Poezi nga Gladiola Jorbus
Kur…
E brishtë si një degë – që pret të thyhet
kur muzgu bie mbi det.
Pupëlore si një re – që ecën në majë të gishtave
kur mjegulla botën e kaplon.
E pamasë si qielli – që jeton në hapësirën e pafundme
kur fryma zihet ngushtë.
E ftohtë si një fjollë dëbore – që ëndrrat drithëron
kur dhembja troket.
E shndritshme si një rreze – që zbeh vetminë e shpirtit
kur errësira lëkundet në djep.
Kjo jam unë !
Pasi stinët
i zhveshëm së bashku.
Dhe buçima e lotëve
u shndërrua në këngë.
Analizë nga Hasan Selimi
Nëse do të lexosh një poezi duhet ta lexosh poezinë e Gladiolës ’’Kur’’. Nëse gjen një poezi që rrëshqet amël si koha, që shndërron brishtësinë në kërkim të stinës së rradhës sikur retë që ngjajnë me valltaret e kohës që kërcenin në majë të gishtave, njerëzorja emrin e dërgon në hapësirën e pafund. Më ka ndodhur që frymën e kam zanë ngushtë, më ka ndodhë që zanin e kam mek duke thirrë, por nuk m`ka ndodh ta frikësoj andrrën e ta baj të dridhet. Dhimbja është e ndrojtur në trokitje, por errësirën në djep mos e mbani, sepse do ju mallkojë e ardhmja. Kështu porosit poetja! Ajo zhvesh stinët njërën pas tjetrës deri në agimin e kohës – dritë. Pentagrami i lotëve bën muzikën si stinën pranverë. Mendojeni që të vijë sa më parë!