Mbremje poetike me Valbona R.Hadri

Valbona R.Hadri

Piktura e përjetësisë

Pamje e bukur, pak rrëqethëse,
Me ngjyrat e arta, si ëndërr vjeshte.
Ngarendnin gjethet në vallëzim,
Të zinin vend në një pikturë pa mbarim.

Njëra ra lehtë, tjetra me nxitim,
Një tjetër era e mori në përqafim.
Papritur të gjitha u shkëputën ngadalë,
Trungu i gjorë mbeti me lot dhe mall.

Përse më latë kështu të zhveshur,
Pa gjelbërim, pa hije, e pa buzëqeshur?
Tani dhe zogjtë larg do të shtegtojnë,
E degët e mia më s’do të këndojnë.

Do të vijë ngrica, acari i bardhë,
Do të më mbulojë dimri i gjatë.
Si do ta përballoj këtë vetmi,
Pa gjethet e mia, pa zogj, pa ngrohtësi?

Toka u shtrua me ar e stoli,
Vjeshta pikturoi të sajën bukuri.
Çdo gjë që lind, një ditë ndryshon,
Por shpresa e jetës kurrë nuk perëndon.

Se pas çdo dimri, pranvera do të vijë,
Me rreze të arta, me gjallëri.
Trungu i zhveshur sërish do të lulëzojë,
Me gjethe të reja jetën do ta vazhdojë.