Gabriela Mujaj
PIKTUR’
Tre neona lëshojnë dritë të mbytun
Në këtë mbramje.
Në dhomën time,
Flas me piktura.
Ato e dijnë,
Që munden me qenë të dashtunat e veç atyne që s’kanë shumë fjalë…
Më duket sikur kam dekë prej qindra vjetësh,
Ju betohem për heshtjen
Dhe prehem në varret pa emen, në Vjenë.
Ose ndoshta jam nji vorr ilir,
Që i kam marrë trupin nji vajze hua.
( Ka nji jetë që më peshon ky trup).
Tre neona bajnë dritë të zbehtë
Mbi të kuqën e vetmisë së shpirtit.
Asht nji tjetër botë,
Atje ku shpirti njitet nalt,
Atje ku zemra zhytet thellë.
…e kuqja ’eme,
Rrin e vetme…!