E diela poetike me Rakela Zoga

Rakela Zoga

Lotë emigranti!

Ky qytet ka një qiell tjetër,
Të ngrysur, të vrarë,
Lotët e emigrantit nuk shfaqen,
I rrëmben deti dallgë.

Hapat dëgjohen asfaltit,
Përshëndesin tokën.
Shpirtin e kanë lënë larg.
Zemra mban plaget e kohës.

Ky qytet përqafon dhimbjet,
Nënat përherë larg,
Në shtëpitë e tyre presin pas porte,
Bijtë e ikur emigrantë.

Emigranti krrus dashurinë,
Në tokën e akullt, në dheun kallkan,
As vjeshta si lan dot lotët e tij,
Në këtë qytet të bukur përrallë

Heshtja e bardhë!!

Motet u mbytën, prej heshtjes së fjetur.
Stinë e vyshkur përgjimi im, u tha.
S’ka më kohë, as lotë vjeshte…
Dhe rruga e pritjes, prej shpirtit u nda…

Sytë e lodhur, mbuluar mes gjethesh.
Fshehin ëndrrën, që mbyt heshtja dallgë.
Sa herë të thërrisja, ajo më përplaste,
Tek porta e dhimbjes, që kullonte mall.

Qerpikë të ulur në degë pemësh,
Shkundin lotin e fundit në park.
Ish prag vjeshte, atëherë kur më zgjove…
Është prag vjeshte tani, që iki larg…