Namik Selmani
Ajo fle….
Kur shoh mbesën që fle
Ajo fle e qetë…
O, sikur t’ia lexoja një nga një ëndrrat gjyshërore!
Sikur t’ia lexoja hartën e rrudhave në vite.
Sikur t’ia numëroja hapat e saj fëminore
E t’ia vija në buzë vetëm tinguj lumturie!
Ajo fle…
Pëshpërit me buzë ca tinguj që dot nuk i deshifroj
Lëviz ngadalë duart e lodhura nga nata e dita
Ka mijëra fjalë nën çarçafin që zbardhon.
Ka mjaft gëzime të lindura nga sakrifica.
Ajo fle…
Mos vallë duhet t’i them një ninullë fjalëflorinjtë?
Sikur të ishte një vogëlushe e përjetshme.
Ia dua buzëqeshjen e shpirtit të dlirë
Dua që dëshirat të mos i mbesin si pengje.
Ajo zemër ka kaq shumë ajër, kaq shumë dritë.
Po ka dhe ca dhimbje që koha nuk t’i shëron dot.
Ajo fle…
Në zgjimin e radhës ia dua fjalën plot maturi
Për të më dhënë forcën që askush si ajo nuk ta afron.
Ti mbjell filizë mençurie
Eh, miku im
Ç’qënka
kjo jetë me largësi me dogana e stacione!
Të bëhet
zemra urë ku ti të këndosh kërkon e kerkon
Në
rizgjimin rinor trokëllijnë kujtime shkronjore
E sot
nuk kemi droje për thinjën që zbardhon.
Zilet
e shkollave na u bënë simfoni të pambaruara jete.
Aq sa
dhe Beethoveni e Paganini do heshtnin vërtet.
Ne
skuqemi ende si fëmijët para një numri a flete
Ne
u bëmë dhe si mali që shkërmoqet para nesh.
Tani
ne flasim nga larg me mesazhe hyjnore zemre.
Hapi
i nxituar i ditës binjakëzohet me Shpresën.
Në tryeza
sërish ëndërrojmë për një të nesërme.
Zërat
e nxënësve na bëhen flugerë për të vërtetën.
Eh,
sa rrallë na bashkon Normalja, Elbasani, tryeza.
E ajri,
qielli e bari këndojnë me ne si kor për nostalgjinë.
Është pak
të themi se parajsa e emocionit preket.
Është pak
të themi se jemi mbretër për lumturinë.
E fjala
bëhet buqetë tingujsh përrallorë, petalehapur.
Kur duart shtrëngohen, sytë nxjerrin lotë lumturie
Lum dita,
udhët preken nga hapi yt i bukur, i matur!
Lum
brezat që tek ti morën filizë mençurie!