Rizah Sheqiri PROMOVIME: DY LIBRA NË PROZË NGA SEVDAIL ZEJNULLAHU

Rizah Sheqiri
PROMOVIME: DY LIBRA NË PROZË NGA SEVDAIL ZEJNULLAHU
Gjatë ditës së dytë të Festivalit të XV – të të Poezisë në Borås më 19 prill 2026 u bë promovimi i dy librave në prozë nga Sevdail Zejnullahu.
Këtu po sjellim fragmente nga fjala ime për krijimtarinë e S.Zejnullahut, me theks të veçantë për përmbledhjen me tregime “Pengu i dollisë” dhe për romanin “Hiri i shtëpisë”.
1. S. Zejnullahu: ”Pengu i dollisë” tregime, Botoi “Faik Konica” Prishtinë.

Sevdail Zejnullahu është krijuesi i kalimeve të lehta nga poezia në prozë dhe anasjelltas. Vepra e tij, sa të bën të ndjehesh se je aktor në një ngjarje a rrëfim, të hedh në fluturime poetike e fantazmagori që sërish të kthejnë ’në temë’.

Libri me tregime “Pengu i dollisë” sjell pikërisht kalime të tilla transcendentale nga ngurosja në lëvizje, nga meditimi në akt dramatik. Kryeheroi, Istref Bregu, kalon nga aventura në aventurë, nga njëra derë në tjetrën, nga drita në terr, nga heshtja në zhurmë e
dialogë krejt të nxehtë a krejt të ftohtë për kuptime e moskuptime. Rrëfimi me tone të theksuara surrealiste që buron nga skena kafkaeske
nëpër të cilat kalëron Istref Bregu, e bën veprën e këtij autori një dramë fragmentesh narrative që prek bërthamën e liminalitetit human:
sa ndodhesh i përhumbur para shtegut të Rrugës së kalit, sa ndihesh i tund-e-shkundur në Shoshë, sa i çoroditur në Qytetin e ilaçeve, në
Ishullin e kërpudhave e para Derës së çmendinës, sa i mahnitur para Aromës së gjahut, para Shoshës apo aktit të Dollisë.
Në udhëkryqet e temave të mëdha të jetës, tregimet e këtij autori vijnë si erëza sa të hidhura po aq joshëse që ofrojnë një pëlhurë të
bashkëjetimit të ngjyrave të ngrysura me ato që lakmojnë alegron. Fillim e fund, rrëfimi rrjedh si një pije e ftohtë me ekstrakt bimësh nga ato të ilaçeve narrative për tema borxhi e dollie, për shtegtime në aventura gjahu e boshllëku. Kujtim Mani
***
Absurdi në tregimet e tij lidhet me përjetimin e një bote që nuk ibindet më logjikës ku njeriu ndjehet i humbur e tjetërsuar, i zbrazët dhe i paaftë për të gjetur kuptim. Ky stil që e hasim te Kafka, Kamy, Bucati e të tjerë, në tregimet e tij rrjedh në një mënyrë disi origjinale, si pasojë e konteksteve të veçanta kulturore, sociale dhe politike kosovare. Këtu absurdi shfaqet si një mënyrë për të përshkruar së pari
jetën nën represion, mungesën e lirisë dhe pastaj ballafaqimin me to dhe mepakuptimësinë që krejt papritur i shoqëron ato. Në këtë
kontekst, absurdi nuk është thjesht zgjedhje estetike, por domosdoshmëri për të komunikuar përvoja që nuk mund të shpreheshin ndryshe, për shkak të mungesës së lirisë apo frikës dhe subsituimit të tyre në rrethana të reja të krijuara pasluftë Avdi Visoka, Jeta e re nr. 2 2025

***
…Përmes një poetike të zgjedhur rrëfimtare, tregimet e këtij libri në një mënyrë a në një tjetër kanë ndërtuar pengun e hyrjes apo edhe
daljes nga ëndrra, një synim ky i përhershëm i heroit të tregimeve, Istref Bregut. Ky hero, duket se është ngatërruar labirinteve të jetës
somnambul, gjysmë i Zgjuar, gjysmë ëndërr herë në zhgjëndërr, herë alternueshëm njëkohshëm në të dyja: real dhe surreal në të njëjtën
kohë…..
Vetë lexuesi mbahet peng i përrallës jetësore që del nga këto rrëfime, nga bota e ngjeshur e këtyre tregimeve, që na e sjellin aq të mpleksur
endrrën, përrallën dhe jetën që prekim me me sy hapur. Rizah Sheqiri, Jeta e re nr 1 2025

