Rizah Sheqiri: Midis dallgëve të detit  në barkën pa lopata

Rizah Sheqiri: Midis dallgëve të detit  në barkën pa lopata

– Analizë e romanit “Barka pa lopata” të shkrimtarit Hamit Gurguri –  Romani “Barka pa lopata” i autorit Hamit Gurguri është një vepër me karakter të theksuar realist dhe psikologjik, botuar nga shtëpia botuese “Erik Hans” në Borås të Suedisë. Vepra trajton fatin e njeriut në përballje me gabimet, ndërgjegjen dhe pasojat e jetës. Që në fillim, përmes konfliktit të fortë mes Abitit dhe Nafisë, autori krijon një atmosferë të rëndë emocionale dhe sociale. Kjo hyrje nuk është vetëm një skenë familjare, por një pikë kulmore që zbulon dështimin moral të protagonistit dhe paralajmëron rrugëtimin e tij drejt vetëdijes.Në të vërtetë  romani ndërtohet mbi historinë e dy vëllezërve binjakë dhe dy motrave binjake, të cilët krijojnë familje, por dallimet e mëdha në karakter dhe në botëkuptim ndikojnë në fatin e tyre. Kjo strukturë kontrasti është themelore për të kuptuar zhvillimin e ngjarjeve.

Në qendër të romanit qëndron Abiti, një figurë tragjike dhe anti-heroike. Ai është vëllai që nuk arrin të jetë i fortë dhe i drejtë si binjaku i tij, ai zgjodhi një rrugë të gabuar në sjellje e në angazhimin e tij dhe kështu u bë një njeri i humbur në jetë. Kjo paraqitet qysh në fillim të romanit duke e përshkruar karakterin dhe sjelljet e tij ku ai paraqitet si i dhunshëm, arrogant dhe i papërgjegjshëm ndaj gruas dhe familjes.Një karakter antipod i i Abitit është Nafia. Marrëdhënia me Nafinë është një nga shtyllat kryesore të veprës. Nafia përfaqëson vlerat morale: durimin, edukatën dhe përkushtimin. Por ndryshe nga e kaluara, ajo në fund merr vendimin për ta larguar Abitin nga jeta e saj. Ky akt është një pikë kthese që e detyron protagonistin të përballet  jo me të tjerët por me vetveten. Një element shumë i rëndësishëm në roman është vetëdijësimi i vonuar i Abitit. Ai e kupton se gjatë jetës ka qenë jo vetëm i padrejtë ndaj familjes, por edhe i manipuluar nga të tjerët dike u bërë një lloj vegle në duar të pushtetarëve, duke tradhtuar vlera të rëndësishme njerëzore  dhe duke humbur identitetin e tij. Kjo e thellon dimensionin social të romanit, duke treguar se individi mund të shfrytëzohet nga struktura më të mëdha qoftë të shoqërisë apo edhe të pushtetit. Rrëfimi zhvillohet në formë reflektimi dhe kujtimi.  P.sh Abiti rikthehet në të kaluarën, në fëmijërinë e tij dhe në vdekjen tragjike të babait në minierë. Ky moment përbën një traumë të fortë që ndikon në formimin e karakterit të tij. Humbja e hershme, mungesa e drejtimit dhe ndikimet negative e çojnë atë drejt një jete të çrregullt.Një element i veçantë strukturor është forma e ditarit. Abiti i incizon përjetimet e tij dhe ia lënë një miku. Ky element  i jep romanit karakter rrëfyes dhe intim. Kjo e bën romanin më të besueshëm dhe më të afërt me lexuesin, sepse ngjarjet vijnë si dëshmi personale. Simbolika e titullit është shumë e fuqishme. “Barka pa lopata” përfaqëson jetën e Abitit, një jetë pa drejtim dhe pa kontroll. Në fund, ai largohet drejt detit dhe humbet në oqean, një fund simbolik që tregon zhdukjen e tij si individ dhe dështimin e plotë të jetës së tij.

Stili i autorit është realist dhe emocional, me përdorim të gjuhës së pasur dhe rrëfimi  popullore me dialogëve të drejtpërdrejta, si  dhe përvoja e gjatë e autorit, si shkrimtar dhe përkthyes i shumë veprave reflektohet edhe në ndërtimin e thellë të personazheve dhe në trajtimin e temave universale. Në fund mund të them se “Barka pa lopata” është një roman i fuqishëm që trajton rrugëtimin e një njeriu nga gabimi drejt vetëdijes, por edhe drejt humbjes përfundimtare. Vepra përcjell mesazhin se jeta pa vlera dhe pa përgjegjësi çon në shkatërrim personal dhe familjar. Përmes figurave të portretizuara bukur në roman  autori paralajmëron edhe rrezikun e humbjes së identitetit dhe të manipulimit nga të tjerët. Romani mbetet një vepër mbresëlënëse, që jo vetëm rrëfen një histori individuale, por edhe trajton çështje të rëndësishme shoqërore dhe morale. Ai i bën thirrje lexuesit të reflektojë mbi jetën, zgjedhjet dhe përgjegjësitë, para se të jetë tepër vonë.