Nga Gladiola Busulla
Në respekt të kujtimit të një vajze të re dhe familjes së saj
“Kur klikimi peshon më shumë se shpirti: Portalet e turpit”
Vdekja, në çdo kulturë dhe qytetërim, ka qenë historikisht një moment reflektimi, heshtjeje dhe respekti. Por në epokën e “portaleve djallëzore” dhe urisë së pangopur për klikime, ky moment i shenjtë është shndërruar në një cirk makabër. Sot, dinjiteti i njeriut nuk përfundon me frymën e fundit; ai masakrohet nëpër tituj bombastikë dhe galeri fotosh që shiten për pak qindarka reklamash. Nuk ka asgjë informative në publikimin e emrit të plotë, të dhënave sensitive apo fotove nga jeta private e dikujt që nuk jeton më, pa kaluar ende as disa orë nga tragjedia.
Familja ka nevojë për zi, për heshtje, dhe jo për të parë fytyrën e njeriut të tyre të dashur të rrethuar nga tituj që nxisin kureshtjen e sëmurë.
Nxjerrja e detajeve apo historive personale që nuk i shërbejnë interesit publik, është thjesht një dhunim mbi viktimën.
Më e rënda është kur këto platforma nxisin ose lejojnë komente ku i ndjeri/e ndjera apo familja “gjykohet”. Linçimi publik pas vdekjes është akti më i ulët i frikacakëve. Një njeri që nuk mund të mbrohet më, nuk është objektiv lajmesh; është një njeri që meriton drejtësi dhe paqe, jo analizën morale, as paragjykimet e një mase që nuk e njohu kurrë.
Duket sikur këto portale operojnë mbi parimin “sa më shumë gjak, aq më shumë para” kanë humbur çdo busull morale. Përdorimi i epiteteve apo aludimeve për të nxitur kureshtjen është një fyerje e hapur për familjen që përballet me humbjen.
Gazetaria që nuk ka në qendër njeriun, por shifrën e audiencës, është thjesht propagandë e shëmtuar.
Si duhet të reagojmë ne? Pikësëpari kemi në dorë injorimin, një mjet të fortë. Çdo klikim mbi një lajm denigrues është një “votë” pro asaj praktike.
Mos u bëj pjesë e zinxhirit që lëndon familjen apo denigron kujtimin e të ndjerit/ës.
Përdor mjetet e raportimit në rrjetet sociale për përmbajtje që shkelin dinjitetin njerëzor.
Respekti për të vdekurit është matësi i vërtetë i qytetërimit të një populli. Kushdo që përdor dhembjen e tjetrit për të mbushur llogaritë bankare, nuk është njeri, aq më pak gazetar, por veç një gjallesë e turpshme, një tregtar i mjerimit. Të vdekurit meritojnë paqe, ndërsa familjarët meritojnë respektin tonë të heshtur, jo vëzhgimin tonë gjakftohtë nëpër ekrane.



