Kadri Tarelli
“Më quani si të doni, unë s’jam e pa fe.
Më parë e çmoj Kombin dhe në të bëjë be”.
Zylfie Gërvalla.
KAVAJA, KUJTOI MADHËRISHT LUFTËTARËT VULLNETARË
Në luftën për mbrojtjen e Shkodrës.
(Tetor 1912 – Prill 1913)
Në ditët e para të muajit, më: 02, të vjeshtës së dytë, 2025, u mbajt kuvendi historik, me temë: Sakrificat, trimëritë dhe heroizmi i pashembullt i vullnetarëve të trevës së Kavajës dhe i të gjithë popullit të kësaj treve, në luftën për mbrojtjen e Shkodrës, (tetor 1912 – prill 1913).
Nderoi me pjesëmarrje Presidenti Alfred Moisiu.
Organizator dhe drejtues i këtij kuvendi të rrallë, ishte z. Nexhmi Haveriku. Referuan me radhë: historiani Xhaferr Xhihani, autor i librit për Luftën e Shkodrës, Ramazan Hushi, shkrimtar-studiues, Muharrem Shqarri, Studiues; Dr. i shkencave gjuhësore, Durim Çaça poet dhe studiues, Xhevahir Xherri historian, dhe poeti Allaman Hoxha. Në takim përshëndetën edhe disa personalitete të jetës shkencore, artistike dhe historike të Kavajës. Mes tyre po përmend: Maksim Kona, Astrit Berati, Abedin Krasniqi, Shefik Myftiu, Fiqeret Fosa, Azem Ajdini, Genc Gjylsheni me detyrë n/kryetar i Bashkisë Kavajë.
Në fillim të këtij shkrimi, përmenda fjalën “Kuvend i rrallë”, jo vetëm për nga rëndësia, përmbajtja dhe vlera, porse nga kohëzgjatja e pa pranueshme, dhe e pa imagjinueshme e “Harresës” apo mosdashjes, për një ngjarje kaq madhore të ndodhur 112 vjet më parë, siç
është e njohura “Lufta e Shkodrës”, ku shkuan shumë vullnetarë nga trevat shqiptare, nga Kavaja, Shijaku, Tirana, Kruja, Dibra, Mati, etj, etj.
Isha i pranishëm dhe ndoqa me shumë vëmendje kumtesat, ashtu edhe përshëndetjet, ku ndjehej krenaria dhe përgatitja serioze e atyre që mbajtën kuvendin, duke nderuar kumtin e atdhetarizmit të popullit të trevës së Kavajës.
Me shokët, kur diskutoj për këtë ngjarje, (unë e quaj ngjarje madhore në historinë dhe jetën e qytetit të Kavajës), me shaka u them, se edhe në këmbë do të shkoja nga Durrësi në Kavajë, që të isha i pranishëm. Shakaja ka një të vërtetë të madhe: Qofsha i gabuar, por është
e para herë që publikisht shtrohet për njohje, pjesëmarrja e jo pak, por rreth 500 vullnetarëve, djem të rinj, dhe që, 168 prej tyre dhanë jetën duke luftuar heroikisht në mbrojtje të Shkodrës, ose më saktë në mbrojtje të territoreve shqiptare nga ushtria pushtuese Malazeze.
Nuk dua të hyj në histori, sepse nuk mund të matem me studimet aq serioze të historianëve studiues Kavajas. Nuk dua të hyj edhe në analizë politike të kohëve që kaluam, pasi janë tre sisteme shtetërore. Monarkia, Diktatura komuniste, dhe “Demokracia”, (i thënçin).
Por vetiu lind pyetja, që shpon e dhemb sa herë që kujtohen ngjarje të tilla: Si është e mundur që të harrohet ose bëhet sikur harrohet, një ngjarje kaq e madhe që bën krenar çdo shqiptar, jo vetëm kavajasit….?
Nëse nuk janë kujtuar individët apo grup individësh, siç ndodhi në Kavajë, Shijak, Krujë ……..! Po Shkodra pse ka heshtur, mos ka lajthitur…..!? Si mund të harrohet një luftë kaq e madhe, ku ka me qindra, mos me mijëra të vrarë, dëshmorë dhe qytetarë të thjeshtë që u
përfshinë në vorbullën e luftës, të bombardimeve dhe urisë së jashtëzakonshme që mbuloi qytetin e rrethuar? Po institucionet shtetërore, Akademia, instituti i Historisë, me forca intelektuale të shumta, të mirënjohura e të paguara, si dhe pse kanë heshtur deri më sot……?
