Caste poetike me Gladiola Jorbus

Gladiola Jorbus

Larg

Nëse jeton larg vendit tënd
nuk çmallesh dot kurrë me të.

Përqafimi i të dashurve
mundet të zbusë veç pak
nga malli i përbindshëm.
Ai zgjat një çast,
një frymëmarrje që shuhet sakaq.

Deti nuk i mban dot brengat.
As dielli nuk e shkrin dot,
akullin e lotëve të mbytur.

Gjithçka mbetet pezull…
Një valë e heshtur që rreh papushim
në thellësinë e shpirtit,
si një zemër e ndarë mes dy botësh.