Shkruar nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji:ESE – Kapiteni i Dashurisë dhe “Legjenda e Ishullit të Sazanit”

ESE – Kapiteni i Dashurisë dhe “Legjenda e Ishullit të Sazanit”

Shkruar nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji
[email protected]

Nuk besoj në koincidenca… Kjo, për faktin e thjeshtë, sepse çdo përvojë më ka mësuar se
rastësia është vetëm një emër për diçka, që nuk e kuptojmë ende. Jeta nuk ndodh rastësisht;
ajo rrjedh sipas një logjike të padukshme, shpesh të çuditshme, shpesh të pakuptueshme për
mendjen tonë të kufizuar. Dhe pikërisht në këtë çudi qëndron e vërteta e saj më e thellë.
Unë besoj se ekziston një energji që i sjell ndodhitë pranë njëra-tjetrës.
U zgjova herët atë mëngjes. Isha gjithë energji!
Mezi prisja të nisesha në atë mision që i kisha kushtuar aq shumë orë pune duke e studiuar e
diskutuar atë projekt. Kisha vendosur ta shkelja vetë atë vend plot mistere, ku legjenda kishte
hedhur rrënjë.
Kështu që përgatita çantën time, piva kafen si zakonisht, u vesha thjesht dhe dola për të
mbërritur aty pranë bregut të detit, ku më priste një varkë e vogël, e cila e bënte këtë rrugë
çdo ditë për turistët. Imshoq kishte kontaktuar me të zotin e varkës dhe ja ku gjendesha para
saj, për t’u nisur drejt destinacionit tim, drejt ishullit të Sazanit. Prej kohësh e kisha menduar
se pa i vizituar këto vende dhe pa i ndjerë nga afër ato valë të detit që gërryejnë pa pushim
ato shkëmbinj, nuk do të çlirohesha dot e të shkruaja studimin tim mbi atë vend e për atë
legjendë të famshme.
Pa e zgjatur, takova pranë varkës të zotin e saj, i cili do t'më shpinte e do t'më kthente sërish.
E kishim bërë plan me timshoq, ai do të vinte e të më priste në kthim. U përshëndetëm! Ishte
një burrë i hijshëm dhe dukej miqësor. Më ndihmoi të hypja në varkë e sakaq vura re se ky
burrë që drejtonte varkën duhej ti kishte mbushur të 70-tat. Por dukej se vitet s'kishin shumë
rëndësi për të. Ishte i drejtë, trupmadh e me një buzëqeshje babaxhani… dukej se mbante të
fshehur sekretet e një jete të gjatë. Duart e tij, të mëdha, të forta e të rrudhosura njëkohësisht,
lëviznin me siguri mbi remat, ndërsa varka nisi të përshkonte ujin e qetë, sikur çdo valë e
njihte dhe e nderonte. S'munda të depërtoja në shikimin e tij…, ai mbante syze dielli dhe një
kapele që dukej si te filmi "Plaku dhe deti"… pak mjekër si detar i vjetër, i thinjur pothuajse
krejt. Tek çanim ujërat e kripura, ai dukej i heshtur e fjalëpak.
***
Ky burrë i fortë e kishte kaluar gjithë jetën me detin. Me atë ishte betuar të dashurohej… nuk u
martua kurrë.
Dikur, në atë moshë kur djelmoshat dashuronin, edhe ai kishte dashur dikë. Asaj i rrihte
zemra për këtë vlonjat shtathedhur e bukurosh. Por diçka e kishte prishur magjinë e tyre. Ajo
u largua të shkollohej në kryeqytet. Ai vazhdoi studimet në Akademinë e Marinës, ku mbeti
udhëtimeve në det. E ndërsa u larguan nga njeri – tjetri, ajo njohu një mik të mirë dhe u
martua. Kjo ndodhi jo se ajo e kishte harruar, por se ai u largua edhe më shumë. Udhëtonte
me anije nëpër vende të ndryshme dhe takimet u bënë të pamundura.
Ndoshta ky ishte fati që universi kishte programuar për të dy. Që atëhere ai nuk e kishte
takuar kurrë më dashurinë e tij.
****
Ndërsa ndjeja flladin e detit, herë herë i hidhja ndonjë vështrim atij burri që çuditërisht as nuk
mu prezantua. Unë u mjaftova me çka imshoq kishte biseduar, dhe e qetë po shijoja bukuritë

