Gladiola Jorbus
Fenomeni TikTok
TikTok-u është kthyer në një pasqyrë të çuditshme të përditshmërisë sonë. Një hapësirë ku edhe dukuria më banale serviret si “përmbajtje”: mënyra se si shtrohen çarçafët, çfarë hahet për drekë, si pihet kafeja apo si gatuhet një recetë që në thelb e njohim të gjithë. Njerëzit filmojnë veten duke bërë gjëra krejt normale, jo sepse kanë diçka të re për të thënë, por sepse kanë nevojë të shihen, të dëgjohen, të konfirmohen. Vëmendja është bërë monedhë, dhe si e tillë ka dy anë. Njëra është shikueshmëria e lartë dhe tjetra feedback-u. Problemi qëndron tek pritshmëria për t’ u duartrokitur pa kushte. Shpesh shohim persona që postojnë gjithçka dhe më pas habiten, lëndohen ose nervozohen kur marrin reagime negative, ironi apo kritika e mallkime siç ndodh rëndom në shoqërinë tonë. Harrojnë faktin që sapo publikon diçka, ajo nuk të përket më vetëm ty. Publiku nuk është as familja jote, as shoqëria jote ndaj reagimet nuk do të jenë të buta apo miratuese. Në të vërtetë TikTok-u tregon më shumë për etjen tonë për vëmendje, sesa për vetë kreativitetin. Një shoqëri që filmon gjithçka, por reflekton pak; që flet shumë, por dëgjon pak. Ndoshta pyetja nuk është pse njerëzit tregojnë si shtrojnë çarçafët apo çfarë hanë, por pse presin që bota t’i marrë gjithmonë seriozisht, dhe në fund pse zemërohen kur kjo nuk ndodh.



