Me prozën e Vjollca Aliaj

Vjollca Aliaj

Me kohën…

Eci udhëve të huaja ku edhe trotuaret janë shtruar me asfalt.  Mbi shpinë më rëndon mëngjesi i fundshtatorit. Krrëk-krrëk kërcasin gjethet e shkundura të pemëve. Hapat e mi luajnë përgjumshëm sonatën e vjeshtës. Në oborret e pallateve pemët e lulëzuara të kujtojnë pranverën. Jam ca larg për të ndierë aromën e tyre. Qielli më ngjan me një tablo gjigande mbi të cilën një furçë e zemëruar ka zhgaravitur tej e mbanë me bojë të bardhë. Ku fshihet piktori? Fus dorën në xhepin e xhaketës.Mbështjell celularin me pëllëmbë e bashkë me të lajmet nga Atdheu. Vrasje, vjedhje, zënka, mashtrime, burgosje…Ç’kronikë e zezë për zi të njerëzve me halle pa fund! Një qen i vogël i vjen rrotull këmbëve të të zotit. Kthen kokën nga unë e mi ngul sytë. Sa i pafajshëm ai vështrim! I buzëqesh… Vijat e bardha më kujtojnë marinarët ose më saktë bluzat e tyre. I kapërcej një e nga një me shikimin drejt dritës jeshile të semaforit. Në krahun tim të kundërt një zonjë e kërrusur përpiqet të nxitojë, por karroca e ushqimeve nuk i bindet. Gulçima e saj më prek… Më ngacmojnë aromat e barit në qoshe të ndërtesës me kolona. Pothuaj të gjitha tavolinat janë të zëna nga studentët. U kaloj pranë… Vazhdoj udhën time mbi trotuarin e shtruar me asfalt. Mbi shpinë më rëndon mëngjesi i fundshtatorit, por do mësohem. “Me kohën kushdo mëson nëse është e tepërt dhe ngrohtësia e diellit që djeg”…do të shprehej Borghes në vargjet e tij. Me kohën…

Miklim

Dielli zhduket pas malit, hija e natës lëshohet mbi qytet duke mbështjellë gjithçka me petkun e saj të heshtur, si ëndërra që nuk mund të mbrrijë deri tek ty. Era sjell parfum lulesh të tretura. Ajri, i lagur nga drita e yjeve, mbart shije të athët, si premtimi i pamundur. Në këtë qetësi, kur çdo gjë duket se humb rrugën, brenda meje diçka rri zgjuar. Një ndjesi, si zë i heshtur çohet, për të kaluar mbi ujin e qetë të detit. Ky udhëtim i harruar, vjen me ecje të lehtë e të ngadaltë, ndërsa çdo hap shkakton një valë që lëviz tundueshëm, si kujtimi i pahumbur. Ndiej kështu, thellë… thellë, miklimin e dritës, që butësisht përhap ngrohtësinë e saj nëpër horizontin kryqëzuar yjesh.