e udhëtimit tim të shkurtër. Prej ditësh në mendje më sillej një emër, si një zë i lehtë që s’të lë
rehat. Nuk kishte arsye të qarta pse po mendoja për atë njeri pas kaq vitesh. Thjesht më
ndodhte ndonjëherë si një forcë e heshtur, që as nuk e shohim e as nuk e masim, por e
ndiejmë kur diçka “përkon” në mënyrë të çuditshme me atë që kemi menduar, ndjerë, apo
ëndërruar. Unë ia kam vënë emrin energji… Ajo lind brenda nesh dhe shtrihet përtej nesh. Si
një fije e padukshme që lidh mendimin me realitetin.
Jeta, në këtë kuptim, nuk është një varg ngjarjesh të shkëputura, por një pasqyrë e
brendësisë sonë. Mendimet tona nuk janë të pafajshme dhe as të padëmshme. Ato janë
forma energjie që kërkojnë shprehje. Ato krijojnë rrugë, hapin dyer, ose i mbyllin pa zhurmë.
Ne ecim brenda botës që ndërtojmë me mendje, edhe kur mendojmë se po jetojmë në një
realitet të pavarur nga ne.
Shpesh pyes veten: a jemi ne që mendojmë jetën, apo jeta që mendon përmes nesh?!
Ndoshta të dyja njëkohësisht. Sepse njeriu nuk është thjesht trup që lëviz në hapësirë, por
mendim që kërkon kuptim. Dhe sa herë që mendojmë thellë, jemi duke krijuar; sa herë që
besojmë fort, jemi duke thirrur; sa herë që dyshojmë, jemi duke shtyrë larg ato që dëshirojmë.
Kjo është çudia e jetës: ajo sillet si një bashkëbiseduese misterioze brenda koshiencës sonë
e na përgjigjet me ngjarje. Na flet përmes njerëzve që shfaqen papritur, përmes humbjeve që
na ndryshojnë, përmes përputhjeve që na tronditin. Dhe ne, shpesh, i quajmë këto
koincidenca, sepse kemi frikë ta pranojmë përgjegjësinë që vjen me idenë se jemi
bashkëkrijues të asaj që na ndodh.
Ndoshta, në fund, jeta nuk është e çuditshme sepse shpesh është e pakuptueshme. Është e
çuditshme sepse është shumë e thellë për t’u shpjeguar me fjalë të thjeshta. Dhe ndoshta
koincidencat nuk ekzistojnë, sepse asgjë nuk ndodh pa qenë më parë një mendim, një ndjesi,
një energji që ka kërkuar të marrë formë…
Varketari ishte aty i heshtur, në varkë, i ulur pranë timonit duke e drejtuar atë drejt ishullit të
Sazanit. Deti ishte i qetë, ai qetësim i rremë që zakonisht vjen përpara ndryshimit të motit.
Ndërsa bëja ndonjë pyetje kot, seç pata një ndjesi të çuditshme, sikur diçka e njohur afrohet
pa paralajmërim. Faktikisht mendoja parreshtur per legjendën, çfarë më shtyu kaq shumë të
këmbëngulja të shkoja aty?! Ndoshta prisja se duke shkelur ato gurë, duke qenë në atë vend,
do të kisha mundësinë ta përfytyroja legjendën, t’i kuptoja ato shkëmbinj që ishin dëshmitarë
të asaj epoke dhe që i kishin rezistuar vetmisë në ishull, stuhive, erërave apo shirave të ftohtë
që e përshkonin atë.
Po i afroheshim ishullit dhe çuditërisht varkëtari vazhdonte i heshtur, duke pirë një cigare uli
kryet dhe më tha: ky ishull pret e përcjell shumë njerëz, turistë nga vende të ndryshme. Ndali
pak dhe tha sikur ti kishte njohur të gjithë ata që sillte aty: të gjithë ruajnë të fshehtat e tyre
dhe kërkojnë të dinë të fshehtat e këtij ishulli. Pastaj lidhi litarët te vendi ku ndalëm dhe zbriti i
pari, u kthye me dha dorën të më ndihmonte të dilja nga varka. Unë e shkujdesur për pak,
hodha këmbën nga anija, dhe bëra përpara. I thashë se do të vonohesha ndonjë orë e mos të
bëhej merak. E doja vetminë time në këtë rrugëtim, jo se s'jam sociale, por kjo më ndihmonte
në përqëndrim.
Ishulli kishte turistë e të ardhur të tjerë. Këtë punën e varkëtarit e bënin edhe të tjerë aty.
Mendja bluante sikur të jetoja dy botë. Prisja se diçka do të ndodhte. Kisha një parandjenjë të
çuditshme…vallë do të zbuloja dot atë ç’ka fshihte ky ishull, apo diçka tjetër do ta mbushte atë

