Kumrie Shala: JETA SI FILM SERIK

Kumrie Shala

JETA SI FILM SERIK

Të gjithë thonë se jeta nuk është film, por në të vërtetë, jeta është si një film serik, me episode të gjata dhe me personazhe të ndryshëm që ndërrohen në çdo stinë të jetës sonë.
Në këtë film të gjatë takojmë njerëz nga fusha të ndryshme: të artit, kulturës, shkencës, teknologjisë, politikës, drejtësisë… por edhe nga fusha të tjera më të çuditshme, që i japin ngjyrë e tension skenës sonë jetësore.
Nga secili mësojmë diçka, ndonjëherë të bukur e të vlefshme, herë të hidhur e të pazakontë.
Prandaj, jeta është si një film i pafund me metrazh të gjatë.

Nëse dimë ta luajmë mirë rolin tonë, jemi aktorë kryesorë në skenën e jetës.
Nëse jo, mbetemi statistë të rastit, që shfaqen për pak minuta e zhduken pa lënë gjurmë.
Ashtu si në film, nuk e dimë fundin që në fillim; e përjetojmë çdo ditë me kureshtje, dhe ndonjëherë personazhi kryesor, që është vetë njeriu, fillon të na hyjë në shpirt.
Edhe pse e dimë që është “vetëm film”, ai na duket si vetë realiteti.
Shumë njerëz e jetojnë jetën si në film: për shfaqje, për sy të botës, për ta kënaqur veten.
Por shumë pak dinë ta dallojnë dashurinë nga epshi.
Kam vërejtur tek disa njerëz se sapo dalin në rrugë, shpesh “dashurohet” me të parin që takon, vetëm për të ushqyer dëshirat trupore.
Epshi nuk është dashuri, dhe dashuria nuk është epsh, janë dy botë të ndara.
Kështu, jeta herë bëhet komedi, herë dramë, herë triller, e herë film artistik.
Kur jeta është komedi, gjithçka duket e lehtë dhe nuk të bëhet vonë për asgjë.
Kur kalon në dramë, fillon të aktruarit: njeriu mundohet t’i bindë të tjerët se është i lumtur, edhe pse brenda tij shpërthen trishtimi.
Kur bëhet triller, hyn në botën e narcistit, që kërkon vetëm të kënaqë egon dhe epshin e vet, pa pyetur nëse lëndon, mashtron apo tradhton dike.
Mjafton të përfundojë “aksionin” e tij dhe të lirohet nga barra e rolit.
Por, kur jeta është film artistik, ajo zhvillon vlera të vërteta.
Njeriu krijon, përjeton thellë, mendon dhe e jeton të vërtetën, edhe pse e vërteta shpesh është e vështirë për t’u mbajtur.
Kur je i drejtë, egoja bie poshtë, sepse aty nuk ka më vend për mashtrim.
Dashuritë e mëdha zhvillohen vetëm në filma artistikë, me artistë të vërtetë, e jo me aktorë amatorë që u duken gabimet pa e hapur gojën mirë.
Në publik, gjithmonë ka spektatorë dhe ekspertë të jetës që e vëzhgojnë çdo lëvizje.
Ata nuk ngrihen të të kritikojnë me zë, por pas shfaqjes, me një filxhan kafeje në dorë, komentojnë gabimet e tua si kritikë të heshtur.
Sepse në fund, asgjë nuk mbetet pa u parë, pa u ditur dhe pa u vlerësuar.
Shumë njerëz mendojnë se mund të fshihen pas fasadave të moralit dhe patriotizmit.
Por rrjetet sociale sot janë kthyer në skenën më të madhe të filmit të jetës: aty shfaqen njerëz që duken të lumtur, të shenjtë, të moralshëm, me fjalë të bukura, ikona dashurie dhe shprehje të stiluara, ndërsa pas ekranit fshihet një boshllëk i thellë.
Ata që predikojnë moralin, shpesh janë vetë shembulli më i dobët i tij.
Në të vërtetë, jeta nuk është siç e tregojmë ne, por siç e jetojmë.
Ajo është një film me pjesë-pjesë, që ndonjëherë ndërpritet në momentin më të rëndësishëm dhe vazhdon më vonë, derisa era e së vërtetës përhapet gjithandej.
Prandaj, ecja me këmbë në tokë është skena më e bukur e jetës.
Kush ecën drejt, nuk ka pse të frikësohet nga zërat pas shpine.
Sepse të paktë janë ata që dinë të mbajnë një sekret e më të rrallë ata që dinë të luajnë ndershmërisht rolin e vet.
Pranoni, o njerëz, jeta është si një film serik dhe secili prej nesh është aktor në skenën e vet.