Mbrëmje poetike me Nexhi Baushi

Nexhi Baushi, Tirane Shqiperi

Atje në Strugë

Ti nuk ma pe lotin e shpirtit tim atë natë,
kur më ftove të arratiseshim për në Strugë.
Ndërsa më thoshe mes puthjeve të zjarrta:
-As ti nuk je murgeshë, as unë s’jam murg!

Ti nuk i pe përpëlitjet e qepallave të mia,
ndërsa dridhesha e tëra nga nxitimi yt.
Dua të të kthej grua mbi liqen, më the,
më kthe të thashë, por mos më mbyt!

Ti s’mi pe thinjat si bora në malin përballë,
sepse doje të zgjoje vajzën brenda meje.
Ndërsa m’i flake tej rrobat si ofshamë,
e më mbulove linjat me një fjollë reje.

Ti as e dëgjove mërmërimën time të butë,
atje në Strugë, ku liqeni klithte nëpër natë.
Të thashë, fike dritën e zbehtë të neonit,
që të mos më shihje lotët e mi në shtrat.

Ti nuk pe as çastin kur poshtë gjoksit tënd,
nga gjijtë e mi shpërthyen flutura.
Ndërsa më the, kam kohë që të prisja,
nga të gjitha dashuritë ti je më e bukura.

Ti nuk pe as shaminë time të lagur krejt,
që doja ta merrja me vete si një kujtim.
Po ku ta fshija në trupin tënd lakuriq,
që vallëzonte si i dehur mbi kurmin tim!

Po fundja mirë bëre që nuk pe asgjë,
kur nata derdhej në liqen si mbi një grua.
Atje në Strugë, ti bëre atë që duhej bërë,
sepse gruan e lexove si duhej tek mua.

Merrmë kërcellin e bëmë lule

N’atë mbrëmje, kur dielli krahët lëshoi mbi det,
n’atë orë vetmie t’harruara ishin fatet.
Sytë i puliti, e mblodhi grimca e yjesh,
dhe të gjitha ëndrrat e ëndrrave të saj.

Dëshironte t’i mblidhte një e nga një,
por ato, ishin thërmuar si qelq muran.
Kishin humbur në mjegullnajat e kohës ato.
nuk mundi, jo! Nuk mundi t’i mblidhte grusht.

Grimcat ishin shpërndarë, viteve të kohës,
shumë prej tyre mbetën tretur n’terr të dhimbjeve.
Mendoi se me lëngun e shpirtit, mund t’i ngjiste,
por ishte e pamundur…ashtu i la, të shpërndara.

Pa pritur një erë, një erë e marrë,
erdhi dhe ia rrëmbeu me shpejtësi,
i mblodhi tok, si vitet e rinisë….
një vegim në horizont i’u duk… Ish ai!
…………………………………………………………….
Ngadalë i’u afrua e n’vesh dhe i pëshpëriti:
-Të paktën, merrmë kërcellin, dhe bëmë lule.