aventurë që sapo kisha marrë. Në veshët e mi rrëshqiste si padashur zëri paksa i ngjirur i
plakut të moçm. E dija brenda vetes, se ai e dinte mirë legjendën. Ah sikur të qe e vërtetë,
sikur dikush aty në ishull të shfaqej e të tregonte për atë plagë të hapur që rënkonte mbi këtë
ishull të vetmuar. Legjenda tregon se qielli mbi Sazan nxin, edhe kur dita është e bardhë e
me diell. Dhe mua më kumbonin në vesh këto, sikur vërtet plaku i moçëm i thoshte me zërin e
tij, ja kështu:
“Ky ishull, nuk u mallkua nga Zoti.
U mallkua nga njerëzit.
Legjenda u shkrua në vargje:
Edhe kur të bardha janë retë,
Në gjak derdhen rrëketë…
Gojëdhanat rrëfejnë plagë,
Është i mynxyrës thonë,
Ishulli me ëndrravrarë,
Ku veç kukuvajka shkon…”
Sazani jeton me këtë fakt – pëshpërita me vete dhe sytë e mi u drodhën, nisa të ndjeja diçka
të çuditeshme. Vështroja pemët, gurët, shkmbinjtë dhe më dukeshin si pa jetë, pa shpirt, të
ftohtë, mister… dashuri e tyre kishte mbetur aty. Ndjeja zemrën që më trokiste fort. Më
ushtonin në vesh fjalët rrënqethëse të këngës:
“Rendi vashëza e kërkoi sevdanë,
U end errësirës së natës,
Atje ku gjeti Sazanë,
Mbeti mes këngës e dallgës.”
Ajo muzikë e ëmbël e largët, vinte si jehonë e mbytur nga shushurima e valëve të detit. Anije
të tjera, kishin sjellë vizitorë e turistë të shumtë. Ky ishull ishte kurreshtje e madhe. Më parë,
aty spara shkelte këmbë njeriu, dhe mua më dukej se amaneti i legjendës kishte mbetur një
amanet i hapur, që thërriste si oshëtimë e gjallë.
Dikur, ky ishull, në kohën e komunizmit, ishte i mbyllur, pothuaj pa vizitorë dhe izolimi i
shekujve e thelloi atë legjendë. Ushtri, bunkerë, ndalime të kohës së diktaturës, tela me
gjemba, gjithçka që ta ndal frymën, aq sa heshtja zuri rrënjë të thella. Ishulli, që si perlë nga
larg, rri kurorë e gjelbër mes detit, ndihej i izoluar, i mbyllur në brengat e tij, por rrëfimi i
gojëdhanës nuk u mbyll kurrë. Isoja labe i dha zë dhimbjes pa e thyer. Sot, gurët e Sazanit po
më dukeshin të ftohtë, dhe u rënqetha e tëra, sepse m’u kujtuan ato vite të brishta rinore të
miat. Zemrën ia kisha lënë peng këtij deti…dhe kushedi sa histori të ngjashme fshiheshin
brenda këtij misteri…
Legjenda vazhdonte më trokiste ndër tëmtha:
"Sazanë i gjor mbeti pa zë,
Mynxyra e vrau edhe atë!
Ajo me të bardha shetit mbi dallgë,
Mbeti baladë e gdhendur në plagë!"

