Elvira Zeneli
Frymë për të Dy
Një mal me vargje shkruaj për ty,
për kujtimet që treten në harresë,
për qerpikët që dridhen lehtë mbi sy,
kur puthja jonë zgjon çdo mëngjes.
Më fal buzët, ku puthja merr zjarr,
të ndizet flakë në shpirtin tim,
të humbas në puthjen e parë,
dhe koha të ndalet në një vështrim.
Në zemrën time gjej strehim,
si një lule që çel në blerim,
aty ku rreh një botë pa mbarim,
që të vegojë përherë dashurinë.
Përmbi sy, si dritë neoni,
çdo mall te mua tretet ngadalë,
si në një gjumë të thellë e të vetmuar,
kur ti më vjen si ëndërr e rrallë.
Si hënë e butë mbi natën time,
ndriço shpirtin tim pa kthime,
që dora jote në timen të mbetet,
në një udhë që veç dashuri flet.
Unë jam telajo e heshtur në hije,
ti je piktori që më jep jetë,
le ta lindim botën nga ngjyrat e shpirtit,
në një univers që buzëqesh i qetë.
Sot më shijon ëmbëlsia jote,
nesër ç’të vijë, ta kemi mirësi,
si një lule që çel në pranverë,
e brishtë, por plot jetë e dashuri.
Në buzët e tua digjet një verë,
nga një puthje që merr flakë,
e kuqe si zjarr që s’di të shterë,
si ar i shkrirë në shpirt më mbart.
Dua të ndjej ritmin tënd tek mua,
si lumë që rrjedh pa u ndalur në sy,
bashkë të humbasim në këtë rrjedhë,
ku dashuria bëhet frymë për të dy.
O shpirt i gjetur në thellësi,
që ndez hijet e gjumit në një flakë,
ku psherëtin e shuar hapi i ëndrrës,
në një dashuri të vërtetë përvëlimtare.


