Viron KONA
Prezantohu, sa vlen ti zotëri?
Në bibliotekë pashë mijëra libra,
shkruar nga mijëra mendimtarë,
fare mikroskopik m’ u duk vetja,
në qiellin e madh shkëlqimtarë.
Kujdestari i bibliotekës m ‘pyeti:
s`po të njohim nga vjen o njeri,
duke m`u afruar, më pëshpëriti:
na u prezanto, sa vlen ti zotëri ?
U prezantova e ai butë më tha:
ty zotëri, s`të kemi fare n ‘listë,
por vend më t ‘mirë se ky s`ka,
ku ti mund të përfitosh dituritë.
Librat e radhitur bukur në rafte,
nga mendjendritur janë krijuar,
aty është nektari, ajka e dijeve,
ta dish shumë ke për t ‘mësuar!
Kur të vijë çasti që të shkruash,
ji vetvetja, askush s`të detyron,
por vepra jote do të jetë e vyer,
nëse zërin e zemrës dëgjon.
Nga misioni kurrë mos u tërhiq,
ndonëse mund të kesh dështim.
Asgjë s‘arrihet me fjalë magjike,
por me vullnet dhe përkushtim.
Ti duhet të dish që të zgjedhësh,
të jesh meteor apo yll jetëgjatë,
i pari flakëron dhe shuhet shpejt,
i dyti shkëlqen qiellin çdo natë.
Do shpërblehesh me mirënjohje,
s`do të kesh përfitim dhe pasuri,
njerëzimi i mban në zemër bijtë,
siç mban dielli rrezet e tij.
Në qoftë se veprat që do kryesh,
do të shpallen me vlera një ditë,
i nderuar e krenar do t ‘ndihesh,
dhe emrin do ta kesh në listë.