Pemët fërfërinin, ishte një fllad që nisi të frynte pas dreke. Sazani, ky ishull me mistere, nisi të
depërtonte në shpirtin tim… Dikur, një vajzë e re reth 17 vjeçe, ah s’kam dashur kurrë ta
tregoj, u dashurova me sytë e një marinari nga Vlora. Një djalë i gjatë, me shpatulla të gjera,
me sy të ëmbël më kishte pikasur. Sa herë sytë tanë takoheshin, ai psherëtinte. Një ngjyrë
rozë i derdhej mbi fytyrë dhe më pas humbiste në vështrimin e tij. Eh, atë kohë unë isha e
lumtur! Si një flutur e bukur krahëlehtë, buzëqeshja dhe rendja për në shkollë. Mall kam për
ato vite që i jetova për gjysëm. Marinari bjond i gjatë dhe bukurosh, më dilte përpara, aty ku
nuk e prisja. Unë buzëqeshja e lumtur. Dhe nuk e di pse ky ishull pas 45 vjetëve martuar, më
kujtoi atë dashuri të pajetuar. Atë dashuri që mbeti detit blu… Por jeta vazhdon dhe unë e
kisha gjetur lumturinë time me bashkëshortin tim të mirë, babaxhan, të duruar, të respektuar e
punëtor. Të dy tashmë i përkisnim njeri – tjetrit. Mendoja se gjithçka kishte kaluar…
Pasi u enda ishullit, u kujtova që duhet të kthehesha. Varka dhe varktari “misterioz” më priste.
E gjeta ulur aty pranë varkës duke tymosur cigaren e tij, me vështrimin detit ashtu i menduar,
i qetë e i duruar. Edhe era sikur po bëhej e padurueshme dhe moti ndoshta po sillte shi. Re të
zeza po vinin mbi ne dhe nxitova të nisesha sa më shpejt. Kishte ditë që moti ishte i
paqëndrueshëm. Edhe varka nxitonte nga era më shpejtë. Ndjeva pak nervozizëm tek
varktari dhe mendova, thjesht nga moti. Ai vzhdonte të ishte pa fjalë dhe kjo më bënte të
ndrojtur.
Më duket se shiun nuk e shmangim dot, – mu drejtua sikur të lutej që mos të mërzitesha.
– Ça fati të kemi, – i thashë duke i buzëqeshur. – ai ngriti kokën dhe vështroi qiellin.
E ndjeva edhe unë, pikat e shiut nisën të derdheshin mbi ne, deti u errësua. Nuk e di, por nuk
ndjeva frikë. Ndoshta sepse kisha ndjerë një farë siguri nga varkëtari, nga qetësia e tij…
ndërkohë që cigaren e mbante në buzë, u ngrit, diçka të regullonte aty në varkë, kur shiu e
kishte seriozisht. U ngrita dhe unë e sapo i fola, ndoshta kishte nevojë për ndihmë, kthehu
kokën rrëmbimthi dhe syzet e diellit rrëshkitën e ranë mbi kuvertën e varkës. Sytë e mi mbetën
mbi sytë e tij…ishte një moment që më drodhi…ai ndaloi dhe më pa me ato sy që unë i njoha
menjëherë, i njoha dhe ngriva për një çast. Nuk mund të përmbahesha, iu hodha në qafë, e
shtrëngova fort…duart e tij të mëdha më mbështollën si për të më mbrojtur nga shiu. Nuk
flisnim, mua më kishte ngecur fjala në grykë, veç mbaj mend që bashkë me shiun, lotët e mi
nuk rreshtnin dhe ai më tërhoqi pas vetes, me puthi mbi flokë e më mbështolli brenda gjoksit të
tij të stërmadh.
– Oh Zoti im! Çfarë ndodhi kështu?! Ç’të ishte vallë, ëndërr apo e vërtetë?! Vazhdoja në
ngashërimin tim, brenda gjoksit të tij dhe ngrita sytë ta shihja më mirë, sikur të shuaja mallin tim
që rëndonte vite e vite në shpirtin tim. Vura re se edhe ai i kishte sytë plot lotë. Kishim mbetur
mes detit…vetem ne, si për ta sfiduar, për atë që na kishte rrëmbyer shumë vite më parë. As
vetë nuk po e kuptoja se ku po na çonte rryma, por një gjë e dija mirë: shpirtin rinor ia kisha
falur, zemra dhe mendja ime i përkiste atij që kisha patur në krahë gjithë jetën. Jetova ato çaste
si të ishte një jetë e tërë e pasi e mblodhëm disi veten, pa folur në krahët e njeri-tjetrit, po i
drejtoheshim qyetit dhe shiu pothuaj kishte shterrur. Ai për mua do të mbetej Kapiteni i
dashurisë!
– Shi behari, – tha kapiteni, “kapiteni i dashurisë”, i tillë do të mbetej. Nuk e fajësuam
njeri – tjetrin, veç malli na e mbylli gojën. Dhe duket se heshtjen e tij, ky burrë ma dha
edhe mua.

