Fjolla Muhaxheri
ATA DUHESHIN
Pas një shiu veror që rrëmbimthi u zbraz në Tokë e që freskoi çdo gjë përreth, madje edhe mendimet e mia, unë që po qëndroja e ulur në mesin e zambakëve dhe trëndafilave. Po sodisja qiellin dhe po mendoja se sa i bukur qëndron çdoherë, me mijëra vite i njëjti, asnjëherë nuk ndryshon, nuk plaket, nuk zemërohet, as nuk trishtohet, apo… ndoshta ne nuk mund ta vërejmë trishtimin dhe zemërimin e tij, po mendoja me vete, sa shumë yje, sa shumë mrekulli që mbanin në trupin e tyre, pastaj hëna, herë e plotë e herë në gjysmë, e secila formë prej saj e mban një domethënie të sajën…
-O Perëndi, thashë me vete, kur u kthjella për një moment dhe zbrita shikimin poshtë qiellit. Imazhi i saj ishte para syve të mi, sa shumë që ishte plakur, sa vite që i kishin kaluar a thua asaj? Nuk u tremba aspak, përkundrazi u mallëngjeva. E shikoja vetën time në sytë e saj.
Sa shumë që dëshiroja që ta merrja në gji, ta përqafoja, ta puthja e ta puthja, e t’i shtroja pyetje të llojllojshme, por asnjërën nuk e bëra. U shtanga në vend kur ajo e drejtoi dorën e saj me gisht drejt qiellit dhe thoshte pa ndalë…
-E shikon ti e ëmbla ime? Ata duheshin, poooo, vërtet ata duheshin, më beson? Më pyeti mua ajo plakë e mjerë, e shtangur.
Unë nuk dija se ç’ti thosha, vetëm ia pohova me kokë, por jo me bindje, sepse unë nuk i njihja ata, ata për të cilët më fliste ajo plakë e gjorë, apo më mirë të them nuk i shihja dot, sepse ata nuk mund t’i shikonte askush pos syve të saj. Po pra, ata i shikonin dhe e ndjenin vetëm sytë dhe qenia e asaj plake engjëllore. I thashë që të më afrohet pranë meje dhe të ulet aty ku isha edhe unë e ulur. Ashtu edhe bëri. Erdhi aty afër dhe ngadalë ma ledhatoi faqen time, e pastaj flokët, këta flokë që si dukej i ngjallnin nostalgji, të paktën ashtu më bëri ta besoja sepse ajo nisi të thoshte me një buzëqeshje të ëmbël: Ehhh, ky kaçurreli, -pastaj u ul aty pranë meje dhe nisi të më tregonte për ata të dy, më beson?
-Se sa shumë që duheshin ata? Më pyeti ajo, në sytë e saj ende mund ta vëreje ngjyrën e gjelbër edhe përkundër stuhive të jetës që ia kishin rrudhosur mjerisht, kjo që po ta tregoi është sikur të kthehesh vite e vite pas e të jetosh. Ata jetonin dashurisht, thoshte ajo plakë, ajo ishte vajzë e re me ata sy jeshile, ata flokë kaçurrela të zi, ato buzë aq të ëmbla si qershi që çdo djalosh do ta kishte lakmi, por edhe ai djalë me sy të gështenjtë, shtatlartë si dragua, i buzëqeshur, i ëmbël, që çmendte çdo mendje femërore, por zemra e tij e dashuronte vetëm atë grua, vetëm kaçurrelen e tij.
Ata të dy u takuan atëherë kur gabimisht kishin marrë vendime që i drejtonte drejt greminës, por rrugët që ata të dy ecnin, në fundin e tyre që të dyja rrugët i bashkonte një udhëkryq dhe ata të dy u takuan dhe asnjëherë më nuk u ndanë, derisa i ndau”…
-E kuptoj, -i thashë unë, -por ç’ndodhi më pas? -e pyeta unë, me një kureshtje tashmë përvëluese.
Ajo duke buzëqeshur vazhdoi të ma rrëfente të gjithën. Ata jetuan bashkë, shtoi ajo, si një shpirt, si një trup e zemër. Unë po e shikoja pa ia larguar sytë, atë grua të moshuar që herë më rrëmbente një frikë, e herë-herë një mallëngjim i viteve të shkuara.
Ajo uli kokën dhe dy pika lot ranë aq butë mbi duart e saj. Kur loti ra në tokë, ai kërciti si të ishte copëz diamanti, e për çudi u bë cope- copë dhe e përpiu toka ku ishin zambakët e bardhë dhe trëndafilat blu, mu aty pranë këmbëve të mia. Kur ajo ngriti kokën dhe hodhi shikimin drejt meje, unë isha zhytur në harkun e bukurive të ndodhive të mia, por në të njëjtën kohë edhe të asaj gruaje të moshuar dhe të bërë krejt rrudha. Ajo vazhdoi tutje rrëfimin:
– “A do të doje të dije më shumë për ata? Ti vajzë e ëmbël?
Unë tunda kokën në shenjë pohimi.
