Adifete Shiti
E HUAJ NË NDJENJAT E MIA
Këtë mbrëmje sërish ndjeva vetminë,
heshtja më kishte kapluar.
E strukur në cep të dritares,
vështroja shiun teksa pikonte,
por, çuditërisht,
çdo pikë më ngjante me lotët e mi.
Kisha mbetur e huaj në ndjenjat e mia,
si jetime në dashuri,
pa një strehë ku të prehja shpirtin,
pa një zemër ku të gjeja ngrohtësi.
Dora që dikur përkëdhelte,
sot mëson të thotë lamtumirë.
Syri që dikur shihte me dashuri,
sot mbushet me lot.
E buza që dikur puthte,
tani dridhet në heshtje,
heziton të shqiptojë qoftë edhe një fjalë.
Ishin kohë të arta,
por natyra e kohës na i rrëmbeu.
Ne mbetëm të huaj në historinë tonë,
si dy udhëtarë që humbën rrugën
në një botë që dikur e ndanin bashkë.
Dikur, mes rreshtash e vargjesh,
e gjenim njëri-tjetrin,
i thurnim dashurisë histori të pafundme.
Kurse sot, as në historitë më pikëlluese,
nuk mund ta gjejmë më atë që ishim.
E tani pyes veten:
A ishte mëkat i yni
apo i kësaj bote,
që na mësoi të ndahemi,
por harroi të na mësojë
si të dashurojmë?