– Të njoha që çastin kur të pashë – tha ashtu qetë, duke më parë në sy e duke mi fshirë
lotët. As vet nuk u besova syve, por veç dije që ti ke jetuar brenda meje, ajo vajza e
bukur me sytë zjarr. – Kaq arriti të më thoshte dhe lotët e mbytën, ndërkohë që më
shtrëngonte në gjoksin e tij.
Në breg më priste imshoq me mbesën e vogël. I pikasa që larg. U munduam mos të binim në
sy dhe buzëqeshja ime erdhi vetiu. Mbesa ime ishte dashuri që na ngrohte e i gëzoheshim
shumë. U përshendeta me varkëtarin, kapitenin e dashurisë sime, gjithashtu edhe imshoq dhe
u larguam…
Tashmë e dija se takimi ynë nuk ishte koincidencë. Ishte një bashkim i heshtur i mendimit dhe
i kujtesës gjatë gjithë kohës. Jeta nuk na i sjell njerëzit për t’i rikthyer aty ku ishin, por për të
na treguar se çfarë kemi mbajtur ende gjallë brenda vetes.

Shkruar nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji

Sytë folën sërish (Kapiteni i dashurisë)

– YouTube

U kthyem pas vitesh heshtur,
Malli më priti si det,
Plagë pa fjalë aty mbetur,
As koha vet s'mundi ti tret'.
Korrikut me diellin në sy,
Një varkë e vogël na priste,
Një shpresë e re shkrirë aty,
Deti i qetë, sikur flinte!
Refreni
Si dëshmitar na thërriste,
Me zë edhe heshtja foli,
Shkëmbi i ftohtë na shihte,
Edhe legjenda frymë mori.
Me plagë që koha dot s’i mbyll.
Dashuritë e vrara këndojnë,
Dikur marinar' i bukur si yll,
Dhe drenusha e tij, ëndrrat zgjojnë.
****

Nata i mori të dy në gji.
Dhe kjo legjendë më përfshiu,
Kur sytë e tu të mitë takuan,
Ata sy, oh, ç'të tradhëtuan!
Mes valëve që s’flenë kurrë.
Aty zemrat rrahën sërish,
Një marinar 20 vjeçar dikur,
Sot kapiteni dashurisë!
Refreni
Si t’më zgjonte kujtim' i vjetër,
Ky marinar i ri, sot burrë,
Një dashuri e mbetur pezull,
Mes detit e mbytur dikur!
Valët i ruajnë sekretet,
koha s’i merr dot me vete.
Aaa, dashuritë që s’u jetuan,
Kthehen në këngë e treten.
*****
Të dy u takuam në at' varkë,
Legjenda nuk vdes kurrë,
Kjo dashuria jonë e pafatë,
Me legjendën u shkrua në gurë!
Teksti nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji
Muzika nga Bruko Broadcast Radio BBR