Kështu kur hapet gryka e thesit me pyetje, ato nuk kanë fund. Pa fund janë dhe përgjigjet, por askush nga ne nuk i ka dëgjuar, që të qetësohet, të gëzohet apo të trishtohet.
Jam në dije se ka disa botime rreth kësaj ngjarje, por vetë kaq. Problemi mbetet te një grup i ngushtë këndonjësish të pasionuar pas shkrimeve historike. Po masa e qytetarëve ku është, si mund ta kujtojë e përjetojë atë ngjarje kur nuk ka një monument, pllakë përkujtimore,
memorial? Mbase një veprimtari siç ishte kjo e sotmja, apo ku di unë tjetër……!? Fantazia shkon larg…….! Cili nga ne nuk do të mburrej nëse shikon emrin e dëshmorit të familjes së tij, të shkruar në një pllakat të vendosur në një vend të dukshëm në qytet…..!? Kanë kaluar katër breza, por gjaku i të rënëve dhe rrënjët e gjithsecilit nuk harrohen. Vjen një ditë që dikush ngre zërin për drejtësi dhe histori.
Çuditë e historisë sonë janë pafund. Kujtojmë dhe nderojmë ngjarje jo shumë të qenësishme, cikërrima të historisë lokale, madje jo kombëtare. Mirë bëjmë. Edhe ato janë pjesë e zinxhirit të ngjarjeve të kohës. Ndërkohë “harrojmë” Luftën për mbrojtjen e Shkodrës……..!
Mjafton të analizojmë shumë pak rrethanat e asaj kohe: Lufta Ballkanike ishte në kulmin e saj, territoret e Shqipërisë ishin në rrezik, jo vetëm si pushtim nga fqinjët, por diskutohej si do të ndaheshin dhe kush do të merrte llokmën më të madhe. Shteti shqiptar nuk ishte formuar, ende duheshin edhe mjaft dit që të shpallej “Mëvetësia”.
Vini re një hollësi fare të thjeshtë: Grumbullimi dhe nisja e vullnetarëve u bë në mes të muajit, tetor, 1912. Pra afro një muaj e gjysmë para se të shpallej Mëvetësia e Shqipërisë, më: 28, të vjeshtës së tretë, 1912, dhe vazhdoi deri në prill 1913. Me një fjalë, ne nuk kishim as shtet dhe aq qeveri, që të bënte këtë mobilizim forcash. S’besoj se ka shembull më të ndritur…..! Më pas, – A kishte fuqi kjo qeveri e re, me shtrirje të cunguar territoresh, në kushtet e pushtimit të vendit? Cila ishte baza juridike, ekonomike dhe ushtarake që të vepronte? Në këtë
zallamahi rrëmuje, doli edhe problemi madhor i Shkodrës! Atdhetarizmi shkëlqeu.
Mjafton vetëm kaq që ne të ngazëllehemi e të krenohemi si askush tjetër. Rreziku kombëtar dhe thirrja e dheut që lëngonte, u dëgjua nga zemrat e shqiptareve. Kambana e alarmit ndezi prushin e fjetur nën hi. Vullnetarët kavajas u nisën për luftë dhe lufta ka ligjet e veta. Aty shkon për të vdekur..! Pavarësisht motivit madhor, siç është mbrojtja e truallit, mëmëdheut dhe kombit.
Ajo që u theksua nga të gjithë folësit e nderuar, ishte se dëshira për të mbrojtur Shkodrën, nuk pyeti se çfarë fe e besim i ke, je i Krishter apo Myslyman. Në luftë shkuan si vëllezër të një gjaku, jo për fe, por për atdhe dhe ranë dëshmorë, duke vaditur tokën e Arbrit.
Kështu që askush nga institucionet fetare, veç nderimit, nuk ka pse t’i afrohet kësaj ngjarjeje madhore. Po përmend disa nga dëshmorët e rënë në luftë, të gjithë djem të rinj, nga fshati e qyteti: Vath Mersin Reçi, Muhamet Idfrizi, Daut Babamusta, LLazar Mihal Kona, Andon Thanas Papa, Fejzulla Dabulla, Muhamet Idrizi, Mustafa Ali Krantja, Bajram Mullaliu, Adem Berati, Shaban Thartori, etj, etj
Është e vërtetë, (sipas studiuesve), se në organizimin e kësaj veprimtarie madhore u shquan disa figura, si Sheh Hamid Kraja, etj, por vetë kaq. Ishte shpirti i tij atdhedashës, mendja e ndritur që kishte përqafuar idetë e Rilindësve. Ai jetonte dhe kuptonte kohën, ndaj
ndihmoi me sa mundi grumbullimin e vullnetarëve. Dhe, ishte po kaq e vërtetë, se nuk pati asnjë klerik, që të ngrinte zërin kundër vullnetit të vullnetarëve kavajas. Ndryshe do të tregohej me gisht.
