Lola Shehi
DO TAKOHEMI NJË DITË
Ashtu si prej kohësh s`kisha dashuruar,
U dashurova sonte me një vesë shi.
Si gardiane e keqe, kocka loti prangosa këmbë e duar
Me frikën se vinin e të gjenin ty.
U dashurova keqas me këtë vesë shiu të bekuar
Se më ndihi t`maskoja mallin që m`pikonte gji
Mashtrova botën kureshtare deri n`frymëmarrje
Le t`mendojë se gjirin po ma lag ky shi!
Zemra nën lëkurë le të çmendet nga rrahjet
Askush s`mund ta dëgjojë në k`të kohë me shi
T`gënjehen se bluzën m`lëkund kjo erë vjeshte
Jo mall` i bekuar që më djeg në gji!
Ky shi, sonte s`la vend pa më puthur
Në sy të botës, pa pikën e frikës se na përgojon
E dashurova si e çmendur k`të shi kryeneç vjeshte
E dashurova si e marrë, pa ditur sa m`dashuron.
Ky shi, sonte m`qetoi mallin
E bota nuk e mori vesh se malli loton…
Do takohemi një ditë
Unë
Dhe malli im…
Pa na parë askush…