Pasdita poetike me Emine S. HOTI

Emine S. HOTI

Cikël me poezi
Flamuri

Një flamur kam qëndis,
në pëlhurën kuqezi,
mes shqipja e lirisë,
krenare për ty Shqipëri.
Flamuri ynë i shenjtë,
në ballë të betejave ti,
na jep shpresë e guxim,
o flamur kuqezi!
Për ty mijëra dëshmorë,
gjakun e tyre dhanë,
në panteonin e shenjtë,
atdhe përherë i mban.
Gjithë jetën do qëndis,
flamur për Shqipëri,
për sot, për të ardhmen,
për liri e pavarësi!

Shqiptarisht

Na bashkon në këtë tokë gjuha dhe flamuri,
na bashkon atdheu, historia, të parët tanë,
na bashkojnë legjendat dhe hyjneshat tona,
na bashkon vendlindja e shenjtë, e zjarrtë.
Unë jam shqiptar prej Kosove a Shqipërie,
ti je shqiptar prej Malit të Zi a Maqedonie,
ja edhe shqiptarja prej Çamërie,
jemi të gjithë pjesë të një treve të lashtë Ilirie.
Jemi si gonxhe në një buqetë lulesh të rralla,
na kanë ndarë padrejtësisht dhe barbarisht,
le të bëhemi si dikur një tufë e bukur,
vëllezër e motra të bashkohemi shqiptarisht!

I lirë si shqiponja

Bashkimi i trojeve një ëndërr e kamotshme,
do na bëj bashkë me një zemër, me një trup,
do të jemi një komb si shqiponja në qiell,
të fuqishëm, të lidhur si vargmalet sup më sup!

Ujqërit përgjojnë

Pse jeni kaq të etur për pushtet,
qeverisni në kurriz të njerëzve të thjeshtë,
luani si në cik – cake postet nga fryn era,
dhe arsyetoni sikur shteti jeni ju vetë.

Ne kemi besim te vetja, jemi të pamposhtur,
Kosova ecën në rrugën e drejtë me guxim,
ju duhet të ndryshoni zakonet e mbrapshta,
mos u ngjani egërsirave që kishim mbi shpinë.
Mos e lini popullin në mëshirën e fatit,
se armiku përgjon e dobësitë tuaja pret,
vesh petkun e qengjit dhe hiqet si i mirë,
veç populli e kupton se është ujk i vërtetë.
Themelet e atdheut janë aty,
janë mbrojtur me luftë dhëmbë për dhëmbë,
me lumenj gjaku janë vaditur në shekuj,
ndaj askënd s`lejojmë që të na nëpërkëmbë!