Nga Gladiola Jorbus: Nuk duhet të fajësojmë fëmijët

Nga Gladiola Jorbus

Nuk duhet të fajësojmë fëmijët

Sot dëgjojmë rëndom shprehjet klishe se fëmijët dhe të rinjtë kanë ndryshuar, se nuk janë mirënjohës, se mërziten edhe pse kanë gjithçka. Por unë besoj se problemi nuk qëndron tek fëmijët, por tek ne të rriturit. Ne kemi krijuar një botë ku gjithçka ndodh shpejt, ku teknologjia është gjithmonë prezent dhe ku shpesh përpiqemi të zëvendësojmë kohën dhe praninë, me gjëra materiale. Kur fëmijët marrin gjithçka dhe menjëherë, ata humbasin aftësinë për të pritur dhe për të vlerësuar.
Por jemi ne të rriturit, ata që ua kemi mësuar këtë sjellje. Vite më parë, një dhuratë e vogël ose një moment i thjeshtë me shokët sillte gëzim të madh. Sot, fëmijët marrin disa dhurata njëherësh dhe sërish ndiejnë boshllëk. Ne mendojmë se i bëjmë të lumtur, por në të vërtetë u mësojmë se lumturia blihet.
Është koha të ndalojmë së fajësuari brezin e ri dhe të shohim rolin tonë. Ne kemi ndërtuar shoqërinë, kemi vendosur ritmin dhe kemi zgjedhur stilin e jetesës. Nëse duam të kuptojmë pse fëmijët nuk ndihen mirë, duhet të shohim përtej sjelljes së tyre dhe të shikojmë sistemin për të cilin ne jemi përgjegjës. Kemi krijuar një shoqëri që gjithmonë vrapon të ketë më shumë; më shumë para, më shumë pushtet, më shumë teknologji. Këto elemente nuk formësojnë fëmijë të qetë, por shpirtra të shqetësuar, të bulizuar nga trysnia e parasë, e markave të shtrenjta, e celularëve të fundit etj.
Nuk janë fëmijët ata që duhet të ndryshojnë, por kultura që ne të rriturit kemi krijuar. Ne formojmë të ardhmen përmes zgjedhjeve tona të përditshme: si jetojmë, çfarë vlerësojmë dhe çfarë konsiderojmë të rëndësishme. Nëse duam fëmijë të sigurt, duhet të krijojmë një shoqëri të sigurt.
Dikur, në traditën shqiptare të Vitit të Ri gëzoheshim nga çdo dhuratë, sado e vogël të ishte: një palë çorape të reja, një kartolinë, një lodër e thjeshtë, një portokall a mollë apo edhe një çokollatë, sillnin lumturi të madhe. Dhurata nuk kishte vlerë vetëm materiale, por mbante brenda dashurinë dhe kujdesin e familjes. Ne e vlerësonim më shumë, sepse nuk ishte e zakonshme të merrje disa gjëra njëherësh.
Ky kujtim na tregon se lumturia nuk vjen nga sasia, por nga kuptimi dhe ndjenja që shoqëron dhuratën. Nëse rikthehemi te kjo traditë, ku çdo gjë e vogël kishte peshë të madhe, mund t’u mësojmë fëmijëve tanë të sotëm se gëzimi nuk blihet me shumë dhurata, por krijohet nga dashuria, koha e kaluar së bashku dhe vlerësimi i gjërave të thjeshta.