Vebi Bexheti
5 Maji, Dita e Luleve
Të nderuar bashkëkombasit e mi, sot është 5 Maji, Dita e Luleve, një ditë që na e kthen kujtesën në kohëra kur kjo ditë, që i paraprin Shëngjergjit (6 Maji) pritej e përcillej me dashurinë më të madhe nga shqiptarët, sidomos nga të rinjtë, djem e vajza, që nga kjo festë përfitonin diçka më tepër, meqë në takimin tradicional në një vend të caktuar të natyrës kur shpërthente gjethi në ahishtë, e lulet çelnin, kishin mundësinë që të shiheshin e të takoheshin me njëri tjetrin në mënyrë publike.
Kjo ditë që bashkë me atë të Shëngjergjit, festohen më datë 5 dhe 6 Maj, për shqiptarët dhe shumë popaquj tjerë, nuk ka të bëjë fare me çështje fetare, prandaj as që ka arsye të sulmohet nga qarqe të ndryshme, disa nga të cilat me kritika kinse qenka antifetare e në dëm të besimit islam të tyre, e disa të tjerë ta përvetësojnë se u takuaka vetëm atyre, madje që paskësh karakter fetar të besimit të krishterë.
Me gjithë karakterin mbarëkombëtar në shtrirjen gjeografike, përfshirë Shqipërinë, Kosovën e shumë shtete, tjera ku jetojnë shqiptarët, dhe mënyrën e festimit me pak nuanca ndryshimesh, Dita e Luleve dhe Shëngjergji mbetet festa më e dashur për bujqit, blegëtorët dhe sidomos të rinjtë, që Ditën e Luleve e presin me aq dashuri, mbase e konsiderojnë si të tyren.
Një veçori, që vlen të theksohet me këtë rast, është manifestimi i veçantë, që praktikohet në dy fshatrat e Malësisë së Sharrit të Tetovës, Veshallës dhe Bozovcës, është takimi i djemve, të rinj, burrave dhe vajzave beqare, qofshin edhe të fejuara, në të njejtin vend, pranë një guri, i njohur me emërtimin “Gjuri i Caucave”, që gjendet në vijën kufitare, mes këtyre dy katundeve.
Pas një udhëtimi në këmbë ose me kalë, që zgjat më shumë se dy orë nga Veshalla dhe udhëtimit më të shkurtër nga Bozovca, të rinjtë, djem e vajza takoheheshin në këtë vend “Pelegrinazhi”, që siç thot Lasgushi, shëronte plagët dhe sytë e të rinjve të dy gjinive.
Kur përfundonte qëndrimi disa orësh, në atmosferë gëzimi e hareje, të shoqëruar me valle e këngë vajzash, të përcjella me dajre, ky tubim unikal në botën shqiptare, shpërndahej në disa drejtime të rajonit të “Vardishës”, për të mbledhë lule për kurorë, të cilën e bartnin në kokë deri në katund , ku me to i zbukurinin dyertë dhe enët e ndryshme shtëpiake, e veçmas ato që kishin të bëjnë me blegëtorinë e bujqësinë.
Sipas shumë të dhënave, të bazuara në vlera materiale e shpirtërore të vëtetuara shkencërisht, kjo festë e vjetër dyditore, është me rrënjë nga lashtësia, që lindi si nevojë për mirëqenie njerëzore, për begati natyrore e dashuri për të mirat që i dhuron ajo, siç është ripërtëritja e natyrës e zhvillimi i bujqësisë me blegtorinë. Të gjitha këta fakte dëshmohen përmes ceremonive të shumta, që zhvillohen brenda dy ditëve të kësaj feste dhe lirikës popullore, që në mënyrën më besnike e paraqet të vërtetën lidhur me këtë festë pagane, që nuk dëmton asnjë besim fetar, e që kombin tonë e radhit në grupin e pak kombeve më të vjetra në Evropë me tërë identitetin e palëkunshëm autokton.
Urime dhe gëzuar Ditën e Luleve dhe Shëngjergjin, gjithë atyre që këto festa ende i llogarisin si vlerë e shtuar të etnokulturës sonë kombëtare!
V.B.