Muhasrrem Shqarri, në kumtesën e tij me titull: “Sheh Hamid Kraja – shprehës i virtyteve të larta të popullit të qarkut të Kavajës për mbrojtjen dhe bashkimin e trojeve kombëtare”, shprehet: Ai që në fjalët e para thekson: “Kur përmendim togfjalëshin, “Atdhetarët e Kavajës”, nënkuptojmë banorët e saj, myslimanë e të krishterë, pa dallim besimi apo sekti fetar. Më tej autori Muharrem Shqarri, vazhdon: Një vlerësim i hershëm për rolin atdhetar dhe ndihmesën që dha Sheh Hamidi në dobi të kombit, pasqyrohet në një dokument që ruhet në
Arkivin Qëndror të Shtetit:“Sadoqë fetar (Sheh), i ndjeri ishte njeri me parime moderne dhe idenë kombëtare e ka përqafuar qysh në kohërat e errëta të sundimit Osman. Ka qenë anëtar i Klubit të “Itilafit”, vendimeve të të cilit nuk ka mungur për t’i dalë zot me guxim. Shqiptar i flakët e atdhetar i deklaruar,…”.
Besoj se kaq mjafton për të formuar një ide të plotë e të saktë, për disa nga figurat atdhetarte, që u përfshinë në ato ngjarje të mëdha, ku luhej fati i mëmëdheut dhe kombit. E gjitha e përmbledhur në këto pak rreshta:
“Lufta për mbrojtjen e Shkodrës shprehu edhe njëherë karakterin atdhetar të popullit të Kavajës. Menjëherë u krijua një komision nga burra që u dëgjohej fjala dhe që ishin gjendur në krye të popullit në situata kritike. Një ndër anëtarët e atij komisioni ishte edhe kleriku Sheh
Hamid Kraja. Komisioni propagandoi dhe organizoi mobilizimin e luftëtarëve kavajas për mbrojtjen e Shkodrës. Krahas thirrjes që i bëhej popullit për të dalë vullnetarë për mbrojtjen e qytetit verior, thuhet se komisioni dhe atdhetarë të tjerë ndihmuan edhe materialisht familjet e
luftëtarëve që niseshin drejt Shkodrës”. Edhe sot e kësaj dite, askush nuk mund të mohojë, apo të harrojë traditën atdhetare e
kombëtare. Mjafton të kujtojmë dëshmorin Indrit Cara, bir i Kavajës, i cili la Londrën dhe u kthye në vendlindje, me qëllim për t’u rreshtuar në luftën për liri të tokës Dardane. Luftë që bënin vëllezërit tanë në Dardaninë e pushtuar nga forcat ushtarake Serbe. Çdo shqiptar mburret me veprimin e tij. Një shembull i madhërishëm që përhap veç atdhedashuri e Shqiptari. Një model shenjtërimi, si të gjithë dëshmorët që ranë në atë luftë të shenjtë.
Në përfundim të këtij shkrimi, më duhet të jap vlerësimin tim, si qytetar dhe njohës i historisë. Në këtë udhë gjykimi, i rëndësishëm është mendimi i përbashkët i të gjithë personaliteteve që folën në kuvend:
Së pari: të gjitha kumtesat të përmblidhen në një botim libri, për t’i shërbyer kohës dhe brezave.
Së dyti: të ngrihet një monument, memorial apo pllakat ku të përjetësohet kjo ngjarje madhore, si simbol i përpjekjeve të popullit të Kavajës, për atdhe e bashkim kombëtar.
Të gjitha janë të realizueshme, mjafton dëshira dhe vendosmëria e burrave të fisme, të qëndrueshëm e të besës në fjalën e dhënë.
Urime dhe mirë u pjekshim në veprimtari të tilla shkencore e atdhetare. Kombi ka nevojë të njohë dhe të nderojë historinë. Dhe për më tepër, ata që e shkruan historinë me gjak e sakrifica.
Kadri Tarelli
Durrës, më: 08, të vjeshtës së dytë, 2025.