2. S. Zejnullahu: “Hiri i shtëpisë”, roman, Botoi “Faik Konica” Prishtinë, 2025

Ese
Rizah Sheqiri: Heroi dhe hiri i shtëpisë
– Një ese mbi mbijetesën dhe identitetin, frymëzuar nga romani “Hiri i shtëpisë” i  Sevdail Zejnullahut –
Simbolika e hirit
Në një shoqëri të përshkuar nga konflikte dhe sfida, është e lehtë të humbasësh vetveten në hirin e asaj që dikur ishte. Heroi, që bartë gjurmët e luftës, nuk përballet vetëm me rindërtimin fizik të shtëpisë së tij, por edhe me një betejë të thellë të brendshme për të rifituar
identitetin dhe kuptimin në një botë që është transformuar rrënjësisht. Monologu me vetveten, një dialog introspektiv që përshkon çdo mendim dhe ndjenjë, bëhet udhërrëfyes në procesin e vështirë të navigimit përmes labirinteve të tragjedisë.
Hiri është një simbol qendror në këtë kontekst. Ai përfaqëson jo vetëm humbjen materiale, por edhe shkatërrimin emocional dhe psikologjik që vjen pas luftës. Është një kujtesë e së kaluarës, e asaj që dikur ishte e gjallërishme dhe e plotë, tani e reduktuar në një peizazh të
zymtë dhe të heshtur. Heroi përballet me një paradoks: si mund të rindërtohet diçka që është shkatërruar në thelb, si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht? Kjo pyetje jehon në dialogun e heshtur mes heroit dhe hirit të shtëpisë.
Në këtë dialog, hiri bëhet një karakter më vete, një dëshmitar i heshtur i tragjedive që kanë ndodhur. Ai mbart rrëfime dhimbjeje, humbjeje dhe mbijetese, por edhe shpresën për rilindje. Heroi, në përpjekjen për të rifituar kontrollin mbi jetën dhe rrethinën e tij, duhet të
mësojë ta përqafojë këtë hir, të kuptojë se ka forcë në pranimin e së kaluarës. Pikërisht kjo vërteton një realitet të ri në kuptimin e thellë njerëzor, pra që të ndërtosh sërish kurrësesi nuk do të thotë të mohosh atë që ka ndodhur, por të integrosh ato përvoja në udhëtimin e
mëtejshëm.
Synimi dhe përpjekja e ringritjes ka një filozofi të thellë në luftën për të rindërtuar. Bëhet fjalë për përballjen me cenueshmërinë e vet dhe për gjetjen e guximit për t’u ngritur sërish përkundër të gjitha vështirësive. Heroi, si simbol i forcës njerëzore, na tregon se është e mundur të ngrihesh nga hiri, që të transformosh dhimbjen në forcë dhe humbjen në një fillim të ri. Ky proces i rishpikjes së vetes nuk është vetëm një përpjekje personale, por edhe një përpjekje kolektive, ku çdo individ kontribuon në një narrativ më të madh të përbashkët.
Heroi dhe hiri
Heroi dhe përballja e tij me hirin na vjen si një poezi mbi mbijetesën, identitetin dhe ringritjen.
Në hirin e heshtur të shtëpisë së djegur, ku kujtimet flenë nën pluhurin e humbur, qëndron heroi, me plagë të padukshme, duke kërkuar veten në një botë të ndryshuar. Ai flet me hijen, me murin e rrënuar, me dritaren që dikur ishte dhe përtej të cilës shihte yjet,
por mbi të gjitha më i fuqishëm bëhet monologu me me zërin e brendshëm që nuk hesht kurrë, një monolog i shpirtit që kërkon dritë.
Hiri nuk është vetëm mbetje e zjarrit, por dëshmitar i dhimbjes, i humbjes, i shpresës. Ai flet pa fjalë, me aromën e së kaluarës, me kujtimet që digjen, por që megjithatë nuk zhdukena.
(fragment i shkurtër nga një ese i gjatë)
Rizah Sheqiri