë në shkollën e bashkuar “Ilmi Koxhaj”, Bargullas. Në Nishovë, krahas shkollës 8-vjeçare, ishte hapur dhe shkolla e mesme pa shkëputje nga puna në profilin agronomi, në të cilën unë punova 7 vjet, duke dhënë lëndët e profilit bujqësor, si: bujqësi e përgjithshme, bimë arash, pemë frutore, mbrojtje bimësh etj.
Në shtator të vitit 1987 u transferova në shkollën 8-vjeçare Pronovik, ku qëndrova deri në vitin 1992. Pak kohë punova në shkollën 70-vjetori i Pavarësisë në Poliçan, në vitin shkollor 1992-‘93. Në janar të vitit 1993 mora emërimin në shkollën e mesme “Avni Kondi”, Poliçan e
punova deri në vitin 1997. Nga viti 1997-2004 punova në ndërtim në zanatin e punëtorit dhe pas një viti në atë të hekurkthyesit.
Në shtator të vitit 2004 deri në vitin 2014 punova në shkollën 9-vjeçare “Niko Hoxha”, Valias. Nga shtatori i vitit 2014 deri në shtatorin e vitit 2019 punova në shkollën “Vëllazërimi”, në Babrru-Fushë në detyrën e zv.-drejtorit. Dhe më në fund, i mbylla me sukses vitet e punës,
më 25 shtator 2019 në shkollën “Vëllazërimi”, Babrru-Fushë, Paskuqan, Tiranë. Në mendje më vijnë çaste gëzimi dhe hidhërimi që tani janë mbyllur si një libër, që kërkon një mendje të freskët për t’i shfletuar dhe hedhur në letër kujtimet e rinisë dhe jetës në fshatin e lindjes, vitet e punës dhe transferimi për në Tiranë. Ardhka një ditë që ngjarjet e jetës nga e shkuara, përzihen e ngatërrohen në mjegullnajën e përhimtë të kohës. Sapo kujtoj një episod të jetës, pa kaluar shumë kohë më shfaqet një ngjarje tjetër e duke u çapitur nëpër rrugët e Tiranës, kujtimet më çojnë tutje në vitet e rinisë. Ato ikin dhe nuk kthehen kurrë, por ua lënë rrugën të hapur kujtimeve, që vijnë vetvetiu, siç gjejnë rrugën zogjtë shtegtarë që kthehen në pranverën e ardhshme në vendlindjen e prindërve të tyre, në çerdhen, ku ata u rritën dhe u maturuan për shtegtim. Edhe kujtimet e mia më çojnë tutje në kohën e rinisë dhe viteve të punës ku u rrita, u burrërova dhe u përshtata me kushtet e jetës
që hera-herës më vijnë në memorie. Sa herë, kur bie e zgjohem nga gjumi, mendja ime më shkon te mali i shenjtë Tomor, Bregu i Veshtit ku gjenden varret e prindërve të mi, arat tona në Mbollë, Kryza, Bregu i Veliut, Bregu i Erës, Selishtat, Gropa e madhe, Ara e Miminit, Varri i Janit, Stanet, Dushku, Sotobardha, Raduli, Çesmatiku, Rrasa, Mëni i Sabriut, Arat e Çoros, Varrësa, ara e Flamurit, Bregu i Shëmtirit, ara e Nasipes, arat e Kalos, Dardha e butë, Seva e Metikos dhe Meleqit, arat e Gropës së Meçit, arat në Hereke, Kallfa e Metikos, arat në Plepëz, arat në Prosek, arat në Selishta, arat në Stane, arat në Shëmill, arat në Shkëmb, arat në Vlad, arat në Kuptim, arat
në Vromas etj., etj. …
Kur përfytyroj fëmijërinë, para syve më del gjyshe Slimja, baba Metiku, babai ynë Meleqi, nëna jonë Nokja, kushërinjtë e parë, djemtë e Metikos, Njaziu dhe Sinani, kushërinjtë tanë Gjençi dhe Haxhiu, komshinjtë Tefiku dhe kushëriri i babait Novruz Bejko, fëmijët dhe
bashkëshortet e tyre etj. Kujtimet nuk reshtin kurrë. Para syve më dalin moshatarët e mi: Avniu i Haxhiut, Bakiu, Enveri dhe Gëzimi i Tefikut, nipërit e mi: Fatmiri, Besniku e Meçani, Luani e Njaziu, Xhevahiri e Maksimi, djemtë e Sinanit etj. Kujtoj me dhimbje vitet ‘68 – ‘77 – ‘78, kur në familjen tonë ndodhën fatkeqësitë e largimit nga jeta të njerëzve tanë të dashur, fillimisht e Metikos në muajin mars të vitit 1968, më pas e djalit të tij, Njaziut, në muajin dhjetor të vitit 1977 dhe në vitin 1978 humbja e jetës së prindërve të mi, Naimesë dhe Meleqit.
