Përgatiti: Gladiola Jorbus
Kompleksi i inferioritetit
A keni takuar ndonjëherë dikë që ju ka bërë të ndiheni inferior apo të dështuar totalisht, ndërkohë që ju e keni konsideruar atë person si modelin më të suksesshëm në jetë? Ndoshta po. Ama gjëja më interesante është se pas një qëndrimi të sigurt dhe madhështor, shpesh fshihet një person i pasigurt.
Kompleksi i inferioritetit është një ndjenjë e thellë e mungesës së vetëvlerësimit dhe besimit në vetvete. Inferioriteti është ndjenja ose besimi se dikush është më pak i denjë, më i pakapshëm ose më pak i vlefshëm se të tjerët. Kjo ndjenjë mund të shfaqet në aspekte të ndryshme të jetës, përfshirë karakteristikat fizike, tiparet, inteligjencën dhe performancën sociale ose profesionale. Disa nga arsyet kryesore për zhvillimin e këtyre komplekseve përfshijnë:
Përvojat negative në fëmijëri siç janë bulizmi dhe kritikat e vazhdueshme.
Krahasimi i vazhdueshëm me të tjerët veçanërisht në epokën e mediave sociale.
Presioni shoqëror në përmbushjen e pritshmërive të shoqërisë ose familjes.
Pritshmëritë e larta personale siç janë vendosja e standardeve të larta për veten dhe mosarritja e tyre.
Trauma dhe abuzimi si përvoja të rënda të abuzimit emocional.
Teoria e Alfred Adler
Teoritë rreth fenomenit të kompleksit të inferioritetit u parashtruan nga psikologu austriak Alfred Adler (1870–1937). Sipas tij kompleksi i inferioritetit është vetëvlerësimi i ulët dhe ndjenja e inferioritetit fizik ose mendor. Personi që ndihet i pasigurt përpiqet ta kompensojë këtë ndjenjë përmes asaj që ai e quan luftë për epërsi. E vetmja mënyrë që këta njerëz mund të përballen me pasiguritë e tyre dhe të kënaqen me veten është të bëjnë të tjerët të pakënaqur. Lufta për epërsi qëndron në qendër të neurozës së tyre.
Sot besohet se kjo luftë për epërsi është një karakteristikë e çrregullimit të personalitetit narcisist, që përfshin një devijim nga zhvillimi normal i personalitetit dhe rezulton në një person që vazhdimisht përpiqet të rrisë vetëvlerësimin e tij.
Si të përballeni me ndjenjat e inferioritetit
Vlerësoni veten duke u përqendruar në arritjet tuaja dhe merrni në konsideratë sukseset, sado të vogla qofshin. Mundohuni të shmangni krahasimet me të tjerët dhe fokusohuni në përmirësimin e vetes. Kërkoni mbështetje emocionale te familja dhe te njerëzit tuaj më të besuar.