Kadri Tarelli shkruan:
Për fat të keq, historia shqiptare shpesh është e ashpër me figurat e mëdha: i harrojmë, i anatemojmë, i ofendojmë e ndonjëherë edhe i vrasim. Kjo shpesh na lë të mallkuar brenda vetvetes, në përplasje midis sojeve dhe interesave të ngushta. Mehmet Prishtina.
10-VJETORI I SHKOLLËS 9-VJEÇARE, PUBLIKE, “ABEDIN DINO”
Një ngjarje e veçantë për arsimin në Durrës.
E shtunë, më, 21, të vjeshtës së tretë, 2026, në mjediset e QKF. së Durrësit, u zhvillua një koncert festiv në përkujtim të 10-vjetorit të vendosjes së emrit, shkollës 9-vjeçare publike, “Abedin Dino”, në Plazh të Durrësit. Veprimtari që po e quaj me të drejtë një ngjarje e veçantë, për shkollën dhe arsimin në Durrës dhe më përtej Durrësit.
Salla ishte mbushur plot e për plot, me të ftuar dhe personalitete të ardhur nga Durrësi, Shijaku, Tirana, Vlora, etj, etj. Ishte një krijim dhe bashkëpunim i përkryer, mes Drejtorisë së shkollës, përfaqësuar nga drejtore Miranda Lila, dhe kolektivit mësimor, që mbështetën këtë
veprimtari me vlera mësimore dhe histori atdhetare. Unë dhe shumë të tjerë, as që e mendonim se nxënësit e klasës së V-të, të
ciklit të ulët, do të ngrinin peshë të pranishmit në sallë, duke filluar me “Himnin” e shkollës, përgatitur dhe drejtuar mjeshtërisht nga mësuesja Lindita Gera Rushiti, ideatore dhe organizatore e këtij koncerti festiv. Nuk e teproj të them se mbetëm të mrekulluar nga recitimi i nxënësve, të vargjeve të shkruara dikur nga Abedin Dino.
Mjaftontë citoj disa vargje, si thirrje për bashkim, të shkëputura nga vjersha e tij e parë në gjuhën shqipe: ‘Këngë për Shqipërinë e shqiptarëvet’, e përbërë prej 64 vargjesh.”
“Ju o Shqiptarë ndë doni
nga i huaji të shpëtoni.
Bëhuni një e luftoni.
Gluhënë tuaj të shkroni,
Shqip të flisni e të këndoni!”
Një zë që vjen nga Ciceroni i lashtësisë na thërret, që ta dëgjojmë mirë: “O popuj ruani figurat e mëdha se nëpërmjet tyre do t’u njohë bota”. Historia e kombeve shkruhet nëpërmjet “Heronjve” që lenë gjurmë dhe emër të ndritur. Kështu është edhe Abedin Pashë Dino, një personalitet me peshë të rëndë në historinë tonë kombëtare. Ai ishte diplomat i madh, Ideolog, rilindas i shquar, figurë e rëndësishme
e lëvizjes kombëtare shqiptare, jo vetëm e Çamërisë, por e gjithë trojeve shqiptare.
Ai ishte shpirti dhe zemra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Abedin Dino, me talentin e tij krijues, ka bërë që emri i tij të mos përmendet vetëm si një politikan dhe diplomat i zoti, por edhe si një krijues dhe përkthyes i disa gjuhëve. Poezitë atdhetare të këtij burrë shtetasi, janë thirrje për zgjimin kombëtar, mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe bashkimin kundër copëtimit të trojeve. Krijimet e tij të shkruara, ndërthurin frymën e romantizmit evropian të shekullit XIX, me kërkesën për
liri dhe vetëqeverisje të trojeve shqiptare. Nëse do të vazhdoj të shkruaj për këtë figurë madhore të kombit, nuk do t’i shtoj asgjë më shumë librit monografi, “Abedin Dino – Martir i Bashkimit Kombëtar”, të autorit Ahmet Mehmeti, i cili ishte i pranishëm, duke nderuar këtë festë kaq të bukur dhe simbolike. Ai vlerësoi organizatorët, pasi kështu njihen dhe vlerësohen figurat e mëdha të kombit, duke u bërë pjesë e shpirtit intelektual te të vegjlit sot, nesër qytetarë të këtij vendi.
Në vazhdim duhet thënë se i pranishëm në këtë ngjarje të madhe ishte edhe Alket Veliu, drejtusi i fondacionit Çamëria, “Hasan Tahsin”, ardhur nga Tirana, i cili përshëndeti të pranishmit, duke i dhënë festës përmasa kombëtare.