-Ehhh, moj bijë, ata duheshin, pooo vërtet, edhe përkundër stuhive dhe dhimbjeve që ua veshi jeta. Nuk e kishte të mundur asnjë forcë ziliqare që t’i ndante, madje ashtu siç ishin ata edhe u martuan. Të gjithë engjëjt i kishin përreth tyre. Sërish ngriti kokën lart qiellit dhe u bë sikur e përhumbur duke shikuar kalvarin e shtigjeve që dikur ecnin ata të dy.
Ata po jetonin jetën në të gjitha jetët, e kishin jetuar jetën e kësaj plake, po e jetonin jetën legjendë të tyre, por po e jetonin edhe jetën time për çudi. Brenda tyre e ardhmja dhe e tanishmja ishte e pakufishme, nuk iu mungonte asnjë stinë pa e shijuar, madje as netët e as ditët e arta nuk i humbnin për asnjë çast të vetëm. Tek ata të dy në çdo stinë kishte dimër dhe ndonjëherë bënte shumë ftohtë, por kishte edhe diell që ua ngrohte shpirtrat me rrezet e tij. Mu atëherë u ndizej flakë-flakë dashuria. Ai çdo natë i shkonte me pasion shpirtit të saj dhe e rrëmbente atë në dashurinë përrallore, e këtë ai e bënte që ajo asnjëherë mos ta harronte, mundohej që shpirtin e saj ta joshte drejt shpirtit të tij. Ata që të dy ishin zhytur aq thellë te njëri – tjetri, saqë nuk kishte mundësi që në mes tyre të hynte as “engjëll e as dreq.” Unë mbeta krejtësisht e shtangur, sepse aty tek ata të dy unë e shihja vetën time, jetën time, dashurinë time e për çudi kjo plakë po më fliste krejt për dikë tjetër.
A thua kush mund të ishin ata të dy? A mos vallë kjo grua po më fliste për vete? Pse i flakëronin aq shumë sytë e saj kur ajo drejtonte shikimin drejt atyre atje lart në qiell?
-O Perëndi, çfarë po ndodh?! Kush është kjo grua? Pse pikërisht kjo erdhi tek unë?
Ashtu e hutuar unë po flisja me zë të përhumbur sa që edhe asaj ia kisha tërhequr vëmendjen. Ajo sërish erdhi afër meje, tani krejtësisht me vëmendje të kthjellët, duke më buzëqeshur, por unë isha shndërruar krejtësisht në të kundërtën e asaj, me shumë nostalgji, e përvëluar nga malli, pa shpresë, pa atë që unë e desha më shumë se veten time, madje pikërisht kjo ishte edhe arsyeja që unë ndodhesha aty, në atë kopsht të zambakosur me ngjyrë të kaltër. Atë mbrëmje, kisha mall, dhimbje, trishtim dhe doja që lutjet e mia për atë, t’ m’i dëgjojë Perëndia dhe të ma kthejë lutjen e dëshirën time në realitet qoftë edhe vetëm për një moment të vetëm, të ma sjellë atë pranë meje e pastaj le të na merrte që të dy së bashku, punë e madhe. As që e kisha frikë atë punë, sepse mua edhe ashtu nuk më vinte asgjë në sy kur bëhej fjalë për atë, për mungesën e tij, për jetën time tani të zymtë pa praninë e tij, edhe ashtu e jetoja jetën sa për të thënë që po frymoja kot, por kësaj nuk i thuhej jetë.
Ashtu me lot në sy, ju luta asaj plake engjëllore që të më vije pranë edhe një herë dhe të më tregoi se kush ishte në të vërtetë? Çfarë kishte të bënte ajo me ata të dy? Kush ishin në fakt ata të dy? Po unë? Çfarë kisha të bëja me ata? Pse po ndjehesha kështu, edhe e zbrazët, por edhe e çmallur? Edhe me zemër plot, edhe me të zbrazët? Edhe e përlotur por edhe po më vinte buzëqeshja pa ndalë? Kush je ti? Më thuaj të lutem, i thashë, çfarë rrëfimi është ky? Apo mos po e shikon të shkuarën dhe të ardhmen time? Me këmbëngulje duke ia mbajtur duart e saj i thashë që të më tregonte për çdo gjë. Ajo më buzëqeshi.
Në fytyrën e saj unë po e shikoja shenjat e fytyrës sime, pastaj ajo drejtoi sërish dorën e saj me gisht drejt qiellit, ku nisi të më thoshte:
-“E ëmbla ime, asgjë nuk ndodh nëse nuk është e caktuar që të ndodhë, pastaj ajo shtoi:
-”Ajo atje lart isha unë dikur, që edhe sot jeton dashurisht e lumtur me engjëllin e saj, e unë këtu pranë teje, mbyll sytë për një çast, duke e nxjerrë frymën e saj përplot mall dhe dhimbje, po thosha e ëmbla ime që unë këtu që po qëndroj përballë teje.
-Jam ti, që do të jesh dikur…
Ajo përderisa unë po i çapitja sytë, iku, u largua ashtu sikur një yll që shkëputet nga qielli, që duke u larguar nga unë, zbehej edhe ndriçimi i saj, dalëngadalë.
Ajo iku, u largua ashtu e dashuruar me engjëjt e saj. Nga ana tjetër edhe ata të dy, atje lart duheshin, por edhe unë që mbeta aty në kopsht e rrethuar me përplot trëndafila, fillova prapë që ta dua jetën…