E para ndërroi jetë nëna, më 4 maj të vitit 1978 dhe pas gjashtë muajsh, më 11 dhjetor 1978 ndërroi jetë edhe babai. E ditët, muajt, vitet ikin tutje dhe hera-herës kujtesa ime ngacmohet nga ngjarje që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time.
Nuk kam si të harroj përpjekjet e familjes sonë, që të ingranoheshim dhe të ecnim me hapin e kohës. Ngjarje e veçantë për ne ishte ndërtimi i dhomave me tavan, që bëri babai ynë me Beshirin, djalin e kunatit të madh, Faikut, në vitet ’60 dhe më pas ndezja e llambës
elektrike në vitin 1968, blerja e radios dhe më vonë e televizorit bardhezi, pas elektrifikimit të fshatit tonë, në vitin 1968.
Futja e ujit të pijshëm në familjet tona, përdorimi i hekurit, dushit dhe sigurimi i enëve të
kuzhinës janë ngjarje që kanë lënë gjurmë në kujtesën time.
Hera-herës, më trazojnë ca ndjenja, emocione dhe malli që më sjell fëmijëria dhe vitet e shkollës fillore. Në përgjithësi, të gjitha shtëpitë në Dobrushë ndërtoheshin me gur të skalitur dhe mbuloheshin me rrasa guri të zi. Për qereste përdorej lënda e drurit të lisit, plepit, ilqes,
ahut etj., që sigurohej nga pyjet që qarkonin fshatin tonë.
Nuk kam si të harroj vjeshtën e begatë dhe dimrin e ashpër që kalonim në fshatin tonë.
Rezervat dimërore dhe drutë e dimrit i siguronim që në vjeshtën e parë. Dobrusha kishte më shumë se 85-90 shtëpi. Burrat e vjetër në përgjithësi visheshin me rroba shajaku, pantallona qillota dhe pallto leshi.
Më të rinjtë përdornin për veshje dimërore rrobat e stofit apo dokut. Burrat e vjetër mbanin në kokë qylaf të zi, që ngjasonte me kapelet ushtarake, kurse më të rinjtë përdornin kapele stofi me strehë. Në përgjithësi burrat e vjetër mbanin orë xhepi me qostek, që i varnin
në xhamadanët e tyre, kurse pas viteve ’60-’70 të rinjtë filluan të mbanin orë të markës sovjetike. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, përdornin orë të markës kineze.
Grat e fshatit tonë visheshin bukur. Ato më të vjetrat mbanin në kokë çember të bardhë, kurse të rejat shami koke. Gratë, para se të bëheshim kooperativë, qëndronin në shtëpi, por pas kolektivizimit edhe ato dolën në ara për të punuar bashkë me burrat.
Në përgjithësi, familjarët e fshatit tonë bënin shumë kujdes për higjienën dhe pastërtinë. Muret e avllisë në ditën e festës së Sulltan Novruzit lyheshin me gëlqere dhe në oborret e shtëpisë mbillnin lloj-lloj trëndafilash dhe bimë të tjera zbukuruese, si: menekshe, lulepatate,
karafila, borzilok etj. Për lulet kujdesej ime më, Nokja. Ajo ishte meraklie, sidomos për llojet e borzilokut, menekshetë, zymbylat, lulepatatet etj. Një kujdes të veçantë familjarët tregonin për dhomën e miqve. Ajo qëndronte gjithmonë e shtruar me qilima, që përgatiteshin nga gratë e familjes në mënyrë artizanale, me vegjë dhe, pasi çoheshin në dërstil në Mullirin e Ferrës, i përdornin për shtroje të përditshme.
Dhomat e miqve anash rrethoheshin nga jastëkë të mbushur me lesh, kurse mbi qilima shtroheshin shilte të punuara nga gratë më të vjetra. Pas viteve ’68 filluan të përdoren nimet (minderët), që përgatiteshin nga vetë familjarët, me rripa kamerdareje dhe të mbushura me një
lloj bari, që rritet në malin e Ramijes të quajtur “çipec”. Më vonë këto nime u zëvendësuan me divanë që tregtoheshin nga ndërmarrja tregtare. Në përgjithësi, të gjitha dhomat ishin të pajisura me oxhak dhe pas viteve ’70, kur hyri soba me dru, oxhakët përsëri nuk u prishën, por u ruajtën për ditët e ftohta të dimrit.
Kudo në fshat, deri në vitin 1975, ndihej aroma e bagëtive. Pas vitit ’75 bagëtitë e imëta u dorëzuan, por fshati ynë qe me fat që nuk arriti të dorëzojë edhe lopët. E kaluara e largët më afron gjithnjë e më pranë bashkëmoshatarët e mi, ngjarje dhe mbresa të shumta, që ngacmojnë vazhdimisht kujtesën time dhe më thërrasin:
-Hë, po më kujton edhe mua pak?!
Vazhdon …
Redaktoi e korrektoi Muhamet Cenko
Tiranë, më 10.11.2026