Në festë ishte i pranishëm edhe Aqif Dino, sot qytetari i Shijakut, pasardhës i familjes së madhe të Abedin Pashë Dino, i cili renditi me radhë paraardhësit e familje së tij të madhe, nga e cila trashëgon jo vetë emrin, por edhe dashurinë dhe krenarinë, pse jo edhe dhimbjen për tokën dhe historinë e Çamërisë, si pjesë e shqyer nga trungu i kombit shqiptar, përdorur nga fuqitë e mëdha, për të kënaqur interesat dhe lakminë e fqinjit jugor.
Më pëlqen të citoj pak fjalë të Aqif Dinos:
– Emocione pa fund, jo vetë unë, por pashë se edhe shumë të tjerë që kishi
sytë me lot.
. E para… nga kori i nxënësve, që na la pa fjalë.
. E para përsëri… djaloshi me veshjen e Pashait, i cili recitoi plot pathos poezinë e Abedin Dinos, “Shqipëria”.
. Dhe e para përsëri… Emmi Rushiti, vajza e mësuese Linditës, e cila prezantoi si artiste e vërtetë gjithë festën.
Gjatë festës, poete dhe drejtore e shkollës “14 Nëntori”, Durrës, njëkohësisht edhe n/kryetare e Federatës të Paqes Universale, dega Durrës, dorëzoi një vlerësim të veçantë për mësuesen Lindita, me çertifikatë si anëtare e këtij formacioni ndërkombëtar për paqe. Ndër të tjera ajo theksoi: Lindita e meriton anëtarësimin në Federatën e Paqes Univerasle, si mësuese dhe “Misionare e dijes”, mbase edhe për një arsye tjetër më madhore. Lindita ishte nismëtare dhe organizatore e mbledhjes dhe grumbullimit të librave këtu në Durrës, për të pajisur bibliotekën e librit shqip, që u hap nga studentja Emira Selimi, në qytetin e Manastirit (Bitola), me rastin e 115- vjetorit të Kongresit të Shkronjave Shqipe. Ditë që u kujtua dhe u festua më, 22, të Nëntorit, 2023, ku të pranishëm ishim edhe ne, një grup nga qyteti i Durrësi. Një
veprim që ne e çmojmë sot, ndërsa koha do ta vlerësojë si akt madhor të shpirtit atdhetar të mësuese Linditës.
Çdo gjë foli, u shikua dhe u dëgjua çamërisht, që nga recitimet, këngët, vallet, kostumet kombëtare të trevës, përfshi edhe pamjet e transmetuara në monitor, nga trojet e mrekullueshme të Çamërisë, Parga, Preveza, Gumenica, etj, etj. Edhe
ansambli i “Çamëria” ardhur nga qyteti i Vlorës, me këngët dhe vallet i dha të tjera përmasa kësaj veprimtarie. Për të gjithë të pranishmit ishte një festë që do mbete gjatë në kujtesë.
Kujdesi nuk u shmang asnjë çaste. Sepse në hollin jashtë sallës së koncerteve ishin shtruar tavolinat me gatime të traditës çame, si pjesë e
trashëgimisë që vazhdon të shoqërojë jetën e këtij komuniteti në Durrës e më gjerë.
Në fund, për ta mbyllur këtë shkrim po përmend pak fjalë të mësueses Lindita:
– “U mblodhëm për të nderuar emrin “Abedin Dino”, që mban shkolla jonë. U mblodhëm për të kujtuar rrënjët tona, krenarinë dhe dhimbjen. U mblodhëm për të nderuar njerëzit që i shërbyen dhe i shërbejnë kombit, njëkohësisht për t'i përcjellë brezit të ri dashurinë për historinë, gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar”.
Urime dhe suksese në punën tuaj fisnike, si “Misionare e dijes dhe edukimit”.
Le të shërbejë kjo veprimtari si simbol i dashurisë për mëmëdheun, si model i përkryer edukimi me ndjenjat atdhetare të nxënësve tanë, si një përvojë mësuesie se po të mbështetesh te nxënësit, arin gjëra të mëdha. Dhe gjërat e mëdha nuk krijohen me urdhër, por vetëm me dashuri e përkushtim.
Jam i bindur se ju meritoni më shumë. Kjo veprimtari e vlen të shfaqet në të gjitha shkollat e Durrësit.
Urime dhe mirënjohje!
Kadri Tarelli
Durrës, më, 24, të vjeshtës së tretë, 2026.


