Valbona R. Hadri
Shqipja nuk prangoset
Ti, populli im,
që mbi vuajtje e dhimbje
ruajte themelet e qëndresës,
u dëshmove të gjithëve
se ne jemi Shqipe,
bij të një toke
që nuk e harroi kurrë lirinë.
Shqiponja nuk është për kafaz,
as për qiell të huaj;
ajo do të fluturojë e lirë
mbi trojet e veta,
me krahë të hapur drejt diellit
dhe zemrën lidhur me atdheun.
Historia dhe lashtësia jonë
u gdhendën ndër shekuj
me gjak, lot, qëndresë e sakrificë.
E vazhdojnë ta shkruajnë
ata që nuk u përkulën,
ata që dhanë jetën për lirinë.
Në çdo pëllëmbë të kësaj toke
ka një gjurmë, një emër, një kujtim.
Dhe historia vazhdon të shkruhet
me shkronja të arta.
Për ata që ranë,
për ata që ende presin lirinë,
për ata që qëndruan e nuk u dorëzuan,
zëri nuk mund të shuhet pas mureve.
Sepse liria nuk burgoset,
kujtesa nuk prangoset,
dhe dashuria për atdheun
nuk njeh hekura.
Atdheu është kujtesë.
Atdheu është qëndresë.
Atdheu është liri.
Dhe shqiponja jonë
do të fluturojë gjithmonë
e lirë mbi trojet e veta.


