Kumrie Shala
TË PËRVËLOJNË STINËT
Jeta është e padrejtë.
Nganjëherë marrim rrugën pa dije,
e s’e dimë se ku do të na shpijë.
Pas disa dekadash,
historia do të dëshmojë të vërtetën,
sikur për vdekjen e kalit.
Burgu u bë fole për ideatorët e shtetit,
edhe pse jeta shpesh gjykon gabim për vdekjen.
Në këta muaj të nxehtë të stinëve,
kur vapa të përcëllon,
e vuajtja për hekurat e atyre që u flijuan,
të djeg në shpirt,
e ti plase në heshtje nga malli,
sepse jeta është e padrejtë në këtë shekull.
Të përvëlojnë muajt e stinëve,
e më shumë të plas malli.
Sa e sa vite ikën,
e nuk po i shoh buzëqeshjet,
as kaçurrelat e çlirimtarit tim.
Jeta është e padrejtë.
Toka kundërmon ende gjak të freskët,
gjak dëshmorësh që moshën më të bukur ia falën Kosovës.
Pas vetes lanë prindër të shtyrë në moshë,
lanë vëllezër e motra,
bashkëshorte nuse i lanë,
e fëmijët si krimba mëndafshi,
që tani janë bërë burra,
e që injorohen nga shteti.
Kanë harruar pushtetarët
se liria erdhi nga heronjtë,
nga invalidët,
nga të dhunuarit,
nga martiret,
e nga të zhdukurit tanë,
që ende nuk ua dimë as varret.
E sot?
Ne po e gëzojmë lirinë,
po hedhim vallen në qendër të qytetit,
ndërsa pushtetarët nuk kthejnë kokën fare,
nuk pyesin vallë
a lanë çlirimtarët kënd pas vetes.
Prandaj, jeta është e padrejtë për dijetarët.
O Zot,
na ruaj prej rrezikut të tradhtarëve
e të pabesëve!



