Gladiola Jorbus: Brezi i over 40-vjeçarëve në kaosin midis dy botëve, i formuar nën trysni dhe i lodhur nga amplitudat e kohës

Gladiola Jorbus

Brezi i over 40-vjeçarëve në kaosin midis dy botëve, i formuar nën trysni dhe i lodhur nga amplitudat e kohës

Brezi i sotëm rreth të 40-ave është ndoshta një nga brezat më të veçantë dhe më të pazëvendësueshëm në historinë e shoqërisë shqiptare. Ne lindëm në vitet e fundit të komunizmit, në një sistem të mbyllur, me rregulla të hekurta, por u rritëm në kaosin dhe shpresën e tranzicionit. Jetuam dy realitete të kundërta, pa u përgatitur kurrë për ndryshimet që na përplasën pas murit. Prandaj sot shumë prej nesh vuajnë. Jo sepse jemi të dobët, por sepse mbajmë peshën e një epoke të tërë mbi shpinë.
Lindëm në stabilitet të rremë, por u rritëm në pasiguri të vërtetë.
Si fëmijë pamë një botë ku gjithçka dukej e qartë: shtëpia, shkolla, profesioni i së ardhmes. Nuk kishte dilema, nuk kishte konkurrencë, nuk kishte makth zgjedhjeje. Pastaj, papritur u zhytëm në tranzicion, në mungesë sigurie ekonomike, në ndryshim të vlerave nga dita në ditë, emigrim i familjarëve, shembje të strukturave që dikur jepnin siguri.
Në vitet ’90, shumë prej nesh panë prindër të papërgatitur për botën e re: të hutuar, të papunë, të pamësuar me tregun e lirë dhe me konkurrencën. Kështu, fëmijët u detyruan të rriteshin para kohe, të ndihmonin në ekonominë e familjes, të përshtateshin vetë, të gjenin rrugën në një realitet pa rrugë.
Kjo u mësoi forcën, por edhe lodhjen e brendshme që sot e bartin si barrë. Ky brez u rrit me premtimet e mëdha të viteve ’90: liri, përparim, mirëqenie, Evropë. Shumë prej këtyre premtimeve u thyen. Ne u gjendëm në një treg brutal pune, në një shtet ende të dobët, në një shoqëri ku meritokracia shpesh humbiste përballë lidhjeve dhe korrupsionit. Shumëkujt iu desh të luftonte dyfish për gjëra bazike: arsim, punë, strehim, stabilitet. Ne jemi ura ndërlidhëse ndërmjet prindërve me mentalitet të vjetër dhe fëmijëve tanë që jetojnë në epokën digjitale.
Jemi brezi që ende ndihmon prindërit financiarisht, që paguajmë kredi, që rrisim fëmijët në një botë të pamëshirshme dhe punojmë pa pushim.
Ne u japim të gjithëve, por askush s’do të na japë neve. Sot vuajmë sepse jemi të lodhur dhe kemi jetuar shumë jetë brenda një jete të vetme. Ne kemi përjetuar një tranzicion të gjatë, pasiguri ekonomike, ankth për të ardhmen, mungesë mbështetjeje psikologjike, presion, ndjenjën se gjithmonë duhet të provojmë veten. Ne jemi brezi që krahasohet me të kaluarën dhe gjykohet nga e ardhmja. Gjithmonë nën presion. Por ne kemi dhe forcën më të madhe. Ne dimë të mbijetojmë.
Dimë të punojmë, të përshtatemi, të ndërtojmë nga hiçi, të ruajmë vlerat njerëzore.